Sula: Përplasjet në PD, interes i njerëzve të caktuar
Intervistë me deputetin e PD-së z.Dashnor Sula
Deputeti i PD-së Dashnor Sula nuk mohon faktin se brenda partisë kanë nisur ethet e zgjedhjeve të reja parlamentare. Madje, frika se kush mbetet jashtë listës së re të PD-së në 2009-ën, mund të provokojë sërish përplasje të tjera brenda forcës që qeveris vendin. Z.Sula përmes “standard” bën të ditur se kur je parti në pushtet, mund të përballesh edhe me debatet e brendshme. Por sipas tij e rëndësishme është që ato të jenë në funksion të interesave të shoqërisë dhe jo të njerëzve të caktuar në politikë. Deputeti demokrat bën prezent ambiciet e deputetëve për t’u përfshirë sërish në listën e re teksa mohon faktin se një tjetër listë paralele do të serviret nga Presidenti Bamir Topi për mbështetësit e tij në PD. Z.Sula, një nga miqtë e afërt të Presidentit, pranon në njëfarë mënyre tkurrjen e grupit që përkrahin z.Topi duke nënkuptuar qartë frikën se mund të mbeten pa rikandiduar në vitin 2009.
Z.Sula, Kuvendi rinis punimet ditën e hënë, çka do të thotë se marrin fund dhe pushimet njëmujore të deputetëve, ndryshe nga qeveria që vijon punën normalisht. Besoni se këto pushime ishin mundësia më e mirë për të qetësuar konfliktualitetin politik në vend?
Duhet pranuar fakti se sesioni i kaluar parlamentar ishte mjaft i ngarkuar pasi u arrit të bëhet një volum i madh pune, të kalojnë mjaft projektligje të rëndësishme. Kjo periudhë e verës sigurisht që është një periudhë e pushimeve të Parlamentit dhe nuk mund të mohojmë faktin se Parlamenti ka pasur një periudhë pauze, kurse ekzekutivi ka qenë e kundërta, madje duke vazhduar të jetë në krye të detyrës. Por sesioni i ri kuvendor do të fillojë me një program mjaft të ngjeshur pune dhe fokusimi më i madh i këtij institucioni do të jetë tek çështja e kodit zgjedhor. Sigurisht do ketë dhe projektligje të tjera të rëndësishme përgjatë legjislaturës së re. Me sa kam informacion qeveria aktuale, ndryshe nga tre vitet e mëparshme po përgatit dhe buxhetin e cila besoj se do kalojë nga fundi i muajit shtator. Kjo është një arritje e kësaj qeverie për sa i përket buxhetit të ri të shtetit gjë që nuk u vu re tek qeveritarët paraardhës. Për sa i përket frymës së bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës fundsezoni i kaluar ka pasur një bashkëpunim mjaft të frytshëm mes mazhorancës dhe opozitës për sa i parket reformave kryesore në vend. Shpresoj dhe besoj se kjo frymë bashkëpunimi është e domosdoshme që të vazhdojë. Mazhoranca kërkon sërish bashkëpunim me pakicën parlamentare e cila besoj se do të ketë atë ndjesi për të vazhduar këtë bashkëpunim.
Mirëpo PD-ja kishte dhe një problem tjetër. Përveç konfliktit me opozitën u ndesh dhe me disa përplasje të brendshme...
Sigurisht në pamje të parë duket sikur janë përplasje brenda PD-së, apo figurave të ndryshme të kësaj partie. Por unë nuk do ta dramatizoja një gjë të tillë. Është një gjë normale ku të ketë mendime të ndryshme brenda një force politike dhe duhet sqaruar se këto përplasje kanë qenë vetëm nëpërmjet punës.
Në ç’kuptim?
Në kuptimin që këto diskutime apo debate që janë bërë disa herë në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së apo dhe të figurave të ndryshme të saj, kanë pasur një qëllim zgjidhjet sa më të drejta. Pra mendimet e kundërta janë shprehur për të vetmin qëllim që të arriheshin zgjidhje gjithëpërfshirëse për politikën shqiptare. Domethënë që një vendim apo projektligj që do miratohej të ishte vetëm në shërbim të shoqërisë, dhe jo në interes të njerëzve të caktuar apo të një pjese të caktuar politike.
Nga merrni shkas që e thoni këtë?
E them këtë sepse marr shkas nga debati për ndryshimet kushtetuese apo disa projektligjeve të tjera të rëndësishme apo disa probleme të tjera si për mënyrën e zgjedhjes së sistemit të ri zgjedhor etj, debat i cili u zhvendos më pas tek partitë e vogla. Dhe duke marrë parasysh faktin që PD-ja është parti në pushtet, normalisht do të ketë dhe debate, por sigurisht që këto debate janë konstruktive dhe në fund të fundit, PD-ja brenda vetes, pothuajse ka pasur një mirëkuptim për problemet e mëdha të cilat janë paraqitur gjatë qeverisjes së saj. Ka pasur dhe debate me aleatët për të cilët them se z.Berisha bëri një koalicion të gjerë në 2005-ën. Megjithatë duhet pranuar fakti se pjesa më e madhe e aleatëve kanë funksionuar, por figura të ndryshme të partive aleate në momente të caktuara nuk kanë paraqitur performancën e duhur në drejtimin e institucioneve që ata kanë përfaqësuar dhe kjo është bërë shkak për disa përplasje midis PD-së dhe aleatëve. Ka qenë dhe një tip presioni i deputetëve të PD-së të cilët në disa mbledhje të grupit parlamentar kanë paraqitur dhe shqetësimin dhe ankesat në mosfunksionimin e institucioneve të drejtuara nga aleatët.
Mund të acarohen më shumë problemet brenda PD-së në prag zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës?
PD-ja ka gati 2 muaj që është përfshirë në një periudhë ristrukturimi i cili do të diktojë dhe mënyrën ndryshe të organizimit të PD-së me të vetmin qëllim që PD-ja në vitin 2009 të jetë një parti e cila duhet të dalë fituese sigurisht bashkë me aleatët. Ndaj besoj se këto zgjedhje do jenë për të gjithë në funksionin të fitores së një mandati të dytë qeverisës dhe jo të hapjes së problemeve të cilat do të ndikonin negativisht në zgjedhjet e reja për partinë në pushtet.
Ndaj kanë filluar dhe ethet për përfshirje në listën proporcionale të PD-së për zgjedhjet e 2009-ës dhe sipas jush sa duhet të ndryshojë lista aktuale e deputetëve të PD-së në zgjedhjet e pas një viti?
Mendimi im nuk mund të jetë qind për qind objektiv dhe aq më tepër është vështirë të flasësh për kolegët. Por pavarësisht kësaj, mendoj se deputetët që erdhën në PD, përmes zgjedhjeve të 2005-ës, në përgjithësi kanë arritur mjaft sukses. Këtu përmend z.Basha, znj.Trashani, z.Bumçi dhe mjaft figura të tjera të reja të cilët kanë bërë një punë mjaft të mirë gjatë këtyre 3 viteve si në Kuvend ashtu dhe qeveri. Performanca e këtyre individëve ka qenë shumë e kënaqshme dhe gjykoj që pjesa më e mirë e tyre duhet të jenë sërish pjesë e Kuvendit të ardhshëm. Por do të jenë strukturat e PD-së që do të bëjnë të mundur ato që do të vendosin për listën proporcionale. Gjithsesi gjykoj se figurat që lanë gjurmë gjatë këtyre viteve qeverisje duhet të jenë në këtë listë.
A kanë vend në këtë listë prurje të reja në PD?
Sigurisht, gjithmonë pa përjashtuar edhe ardhjen dhe prurjen e figurave të reja në PD, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht në fitoren e re të mazhorancës në zgjedhjet e vitit 2009 për një mandat të dytë qeverisës.
Edhe për ata që duan të rikthehen në Partinë Demokratike?
Ky është një problem mjaft i diskutueshëm dhe mendimet janë të ndryshme. Por unë do të thosha që mundësitë mund të jenë të ndryshme në kuptimin që mund të kemi një rikthim të plotë të ikurve të PD-së, një pjesë e të cilëve janë kthyer në vitin 2005 dhe tashmë i kemi figura që janë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar apo forumet drejtuese të PD-së. Megjithatë ekziston mundësia që të kemi një formë të re bashkëpunimi të një koalicioni mjaft të ngushtë në zgjedhjet e 2009. Por në fund të fundit do të jenë forumet e PD-së ato që do vendosin për formulën konkrete të procesit të rikthimit të atyre që u larguan nga PD-ja vite më parë.
Megjithatë duhet pranuar një fakt që zgjedhjet e reja trembën mbështetësit e Presidentit Topi brenda PD-së, grup i cili pësoi tkurrje nga frika se nuk do përfshihen në listën e re të deputetëve. Është kështu apo jo?
Do i përgjigjem shkurt kësaj pyetje sepse në fund të fundit miqësia mes figurave të partisë nuk ka pse të merret për ndonjë bazë nga kryesia e PD-së apo kryetari Berisha. Nuk besoj se miqësitë apo afrimiteti mes disa deputetësh me z.Topi, do të ndikojnë në vendimmarrje, duke pasur parasysh pikërisht këto raporte miqësie apo afrimiteti. Megjithatë them se tashmë z.Topi nuk është pjesë e PD-së, ai është President i vendit, ka dëshmuar mjaft qartë se nuk është më përfaqësues i kësaj partie politike. Por qëndrimi i z.Topi ka qenë në zbatim të ligjit, mbrojtjes së Kushtetutës përgjatë mandatit të parë në krye të Presidencës. Ai ka pasur ndikim pozitiv në të gjithë politikën shqiptare.
Mirëpo a mund të flitet tashmë me siguri të plotë për mbështetës të Bamir Topit në PD?
Z.Topi ka qenë për vite pjesë e PD-së, e forumeve të larta të saj dhe marrëdhëniet e tij me deputetët dhe anëtarët e PD-së janë tepër korrekte. Ndaj dhe ekziston dhe miqësia mes nesh. Por z.Topi si një figurë mjaft e kompletuar që ka qenë përgjatë këtyre viteve në politikën e djathtë, ruan një konsideratë mjaft të lartë në PD dhe pas përfundimit të mandatit, shtëpia e tij do të jetë sërish PD-ja.
Por a ekziston mundësia që paralel me listën e Berishës të jetë dhe një e z.Topi me kandidatë për deputetë të ardhshëm të PD-së?
Jo, nuk mendoj se Presidenti do t’i paraqesë një listë të tillë, PD-së apo liderit Berisha. Këto gjëra zmadhohen nga media duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira të z.Topi me deputetët. Pirja e një kafeje s’do të thotë se je një grup i ndarë nga pjesa tjetër. Ndryshe nga presidentët e tjerë, z.Topi është më i hapur dhe më i afrueshëm me deputetët dhe me figura të tjera të politikës, gjë që i krijon mundësi mjaft që të marrë kontakte me ta.
Tentoi PD-ja ta mbajë nën kontroll Presidentin Topi?
Absolutisht nuk ka qenë qëllimi për të diktuar ose për të “pushtuar” institucionin e Presidencës, por të gjitha vendimet janë bërë në koherencë të plotë me ligjet e vendit. Madje edhe vet z.Topi është shprehur i kënaqur nga zgjidhjet që ka dhënë Parlamenti apo nga ekzekutivi.
Por që raportet mes tyre u cenuan gjithsesi...
Raportet aktualisht janë mjaft korrekte dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë cenim të këtyre raporteve as në të ardhmen. Ka pasur diskutime për probleme të ndryshme, por në tërësi ka mbizotëruar fryma e bashkëpunimit. Detyra e institucionit të Presidentit, legjislativit dhe ekzekutivit është që të përmbushin secila detyrat kushtetuese. Sigurisht është normale që të ketë debate, mendime të ndryshme, por të rëndësishme janë zgjidhjet sa më të drejta dhe debatet që janë bërë kohët e fundit kanë pasur pikërisht këtë qëllim.