Raporti i ASD-së për 2007-n vlerësonte qëndrueshmërinë e sistemit
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në raportin e saj dërguar në Kuvend për situatën në tregun bankar për gjatë vitit 2007, vlerësonte se situata është më e mirë se një vit më parë. Në këtë raport theksohet se 88 për qind e depozitave deri në 700 mijë lekë janë të garantuara. Ndërsa në një krahasim me vende të tjera, bëhet e ditur se sigurimi është mbi nivelet mesatare dhe totalisht i përballueshëm për çdo situatë. Gjatë vitit 2007, aktivitetet e sistemit bankar janë rritur me 118.6 miliardë lekë. Ndërsa teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi një rritje me 47.7 për qind. Përgjithësisht agjencia vëren qëndrueshmëri të treguesit neto të cilësisë së portofolit të kredive në 1.8 për qind nga 1.7 që ka qenë një vit më parë. Por tërhiqet vërejtje për kreditë e këqija. Dhe pse është cilësuar shqetësim “jo i konsiderueshëm”, agjencia shton se kjo situatë vjen si pasojë e rritjes së shpejtë të kredive me probleme ndaj totalit të kredive. Pikërisht mbi këtë pikë ka tërhequr vëmendjen dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Por për vetë drejtuesit e bankave situata është nën kontroll dhe se do të duhet që Banka e Shqipërisë të miratojë një rregullore konkrete. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se bankat e nivelit të dytë kanë rritur nivelin e sigurimit të depozitave në valutë. Për sa i përket fondit në dispozicion të agjencisë, bëhet e ditur se shuma fillestare e dhënë nga Buxheti i Shtetit ka pësuar një rritje të konsiderueshme qoftë nga sigurimet që bëjnë bankat, ashtu dhe nga rritja e fitimit mbi shumën fillestare.