E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti i interesit, 66 raste të evidentuara

03/03/2009  ILDKP depoziton raportin vjetor në Kuvend. 11 zyrtarë janë çuar për ndjekje penale

“Gjatë vitit 2008 një zv.ministër dhe një prokuror kanë fshehur pasurinë”

Albana Lika

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive gjatë vitit 2008 ka evidentuar 66 raste në konflikt interesi të zyrtarëve të punësuar në institucione të ndryshme qendrore. Kjo bëhet e njohur përmes raportit vjetor të depozituar në Kuvend nga ILDKP-ja. Sipas raportit, gjatë vitit 2008 numri i subjekteve që mbartin detyrime për deklarim në LDKP dhe që janë regjistruar si subjekte të hetimit administrativ arrinte në 3913. Nga këto subjekte 445 kanë bërë deklarimin e interesave private para fillimit të detyrës, 3508 janë deklarata periodike vjetore dhe 237 të tjera janë bërë pas largimit nga detyra.

Konflikti i interesit

ILDKP-ja gjatë vitit 2008 ka shqyrtuar 120 raste të dyshuara për konflikt interesi, nga të cilat si të tilla kanë rezultuar vetëm 66, të identifikuara në rrugë ligjore. Referuar raportit, në 19 raste konflikti i interesit është evidentuar gjatë kryerjes së procesit të kontrollit aritmetik e logjik, në 7 raste konflikti është evidentuar dhe konfirmuar në ILDKP nga shkresat e institucioneve të ndryshme të administratës publike dhe në një rast konflikti i interesit është ofruar nga media. Gjithashtu në raport thuhet se 14 raste të konfliktit të interesit janë evidentuar nga autoritetet përgjegjëse të institucioneve publike, ndërsa në 25 raste është shmangur marrja në funksione të ndryshme. Raporti evidenton se në kuadër të parandalimit të rasteve të konfliktit të interesit ILDKP-ja ka forcuar bashkëpunimin me institucione shtetërore, si Agjencia e Prokurimit Publik, Avokati i Prokurimeve etj., duke rritur efikasitetin në evidentimin dhe parandalimin në kohë të rasteve.

Deklaratat

Në periudhën janar–dhjetor 2008 numri i subjekteve që kanë dorëzuar në ILDKP deklarata të interesave private për herë të parë ka arritur në 343 zyrtarë. Sipas raportit, gjatë këtij viti janë evidentuar 70 zyrtarë që nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda afateve kohore. Në këto kushte, ILDKP-ja ka aplikuar masën administrative me gjobë për këta zyrtarë, nga të cilat në 6 raste ka pasur ankimim pranë Inspektoratit të Lartë, ku ankimuesit përmes provave shkresore pretendonin se kishin arsye të bazuara për vonesën në dorëzimin e deklaratës. Më tej në raport thuhet se për 11 zyrtarë të gjobitur që nuk kanë dorëzuar deklaratat e pasurisë Inspektorati i Lartë ka dërguar në organin e prokurorisë kallëzimin penal “refuzim për deklarim”.

Kontrolli i plotë

Gjatë vitit 2008 Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kaluar për kontroll të plotë 642 zyrtarë, nga të cilët 436 për shkak të funksionit, 50 për shkak të problemeve të konstatuara nga kontrolli aritmetik e logjik dhe për 152 zyrtarë të tjerë si pasojë e shortit të hedhur në muajin maj të vitit 2008. Procesi i kontrollit të plotë është kryer me anën e korrespondencës me institucionet publike, institucionet bankare brenda e jashtë vendit, si dhe marrjes së informacionit nga burime të tjera. Në raport thuhet se nga procesi i kontrolli të plotë, ILDKP ka kallëzuar penalisht në prokurori për fshehje të pasurisë një zv.ministër dhe një prokuror. Gjithashtu në organin e akuzës janë dërguar për ndjekje penale edhe 4 subjekte deklarues, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, pasi janë konstatuar shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal.

Media

ILDKP vlerëson në raportin për vitin 2008 marrëdh^niet me medien dhe shoqërinë civile. Në këtë kuadër, ILDKP-ja thotë se në periudhën janar–dhjetor 2008 janë publikuar 688 deklarata të interesave private të subjekteve të ndryshme. Marrëdhëniet me medien vazhdojnë të jenë të mira dhe në raste të ndryshme frytdhënëse për evidentimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave apo të zbulimit të fshehjes së pasurive. Gjithashtu Inspektorati i Lartë synon nxitjen e opinionit publik për ofrimin e rasteve korruptive me të cilat ndeshen në përditshmërinë e tyre.

Bashkëpunimi

Për rritjen e kapaciteteve investiguese Inspektorati i Lartë ka shtuar ndjeshëm bashkëpunimin me strukturën e specializuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik brenda e jashtë vendit. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2008 ILDKP-ja ka nënshkruar 4 marrëveshje me Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, INSTAT-in dhe Agjencinë e Prokurimit Publik.

Formulari i ri

Në formularin e ri të deklarimit të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre detyrohen të deklarohen edhe fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjektit që i nënshtrohet deklarimit të pasurisë. Përmes saj ILDKP-ja synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari.

Parandalimi

Nëpërmjet krijimit të një baze të dhënash Inspektorati i Lartë do të zotërojë informacion më të plotë mbi personat e lidhur me zyrtarin, çka do të forcojë më tej mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të vazhdueshëm dhe rast pas rasti. Në formularin e ri përfshihen edhe gjeneralitetet e personave të lidhur me zyrtarin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›