Djegja e “Skampës”, arrestohen dy punëtorët që u shpërtheu bobola
Zjarri që ka shkrumboi Teatrin “Skampa” ka ardhur si pasojë e shpërthimi të një bomboloe gazi, që po përdorej nga dy punëtorë për të izoluar çatinë e hotelit ngjitur me teatrin. Në një deklaratë për shtyp policia e Elbasanit ka deklaruar se zjarri ka rënë në hotelin ngjitur me Teatrin “Skampa” dhe për pasojë rrezikoheshin disa godina. Grupi hetimor, i cili kreu veprimet proceduriale bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, si dhe arrestimin në flagrancë të dy shtetasve me lidhje familjare babë e bir Ali Mece, vjec 55, banues në lagjen "Skenderbej" Elbasan dhe Gentian Mece, vjec 36, banues në lagjen "Skënderbej " Elbasan. Këta shtetas sipas komunikimit zyrtar të policisë, që ishin duke punuar për izolimin e taracës së një hoteli, e cila ndodhet ngjitur me Teatrin “Skampa” kanë shkaktuar rënien e zjarrit në ndërtesën e Teatrit . “Nga kqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se si pasojë e rënies së zjarrit është djegur plotësisht salla e Teatrit si dhe pjesërisht Hotel “GURI”, ku dëmi arrin në një vlerë të konsiderueshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 (një) bombël gazi e cila shërbënte për ngjitjen e katërmasë. Shtetasit e mësiperm akuzohen për veprat penale "Shkatërrimin i pronës me zjarr e kryer në bashkepunim" dhe “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë” , parashikuar nga nenet 151 , 25 e 289 te Kodit Penal” përfundon deklarata e policisë.
Prefekti
Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi deklaroi dje se janë përcaktuar tashmë shkaqet që sollën zjarrin në Teatrin “Skampa”. Zjarri ka ardhur nga izolimi i çatisë së hotelit ose pjesës ndarëse me teatrin. “Është papërgjegjshmëri të punosh në temperatura të tilla pa marrë leje për punimet.Unë mund të them që Teatri ka qenë i siguruar, por dëmi është shumë i madh. Vetëm investimet që ka bërë Bashkia vitet e fundit kapin vlerën e 1.5 milion eurove pa llogaritur vlerat kulturore, artistike, arkitektonike të këtij objekti”-thotë ai. Lidhur me ndërhyrjen e zjarrfikësve ai shton se “Flakën nuk ia vunë zjarrfikësit, por duhet të them se forcat zjarrfikëse kanë qenë në ato momente në një vatër tjetër zjarri në Mengël. Zjarrfikësit erdhën dhe bënë atë që kishin mundësi. Pozicioni dhe struktura e teatrit bëri që të ishte e pamundur të shuhej. Gadishmëria e zjarrfikësve me mjetet që kanë ishte për tu vlerësuar. Flaka ka ardhur nga çatia me nivelin e një godine katërkatëshe siç ishte teatri. Ishte shumë e vështirë të ndërhyje në brendësi pasi çatia mund të zinte brenda edhe njerëz” . Ndërtimet pa leje, shtoi më tej Deliallisi, janë një kancer që po gërryen territorin. Në lidhje me rindërtimin e teatrit ai u shpreh se të gjithë do të kontribojnë që ky objekt të ringrihet. “Ne do t’i bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe do të ndërhyjmë pranë ministrisë që ta rikuperojmë këtë vepër arti të rëndësishme që nuk i përket vetëm bashkisë por të gjithë qytetarëve të Elbasanit”.
“Teatri Skampa është simbol i qytetit me vlera artistike dhe historike të mëdha. Ne e kishim krenarinë e qytetit, të ndërtuar në vitet ‘34-’35, kur Elbasani ishte me kalldrëm. Në atë kohë një fisnik me një vizion për artin kërkoi ndërtimin e këtij objekti që mund të konsiderohet një “La Skala” e vogël shqiptare.
Sejdini
Kryetari i Bashkisë një ditë më pas ka marrë konfimimin e Agjensisë së Sigurimeve, ku edhe ishte siguruar Teatri për pjesëmarrjen në rindërtimin e tij. Specialistë të kësaj agjensie kanë mbërritur një ditë më pas për të bërë vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Sipas kryetarit të Bashkisë kjo kompani do t’i përgjigjet vlerës të këtij vlerësimi dëmi duke i dhënë një mbështetje të madhe rindërtimit të godinës. Sejdini ka vlerësuar sidomos policinë e shtetit, e cila është treguar në lartësinë e duhur duke arritur në një kohë të shpejtë zbulimin e shkakut dhe veprimin e drejtësisë. “Dua të përsëris se zjarrfikësit nuk kishin profesionalizmin dhe kapacitetet për të përballuar një ngjarje të tillë. Është e patolerueshme që nuk kemi shkumë për fikjen e zjarreve, por ende përdorim ujin. Zjarri i rënë dje nuk mund të fikej me aq mjete, njerëz dhe ujë. Me këta zjarrfikës i gjithë qyteti është i pasigurtë. Po ju them se bashkia po mendon të ngrejë një ekip të vetin zjarrfikësish profesionistë të trajnuar dhe me mjetet e domosdoshme”. Sejdini thekson edhe faktin se kane qenë të rinj, qytetarë, dashamirës që me kova e me mjete rrethanore bënë të pamundurën e tyre për të ndalur zjarrin”. Ai tregon se ka marrë mesazhe nga qytetarë jo vetëm nga Elbasani ,por edhe nga Tirana që morën vesh lajmin e djegies së teatrit. Për herë të parë ai iu drejtua bizneseve që të japin ndihmën e tyre për rikthimin e kësaj godine në simbol në shtëpinë e kulturës së qytetit. Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe i gjendur në Elbasan ka shprehur mbështetjen e tij, tha Sejdini pasi “Skampa” është në listën e monumenteve të mbrojtura të këtij instituti. Siç edhe Sejdini i është përgjigjur qytetarëve, Teatri Skampa do të rindërtohet bashkë me akustikën që ka patur. Pritet që të analizohet edhe përbërja e mureve për të përcaktuar gjithçka, dhe kthimin e këtij objekti në gjendjen e mëparshme.