Konflikti në lokal, plagoset 42-vjeçari
Hetimet
Policia shpall në kërkim të dyshuarin
Një 42-vjeçar ka mbetur i plagosur gjatë një sherri në një lokal, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja ka ardhur pas një konflikti banal mes dy protagonistëve në orët e vona të natës, teksa po qëndronin në tavolina ngjitur. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, mësohet se nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e shtetasit Emiljano B., 25 vjeç, banues në Rrugën e Kavajës, sepse rreth orës 00.30, në Rrugën e Kavajës, në një lokal pranë zonës së Kombinatit, ka plagosur me armë zjarri Leonard Nikollin, 42 vjeç, banues në Babrru. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia deklaroi se ka nisur negociatat edhe me familjen e autorit për vetëdorëzimin e tij. Gjithashtu, janë ushtruar disa kontrolle, por ende nuk është rënë në gjurmët e tij, i cili do të akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë.
#