Mes të dëmtuarve, edhe një 6-vjeçar
Pakujdesia
Aksidentet në kryeqytet, plagosen rëndë 3 persona
Tre persona kanë mbetur të plagosur nga aksidentet rrugore, mes të cilëve edhe një fëmijë 6-vjeçar. Aksidentet kanë ndodhur në zona të ndryshme të Tiranës gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që policia ka dërguar për ndjekje penale autorët e tyre. Sipas të dhënave policore, Andi Hasani është aksidentuar rreth orës 12:00. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Fagu” kur një person me motor, ende i paidentifikuar, ka aksidentuar 6-vjeçarin, duke u larguar nga vendi ngjarjes. I mituri ndodhet në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, ku gjendja e tij për jetën paraqitet kritike. Ndërkaq, seksioni për parandalimin e aksidenteve rrugore është duke punuar për identifikimin e autorit dhe të mjetit me të cilin po udhëtonte për të kryer arrestimin e tij. Gjithashtu, një tjetër aksident ka ndodhur gjatë ditës së djeshme rreth orës 13:00 në rrugën dytësore të superstradës Tiranë-Vorë. 23-vjeçari Ardis Nuha, banues në Shkodër, duke udhëtuar me motorin e tij, tip “Jamaha”, me targa SH 404 D, ka aksidentuar të moshuarin Xhaferr Nezha. 76-vjeçari, gjatë përplasjes është dëmtuar dhe ndodhet ne gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ndërsa Nuha, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ditën e djeshme, seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore ka filluar një procedim penal në gjendje të lirë për shtetasin Olsion Qordja, 19 vjeç, banues në Farkë. Sipas të dhënave, rreth orës 3:00 të mëngjesit, ky person, duke udhëtuar me makinën e tij tip “Mercedes Benz”, me targa TR 0282 F, ka dalë nga rruga dhe për pasojë është aksidentuar rëndë. Ai ndodhet i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.
#