Tirana përshëndet Podgoricën
Harxhi: Mali i Zi, një hap pozitiv
Qeveria shqiptare ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke shprehur optimizmin se 2010 do të jetë viti i njohjeve të reja për shtetin e Kosovës. Nëpërmjet zëvendësministres së Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, e cila është e ngarkuar me çështjen e Kosovës, qeveria shqiptare beson se procesi i hapur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të ndikojë në numrin e shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Bashkë me Mauritaninë, numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën ka shkuar në 65, por shtetit të ri i duhen edhe të paktën 30 shtete, anëtare të OKB-së që të njohin pavarësinë e saj, në mënyrë që të krijohet numri i nevojshëm i votave që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Për Harxhin, një shenjë e mirë në këtë drejtim është vendimi i Spanjës për të ftuar Kosovën në konferencën e Sarajevës. Mbretëria e Spanjës, e cila mban aktualisht Presidencën e Bashkimit Europian, është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës.
#