E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë false pushtojnë qendrat tregtare

Policia zbulon një grup dhe ka në hetim disa të tjerë për këtë aktivitet kriminal
Paratë false, çfarëdo valute qofshin dhe poseduesit e tyre janë kthyer në një makth për qendrat tregtare në Tiranë. Duket se falsifikuesit kanë gjetur rrugën më të shkurtër për të bërë shpërndarjen e këtyre parave, duke ua ngecur në dorë shitësve, të cilët nga fluksi nuk i vënë re dhe nuk i kuptojnë nëse janë false apo të vërteta. Situata është bërë më e rëndë gjatë ditëve të fundit, por denoncimet e para kanë ardhur në ditët para ndërrimit të viteve. Një rast i tillë është zbuluar ditën e djeshme, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim një person, i cili mendohet se është i përfshirë në aktivitetin kriminal të falsifikimit të parave.
Nga të dhënat mësohet se gjatë muajve të lënë pas ka pasur edhe raste të tjera të evidentimit të parave false nëpër qendrat tregtare, sidomos ato të hapura në autostradë. Në këto kushte, punonjësit e mashtruar kanë denoncuar pranë policisë së kryeqytetit dhe zbulimi nuk ka qenë tejet i vështirë, pasi ishin raste sporadike. Duke bërë kontrolle të thjeshta në kamerat e sigurisë, policia ka mundur që këto raste t’i evidentojë në një kohë të shkurtër dhe të bëjë arrestimin e autorëve të dyshuar. Megjithatë, nga të dhënat mësohet se situata është rënduar më shumë gjatë muajit dhjetor dhe tani në janar.
Sidomos në fund të muajit dhjetor, kur shumë njerëz u vërsulën drejt qendrave tregtare për shkak edhe të festave të fundvitit, paratë false “pushtuan” edhe qendrat tregtare, sidomos pikat e shumicës. Në disa prej rasteve, vetë shitësit, ose punonjësit e arkave, arrinin t’i evidentonin rreziqet dhe të mos binin pre e parave të falsifikuara. Por, nuk përjashtoheshin rastet, kur nga ngarkesa tejet e madhe, mund t’i kalonin paratë, pa u siguruar mirë nëse ishin të vërteta apo false. Këtu u kërkua ndihma e policisë, e cila filloi hetime më të gjera në lidhje me këtë fenomen. Sipas të dhënave policore, deri tani nuk ka pasur shumë denoncime, megjithëse po punohet në bashkëpunim për të zbuluar të  gjitha rastet e mundshme dhe për të arritur në identifikimin dhe kapjen e personave që vënë në përdorim para false, ose që i prodhojnë ato.
Nga të dhënat e policisë mësohet se në këto qendra tregtare nuk përdoren vetëm lekët, por edhe valuta e huaj. Kështu ka qenë edhe rasti i fundit i shënuar në një nga këto qendra tregtare, kur janë përdorur 100 dollarë falsë. Sipas të dhënave policore, për këtë vepër penale janë identifikuar dy persona. Zyrtarisht, policia deklaroi se nga seksioni kundër krimit ekonomik, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Aurora Xh., 29 vjeçe, si dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të saj Romeo S., 27 vjeç, banues në Tiranë. Këta dy persona dyshohen se në kohë të ndryshme kanë realizuar përdorimin e dollarëve falsë. Deri tani, atyre u janë dokumentuar tri raste, ku në secilin prej tyre kanë përdorur nga 100 USD false. Madje, policia ka mundur të shoqërojë vetëm femrën, ndërkohë që ka bllokuar edhe një makinë me targa të huaja, në posedim të saj, e cila mendohet se përdorej për të transportuar objektet e blera me para të falsifikuara. Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u bllokua mjeti “Mercedes Benz”, me targa të huaja AE 092 DK, në përdorim të Aurorës dhe në pronësi të Romeos.
Policia deklaroi se ajo është kapur në tentativë për të kryer mashtrimin e radhës, por është njohur nga shitësja, e cila ka njoftuar shërbimet e policisë.
Gjithashtu, në bashkëpunim me organet e hetimit të krimit dhe seksionit të antikrimit ekonomik po punohet për zbulimin edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ku mendohet se ata merren edhe me prodhimin e valutës false. Policia shpjegoi se në fazë hetimi ka edhe disa persona të tjerë, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për arrestimin e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›