Kroacia, hapi i radhës ndaj Kosovës
Josipoviç fton Sejdiun në ceremoni
Presidenti i sapozgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ka konfirmuar se në ceremoninë e përurimit të tij, është i ftuar edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pavarësisht kushtëzimeve të Presidentit serb Tadiç. Ai ka thënë se ftesat për pjesëmarrje në inaugurim u janë dërguar të gjitha vendeve, me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike. I pyetur të komentonte deklarimin e Presidentit serb se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij, nëse në Zagreb do të jetë edhe Presidenti i Kosovës, Josipoviçi ka thënë se Zagrebi nuk bën dallime, ndonëse do të ketë mirëkuptim për nevojat specifike që Serbia ka lidhur me raportet me Kosovën. “E kuptoj se kemi mendime të ndryshme me Serbinë sa i përket Kosovës dhe faktit që Kosova është shtet. I kuptoj traumat që Serbia ka për shkak të kësaj. Por gjithashtu kuptoj realitetin që ne kemi marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Ne e kemi njohur Kosovën shtet dhe duhet ta trajtojmë atë ashtu si çdo vend tjetër”, ka thënë Josipiviçi. Ndërkohë, në Presidencën e Kosovës thuhet të mos ketë arritur ende ftesa.
#