Milo: Ftesa e Topallit, truk kundër PS
Letra
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi dje se ftesa e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për deputetët socialistë, në një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën është një truk për të futur grupin parlamentar të selisë rozë në Parlament. “Për mendim tim këtu çështja e seancës së jashtëzakonshme është më tepër një truk politik për ta futur PS në grackë dhe nëse PS do ta bënte këtë hap atëherë ajo do mohonte gjithçka që ka bërë deri më tani për bojkotin. Nuk është vetëm Parlamenti që PS mund të shprehë pikëpamjet ose mbështetjen për të kapërcyer sa më shpejt pasojat e fatkeqësisë që ndodhi në veriun e Shqipërisë”, tha Milo. Kreu i PDS-së argumentoi se PS duhet të ketë një qëndrim koherent, në një kohë kur në Parlament, çështjet e rëndësishme janë shumë, si ato për integrimin, por nuk duhet të harrohet problemi parimor, atë për të cilën kjo parti ka bojkotuar Kuvendin e që lidhet me fatet e demokracisë në vend. “Duhet të këtë një qëndrim koherent. Bojkoti nuk varet vetëm nga çështjet që trajtohen, sepse çështje të rëndësishme Parlamenti ka pasur edhe gjatë këtyre muajve siç janë ato për integrimin europian të Shqipërisë e do të ketë. Por këtu problemi është parimor për sa kohë që është ngritur një çështje parimore që ka të bëjë me fatet e demokracisë në Shqipëri. PS duhet të vazhdojë të ruajë qëndrimin koherent. çdo thyerje e këtij qëndrimi në momentin aktual do të mohonte siç thashë qëndrimet e mbajtura deri më tani”, deklaroi Milo. Qëndrimit të opozitës për të bojkotuar Parlamentin e për të protestuar i janë bashkuar partitë e tjera të majta si PSD, PDS, G99, por edhe parti të djathta si PLD e Ngjelës dhe PDK e Nard Ndokës.
#