E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti për pronën, masakrohen babë e bir, pasi dalin nga gjykata

Nga Bledar Lumani

Konflikti për pronësinë ka shkaktuar një ngjarje të rëndë ditën e djeshme, teksa vetëm pak pasi kishin dalë nga salla e gjyqit, babë e bir janë masakruar nga pjesëtarët e familjes kundërshtare, me të cilët janë në gjyq për një pjesë toke në Baldushk. Si pasojë e ngjarjes së rëndë kanë mbetur të plagosur Shpëtim dhe Petrit Tresa, teksa ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Sakaq, policia ka identifikuar të dyshuarit për këtë ngjarje, Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi, të cilët janë shpallur në kërkim. Proceset për pronat janë më së shumti në gjykatën e kryeqytetit, teksa vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti mësohet se janë regjistruar mbi 400 padi.

Ngjarja

Gjithçka ka ndodhur përgjatë orëve të para të ditës së djeshme. Petrit dhe Shpëtim Tresa, përkatësisht 52 dhe 30 vjeç, babë e bir, sapo kishin dalë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, ku edhe kishin një proces gjyqësor për pronën. Në këto momente, në afërsi të ish-ekspozitës, përballë tyre janë gjendur tre pjesëtarë të familjes Harizi, me të cilët Petrit dhe Shpëtim Tresa ndodhen në gjyq për një sipërfaqe toke në Baldushk. Atë që nuk kanë mundur ta zgjidhin dot në gjykatë, pjesëtarët e familjes Harizi kanë menduar që ta zgjidhin jashtë dyerve të gjykatës. Kështu, pasi kanë debatuar për disa çaste, Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi, kanë goditur me sende të ftohta dy pjesëtarët e familjes Tresa, të cilët kanë mbetur të plagosur rëndë. Ata janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak nga kalimtarë të rastit, teksa sipas punonjësve të këtij spitali, gjendja e tyre është e rëndë. Veçanërisht në gjendje të rëndë për jetën ndodhet 52-vjeçari Petrit Tresa, i cili ka marrë plagë të shumta në kokë.

Policia e kryeqytetit bëri të ditur se ka identifikuar autorët e sulmit të djeshëm, Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi, të cilët janë shpallur në kërkim nga ana e policisë. “Aktualisht, nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit po punohet intensivisht për kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët tashmë janë identifikuar”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit. Ndërkohë, po sipas kësaj të fundit, motivi i konfliktit që çoi në plagosjen e rëndë të dy pjesëtarëve të familjes Tresa, ka ndodhur për pronësinë e një sipërfaqeje tokë në Baldushk.

Problemi i pronave

Pronat e paluajtshme janë kthyer në një problem të vërtetë, ku në shumë raste janë bërë shkak edhe për konflikte me viktima, siç ishte edhe rasti i djeshëm. Sipas statistikave të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, në këtë gjykatë janë regjistruar plot 409 padi për kthimin e pronave. Kryesisht, paditë e personave që pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të trojeve të ndryshme, janë në gjyq me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit bënë të ditur se gjatë viteve të fundit fluksi i depozitimit të kërkesave për kthimin e pronave ka ardhur duke u shtuar ndjeshëm. Kështu, gjatë vitit 2002, në gjykatën e Tiranë janë depozituar vetëm 263 kërkesa të tilla, ndërsa vitin e kaluar, numri i padive për pronën ka shkuar në 702. Ndërkaq, situata në rrethet e tjera paraqitet e ndryshme, duke qenë se numri i padive për pronën është shumë i ulët, krahasuar me numrin e padive në gjykatën e kryeqytetit. Kështu, për 6 muajt e parë të këtij viti, në gjykatën e Kavajës janë depozituar 58 kërkesa për pronën, në gjykatën e Fierit janë regjistruar 27 kërkesa, në gjykatën e Vlorës 77 dhe në gjykatën e Shkodrës 109 kërkesa. Nga statistikat e gjykatës së Kavajës bie në sy një numër shumë i ulët i padive për pronën, megjithëse zona e bregdetit të Kavajës është një nga më të përfolurat për vjedhjen dhe tjetërsimin e pronave. Kjo, duke qenë se në vitin 2006 dhe 2007, në gjykatën e këtij qytetit ka pasur vetëm 12 dhe 26 padi për pronat, ndërsa gjatë 6 muajve të parë të këtij viti numri i denoncimeve për pronën ka qenë më i lartë se sa dy vitet e kaluara, 58 denoncime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›