PD: Rama shpif ndaj Fazlliç dhe Ridge, ndërsa SHBA po na hap dyert e NATO-s
Partia Demokratike, përmes zëdhënësit Gerti Bogdani, sulmoi dje kryetarin e PS, Edi Rama, duke e akuzuar atë për censurë ndaj lajmit të rëndësishëm të firmosjes së dekretit nga ana e Bushit për anëtarësimin në NATO. “Lajmin e gëzuar për çdo shqiptar dhe mik të shqiptarëve e transmetuan në lajmet kryesore të gjitha rrjetet kryesore të botës, CNN, BBC dhe qindra media të tjera elektronike dhe të shkruara. Por, këtë lajm e censuroi totalisht gazeta e Edi Ramës dhe ndonjë simotër e saj, të cilët heshtën sot për të treguar moralin e tij të vërtetë anti-demokraci dhe antishqiptar. Sot hesht për këtë ngjarje madhore historike, edhe z. Rama, pinjoll direkt i nomenklaturës së kuqe, heshtën zyrtarët, ish-kryeministra dhe ministra, mbrojtjeje a te tjerë, të qeverive socialiste. Duke harruar se në anëtarësimin në NATO edhe Partia Socialiste ka kontributin e vet”, - tha Bogdani. Zëdhënësi i PD tha se Rama merret me shpifje të tipit “Fazlliç” dhe sulmon njërin nga ish-eksponentët amerikanë më të rëndësishëm, Tom Ridge, ndërsa vendi po merr pasaportën nga vetë amerikanët për hyrjen në NATO. “Kjo heshtje nuk është e rastit. Ftesës për anëtarësim në dt. 3 prill, z. Rama iu përgjigj me mitingun e protestës më 4 prill, në të cilin u manifestua me slogane dhe flamuj të dalë boje dhe me portrete të Enver Hoxhës, por me asnjë flamur të NATO-s. Në shtator të këtij viti, kur në një akt të jashtëzakonshëm, Senati i Shteteve të Bashkuara do të votonte në unanimitet Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, z. Rama do të transformonte vdekjen aksidentale në vrasje dhe në një akt makabër do të thërriste një miting proteste për të manipuluar me vdekjen e një njeriu. Gjatë tetorit, muaji që presidenti Bush do të firmoste ligjin e Senatit për anëtarësimin e Shqipërisë, z. Rama do të nxiste mediet e tij dhe të gjitha lidhjet me krimin për të mashtruar shqiptaret me të ashtuquajturën çështja “Fazlliç”. Akoma më keq, do të sulmonte ish-Këshilltarin më të Lartë për Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që nga ngjarja e 11 Shtatorit, z. Tom Ridge. Për më tepër, do të festonte në mënyrat nga më të ndryshme, 100-vjetorin e diktatorit më të tmerrshëm të shqiptarëve dhe Evropës, atë që bota sot e cilëson si Hitleri i Ballkanit. Me pinjollë të tjerë si vetë ai, z. Rama do të nxirrnin nga arkivat filmime të vjetra ruse që të sulmonin kohërat barbare të etërve të tyre, ndërsa sot vendos censurën në shtypin e tij”, - tha Bogdani.