E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Në rrethe nuk ofrohet as shërbimi minimal shëndetësor

Nga Rildo Ngjela

Një nga mjeket më me përvojë të QSUT dhe ministrja aktuale e Shëndetësisë, Anila Godo, flet ekskluzivisht për gazetën “TemA” rreth problemeve më të mëdha të shëndetësisë në vend. Duke iu referuar mungesës së ilaçeve, gjendje në të cilën ajo mori në dorë dikasterin, Godo shprehet se të gjitha etapat e proceseve të tenderimit e të prokurimit do të bëhen në afatet e kërkuara kohore. Megjithatë, sipas saj, ende nuk mund të flitet për plotësimin 100% të nevojave, duke qenë se edhe buxheti është i kufizuar dhe kjo detyron të gjithë të maten fort për çdo lek.

Gjithashtu, në intervistën e mëposhtme Godo ka shpjeguar edhe marrëdhëniet shumëvjeçare të saj me Drejtoreshën e Përgjithshme të QSUT, Gjeorgjina Kuli...

Zonja Godo, në vetëm pak kohë që drejtoni dikasterin e Shëndetësisë keni bërë ndryshime thuajse rrënjësore në stafin e ministrisë dhe institucioneve që varen prej saj. A mendoni se ndërrimi i stafit do të ndikojë negativisht në cilësi dhe do të ngadalësojë reformat, ndërkohë që ju nuk keni kohë për të humbur?

Është e vërtetë se ndërrimi i shpeshtë i stafeve nuk është në të mirë të punës, cenon vazhdimësinë dhe krijon njëfarë çoroditjeje fillestare të natyrshme. Nga ana tjetër, në disa raste bëhet i domosdoshëm, kur punët nuk kanë shpresë të ecin mirë. Duhet gjetur balanca e në rastin tonë më rezultoi një ndërhyrje më se e domosdoshme.

Keni punuar prej shumë vitesh me drejtoreshën aktuale të QSUT, Gjeorgjina Kuli. Përveçse e keni kolege, çfarë ju lidh tjetër me të?

Një miqësi e vjetër, prej më se 15 vjetësh. Për mua miqësi do të thotë në radhë të parë konsideratë e thellë. Në çdo rast, kur zgjedh një mik, kërkoj ndershmërinë, zgjuarsinë, kulturën, aftësinë në të menduar, në shije, etj., pra një mënyrë të ngjashme të të parit të botës. Me Xhinën kemi gjetur te njëra-tjetra dëshirën për të forcuar miqësinë.

Pse zgjodhët të emëronit pikërisht një mjeke në krye të QSUT dhe jo një “menaxher”, siç ka propaganduar edhe kryeministri me ministrin tuaj paraardhës?

QSUT është për momentin e vetmja qendër universitare në vend. Kjo qendër duhet të përmbushë mirë të tria atributet e saj: diagnostiko-kurative, pedagogjike dhe shkencore, të cilat duhet të ecin natyrshëm, të gërshetuara e të koordinuara, për të qenë të sigurt në suksesin e të triave. Personi që duhet të udhëhiqte këtë qendër, duhet te ishte një personalitet me integritet profesional, pedagogjik e shkencor që të siguronte ecurinë e aktiviteteve në të tri drejtimet e mësipërme. Dr. Kuli i përshtatet më së miri. Drejtoresha po zgjedh staf të aftë edhe për financat. Në planet tona të afërta, jo vetëm për QSUT, por edhe për spitalet e tjera të vendit, është të përgatisim e të përsosim menaxherët spitalorë.

Pavarësisht se kohët e fundit është lënë disi nën hije, mungesa e ilaçeve përbën ende një problem tepër të madh, sidomos në qendrën më të madhe spitalore të vendit. Cili mendoni se është çelësi që i hap derën zgjidhjes së këtij problemi dhe a mendoni se do të arrini ta zgjidhni në kohë këtë çështje?

Mund ta ketë lënë disi në hije media, por ne na qëndron në mendje e mbi kokë tërë kohën. Çelësin e shohim në të qenit shumë të kujdesshëm në hartimin e kërkesave nga shërbimet e klinikat, mbi bazën e protokolleve të standardizuara në rang nacional (jemi duke punuar në këtë drejtim), në të qenit të shpejtë e energjikë, që të gjitha etapat e proceseve të tenderimit e të prokurimit të bëhen në afatet kohore të kërkuara. Megjithatë, nuk mund të flas për plotësimin në 100% të nevojave, duke qenë se kemi buxhet të kufizuar dhe kjo na detyron të matemi fort për çdo lek. Reforma spitalore që po ndërmarrim, të çon drejt decentralizimit të fondeve, që do të thotë çdo spital do të organizojë vetë të gjitha procedurat e sipërpërmendura. Them se kjo autonomi do nxisë punët për mirë.

Një tjetër problem është ai i korrupsionit, pra ryshfetet që mjekët marrin, fatkeqësisht i masivizuar. Ju keni shërbyer si mjeke për një kohë të gjatë dhe dini se cilat janë rastet, kur një mjek mund të abuzojë me pozicionin e tij. Cilat janë masat që do të merrni në këtë drejtim?

Nuk jam absolutisht dakord me ju, që marrja e ryshfeteve është një fenomen masiv. Duhen dalluar gjërat. Por ka një këmbëngulje të përgjithshme nga ana e qytetarëve për të paguar mjekun, infermierin e deri sanitaren, të shtyrë nga dëshira për një shërbim më të mirë. Është bërë zakon masiv që të tërë duan t’i japin diçka mjekut. Shpesh insistojnë në një mënyrë të padurueshme. Qytetarët duhet të besojnë që mjeku do iu shërbejë krejtësisht njëlloj, edhe sikur ata të mos i ofrojnë atij as edhe një karamele. Është një shprehje që ua kam thënë shpesh prindërve të pacientëve të mi. Këtu flas për shumicën e mjekëve, pasi diku mund të ketë edhe nga ata që shesin për të tyrin një shërbim që në fakt është i ofruar nga shteti. Kjo është më keq se vjedhje e zakonshme dhe unë ftoj të gjithë qytetarët dhe kolegët e mi të denoncojnë çdo fenomen të tillë. Asnjë mjek apo punonjës tjetër, që ushtron në sektorin publik, për asnjë lloj arsyeje, nuk ka të drejtë të vërë çmime e të nxjerrë në treg shërbime të ofruara nga shteti. Penalizimet do të jenë të rënda, në planin moral e profesional.

Javët e para si ministre jeni përballur menjëherë me një krizë ilaçesh dhe me 120 deri në 140 punonjës të QSUT për t’i pushuar nga puna, të cilët ishin emëruar në kundërshtim me ligjin, përpara se ju të vinit në krye të këtij dikasteri...

Kjo është ndër habitë e mia që nuk u gjej edhe ndonjë përgjigje. Nuk do mund të merrja qoftë edhe një person mbi strukturën e aprovuar nga qeveria, jo më 140 e më tepër. Janë paguar me rrogat e specializantëve, kur dihej se këta do vinin shumë shpejt. Aventurë që po i kushton shumë një numri të madh punonjësish. Na ka krijuar vërtet shumë shqetësim, jo vetëm se duhet gjetur një rrugëzgjidhje, por edhe se më të shumtit e tyre janë punonjës që jetojnë vetëm me atë rrogë të vogël...

Nuk është e lehtë t’u tregosh derën. Por, mbetet fakti që nuk mund të mbash në punë punonjës mbi strukturë.

Çfarë e shqetëson në mënyrë të veçantë zonjën Godo?

Shqetësimi im më i rëndë është gjendja e spitaleve, e qendrave shëndetësore në periferi, në rrethe e fshatra të largëta. E kam thënë edhe herë të tjera se një pjesë e mjekëve kanë braktisur qendrat e tyre të punës. Diku kemi sallën, por nuk kemi reanimatorin, kemi repartin e lindjes, por ka ikur obstetri. Në shumë qendra janë dëmtuar aparatet nga përdorimi i keq dhe lënia pas dore. Pra, në shumë raste nuk i ofrohet edhe shërbimi minimal gjysmës së popullsisë tonë që banon në fshatra. Masmedia dhe kritikët merren më shumë me spitalet e qendrat e mëdha, sepse aty jetojnë dhe vetë, por gjendja e shëndetësisë në brendësi të vendit mbetet ndër problemet parësore të ministrisë që drejtoj. Deri tani kemi qenë të impenjuar me problemin e kuadrit dhe ilaçet këtu në qendër, por tani është koha t’u drejtohemi rretheve me vendosmëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›