E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadik Kaceli i panjohur

Nga Dhurata Hamzai

Monografia e studiueses Eli Xoxa “Sadik Kaceli” (1914-2000), një rrëfenjë absolute mbi jetën, veprën, krijimtarinë dhe kohën në të cilën u ngjiz vepra e piktorit të shquar Kaceli, më parë se brendia e veprës, ka mbushur boshllëkun e madh që ekziston në bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat kombëtare, të monografive mbi jetën e artistëve shqiptarë. Kjo vepër ka qenë një nga më të mirëpriturat në promovimin e saj gjatë kësaj jave, shoqëruar me ekspozimin e veprave të Kacelit. Suksesi i këtij botimi u mirëprit nga kritika, artistët dhe media, madje ka shkaktuar edhe kureshtje të thellë, sepse për herë të parë vjen për publikun i plotë imazhi e njërit prej personaliteteve më të shquar të arteve pamore. Monografia e piktorit Sadik Kaceli është një gjest i çmuar që hedh dritë në rrugën e studimit të artit shqiptar, sepse studiuesja Eli Xoxa ka ditur të heq pluhurin me të cilin ka qenë mbuluar vlera të panjohura më parë të këtij autori, por edhe edhe ngjarje dhe vlera të tjera të traditës dhe aktit të krijimit gjatë shekullit që kaloi në Shqipëri. Për këtë gjest të saj, piktori i shquar Gazmend Leka shprehet se: “Me ndërgjegje të plotë autorja e kësaj monografie është rreshtuar tek ata shqiptarë që nuk e pranojnë se vendi i tyre është një vend miop e sklerotik, i cili nuk sheh e nuk mban mend dhe këtë e shfaq jo me fjalë, por me një vepër të tillë si Kaceli”. Studiuesja Eli Xoxa të gjithë monografinë e ka shkruar si rrëfim, kjo katërcipërisht është një çështje stili me të cilin ajo harmonizon të gjithë studimin mbi jetën e këtij piktori të madh. Kjo mënyrë rrëfimtare në përshkrimin monografik të jetës dhe veprës së autorit bëhet edhe shkak për zbulimin e suprizave, daljen në dritë të shumë gjërave të panjohura, që vjen nga prejardhja, tradita dhe kulturat që kanë ngjizur këtë krijimtari dhe talentin e tij. Kështu monografia shtrihet në rrafshe të gjera që dëshmon edhe një traditë kulturore shumë më të hershme se datëlindja e piktorit, që dëshmon një origjinë fisnike të një race shqiptare po aq fisnike, që na përfaqëson denjësisht përkundër paragjykimeve të hedhura sot në botë nga keqdashësit tanë. Por mbi të gjitha kjo lirshmëri shprehjeje në një studim të kësaj natyre na ndjell të marrim informacionin që na mungon në një rrugë jo të zorshme. Leximi na bëhet i këndshëm edhe prej mënyrës si studiuesja Eli Xoxa ka renditur fakte, ka zgjedhur dokumente nga të gjitha llojet e zbuluar në dosje personale, arkiva shtetërore dhe rrëfenja gojore. Gjithë ky material i pasur në pjesën dërrmuese i argumentuar me detajin pamor, na sjell përpara sysh një dokumentar të gjallë që shoqëron jetën dhe veprën e tij me lëvizje të imagjinatës si para kuadrove të një filmi.

Letërkëmbimi i Kacelit me piktorin e madh modern Henri Matisse

Dikush do të habitej po të dëgjonte tani se Eli Xoxa ka paraqitur në këtë monografi, ndër shumë faksimile të pasqyruara me kujdes, edhe një faksimile të një letre të shkruar nga piktori me famë botërore Henri Matisse. Është një përgjigje dinjitoze që ky piktor i madh i dërgon në atë kohë Kacelit, nëse duhej apo jo të niste studimet në kursin e tij. Letra në origjinal me firmën e piktorit të madh mban datën 12 prill 1936. “Me ndrojtje i shkrova letër Matisse-it për të më pranuar si nxënës. Përgjigjia ishte negative, por shumë e sjellshme dhe unë u ndjeva gjithsesi i lumtur që mora një përgjigje nga mjeshtri i madh. Megjithatë për arsye të ndryshme vetëm më 1936 munda ta shoh Parisin”, ka pohuar mjeshtri Kaceli. Ja përgjigja e Matisse-it: “I dashur zotëri. Më duket e arsyeshme t’ju këshilloj e t’ju adresoj tek zoti Andre Lhote, i cili ka një akademi të rëndësishme. Në të njëjtën kohë që po ju përgjigjem juve, po i shkruaj edhe Lhotit. Pranoni i dashur zotëri ndjenjat e mia më të shquara”. Ka qenë koha kur Kaceli përpiqet me të gjitha mundësitë që ka për të fituar një të drejtë studimi në Francë. Letra është ruajtur si e shenjtë deri më sot nga mjeshtri shqiptar i pikturës Sadik Kaceli dhe lexuesi e sheh atë të fotografuar bukur në faqet e këtij albumi. Çdo detaj, figurë, foto ka shoqëruar rrëfimin monografik, dhe ka një lidhje të përsour kompozicionale, për të cilën prof. Gazmend Leka pohon se: “Vepra ka strukturën e një kori ku janë të gjitha zërat, që lidhen më njëri-tjetrin si në një polifoni, ku herë del sipër rrëfyesi, herë të thënat e Kacelit, dhe herë zërat e atyre që shprehen për të. Dhe kjo polifoni ka një sfond të rëndësishëm: materialin fotografik shumë të pasur, qoftë edhe me dokumenta, me foto të jetës dhe kryesorja, me fotot e pikturave që përbëjnë fillin e Arianës në këtë udhëtim aspak të lehtë dhe i jep atmosferën e duhur për ta ndjekur me kureshtje”. Pra, Eli Xoxa ia ka mbrritur të sjellë, të pasqyrojë, me dinjitetin e një studiueseje të mençur, jetën e një piktori të traditës i cili jetoi në një një periudhë shumë të vështirë dhe të rrezikshme për artin. Ajo ka ditur të pasqyrojë dhe të mos ta mohoj faktin që piktori Sadik Kaceli qe bashkudhëtar i realizmit socialist, gjatë jetesës së tij në atdhe, në Shqipërinë komuniste, gjë që bie në kundërshtim me ëndrrat e tij të rinisë, kur në vitet ’30 që nga Shqipëria niste letrat e tij në Francën e largët, dhe i lutej mjeshtrit të madh të pikturës moderne Henri Matisse-it, idhtarit të rrymës foviste, që të mundej të bëhej nxënës i tij. Eli Xoxa e ka vështruar, parë dhe përshkruar nëpërmjet njohjes kritike ashtu si duhet veprën e Sadik Kacelit; si veprën e një autori që ka krijuar në periudhën e realizmit socialist, por që nuk i përkiste fare atij realizmi. Duke përfshirë tërësinë e tematikave, veprave, teknikave, portreteve dhe peisazheve, studiuesja Eli Xoxa zbulon brenda gjithë këtyre pikturën dhe kulturën e një rilindasi të mirëfilltë, që në vend të njeriut të ri, zbulon modelin dhe karakterin e jetësuar në një mendje dhe shpirt të jashtëzakonshëm human të burrit ose të gruas, ose të fëmijës. Asnjë nga portretet e shumta të Sadik Kacelit nuk i afrohet imazhit të njeriut të ri të diktaturës. Shihni portretet “Mixha me qeleshe dibrane”, “Fshatari”, etj, dhe do të vihet re që më parë këto janë kryevepra të pikturës shqiptare. Më tej në këtë album njihesh me vepra të tilla të paekspozuara ndonjëherë për publikun shqiptar, para demkracisë dhe pas saj. Ka me tej vepra të tilla ku një grua nudo në gjumë mban titullin “Odalisk alla Matisse”.

Filozofia e krijimit dhe sfidës njerëzore

Për kohën në të cilën krijoi Sadik Kaceli një nga miqtë e tij, i ndjeri Ramadan Sokoli, ka pohuar se “shumëkush, duke e parë Sadikun në aso rrethanash, me qëndrimin e tij stoik, buzagaz e të kthjellët, mund ta pandehte gjithmonë të kënaqur, ndërsa mua që e njihja mirë, më kujtonte vargjet e poetit Reinër Rilke:

“E madhe është vdekja

ne jemi të saj

me buzë në gaz”.

Të qenit i rezervuar ishte në natyrën e tij, pohon ndër të tjera studiuesja Eli Xoxa. Ajo shton se “çlirimi prej këtij kompleksi erdhi vetëm në dhjetëvjeçarin e fundshekullit XX, ku shkaku i vjetër i jashtëm nuk ishte më ai muri i pakapërcyeshëm e frenues. Por natyrisht fuqitë krijuese të tij nuk janë më ato të mëparshmet”. Studiuesja Eli Xoxa, duke prekur në monografinë e saj marrëdhëniet e Sadik Kacelit me artin në kohën e ndërrimit të faqes së historisë shqiptare, rrëfen një bisedë të piktorit që e ka bërë me të birin Buran Kaceli kur ky e shoqëronte për udhëtimin e tij në Romë pas fitores së demokracisë: “Por jemi! E pur si move! Shijo dhe hesht ! Luteri, në mos gabohem, e konsideronte njeriun si një gomar, të cilit pa dëshirën e tij i hyp në kurriz e Mira apo e Keqja, pashmangësisht! Po meqë njeriu nuk është, ose të paktën nuk dëshiron të jetë gomar, ka vetëm këtë mundësi: që në pamundësi për të mbajtur gjithmonë në kurriz apo në shpirt vetëm të Mirën, i ngelet të aspirojë të paktën tek ajo edhe me forcat që mund t’i mbeten deri në çastin e fundit! Nuk ka probleme njerëzore. Ka sprova njerëzore, ku kotësia e cila është gjithmonë artificiale, është balta e kalimit të kësaj prove. Sa më shumë baltë, aq më e vështirë rruga. Nuk ka shumë njerëz jeta e të cilëve është shembull për nga veprimtaria dhe rezultati i saj: në kohët e vjetra Muhameti dhe në kohën tonë Gandi.…”. Pra nga kjo rrëfenjë e vetë piktorit Sadik Kaceli zbulohet jo vetëm filozofia e jetës së tij, por edhe baza e filozofisë në të cilën është ngjizur vepra e tij. Rrëfenja të tilla ka disa në këtë vepër, të cilat rrëfehen dhe zbulohen për herë të parë nga studiuesja Eli Xoxa. Ajo me përzgjedhjen e saj për këtë artist, duket sikur ka çuar në vend një manifest krijues, le ta quajmë një amanet që nga rinia e piktorit Sadik Kaceli, thënë e kërkuar jo asaj, por të gjithëve: Arti nuk është monopol i një kombi, as i një klase shoqnore ose i një moshe madhore; ata që kanë prirje e ndjesi të holla, atyre që imazhinacioni dhe sensi i krijimit nuk u mungon bashkë me vullnetin e mirë, ata janë të privilegjuem të merren më art. (Sadik Kaceli Maj 1945). Këtë bindje e ka pasur që në rini, derisa ëndrrën për të studiuar në Paris e kthen në realitet.

Kaceli nis studimet në Paris ku ishin dhe 50 studentë shqiptarë

Në shtator të vitit 1936, Kaceli mbërrin në Paris. Atje takohet me disa studentë shqiptarë Ymer Dishnicën, Petrit Hoxhën, Kolë Papariston, etj. Studiuesja Eli Xoxa pohon se në atë kohë studionin në Paris 50 studentë shqiptarë në disiplina të ndryshme. Sadik Kacelit kujtimet e Parisit nuk i janë shlyer deri në fund të jetës së tij. Eli Xoxa i ka mbledhur me kujdes kudo ato kanë qenë. Nuk mungojnë në këtë monografi as emocionet e para të konkurimit, as konkurset ku Kaceli shpallej fitues në shkollën franceze, por fitimin material e merrte ai që dilte i dyti pas Kacelit dhe ai e rrëfen thjesht këtë detaj: “Ja që kështu ishte tradita franceze”. Bëhet fjalë për veprën “Nudo Burri” të cilën Kaceli e ka riprodhuar se origjinalja ka ngelur në katalogun e akademisë. Akademia ku Kaceli konkuroi dhe fitoi, quhej “Ecole Nationale Superieur des Beaux-Arts”. Nga 450 pjesëmarrësit, kanë dalë fitues vetëm 65 studentë për pikturë dhe skulpturë. Pedagogu i tij kryesor ishte Fernand Sabatte, ndër më të njohurit në rrethet artistike të Parisit, bashkëstudent me Matisse-in. Të dy bashkënxënës të piktorit të dëgjuar dhe pedagogut të madh, Gustav Moreau. Sabatte ishte anëtar i Institutit të Francës. Sadik Kaceli ishte i lumtur që rritej në klimën e të mëdhenjve, ku jo rrallë u shkruante miqve të tij për Matisse, Cezanne, Van Gogh, Gaugen etj. Asnjë nga këto fakte nuk i ka shpëtuar studiueses Xoxa dhe më herë pas here na duhet që jo vetëm t’i përmendim, por edhe të flasim me gjuhën e kësja monografie kaq të pasur. Kacelit iu dha mundësia ta shihte Parisin vetëm pas gjysëm shekulli, pas rënies së komunizmit. Në Shqipëri ka pasur të tjerë bashkëvuajtës. Që kur ishte student në Francë ai pati rast që gjatë një vizite në Firence të takonte një të ri shqiptar, të cilin ë beri mik përjetë. Ishte një i ri shqiptar i apasionuar pas muzikës, Ramadan Sokoli. Ai ndiqte studimet në Firence. “Me të e kam ndjerë veten mik si me asnjë tjetër”, thotë piktori. “ishte një nga ato miqësi që zgjatin tanë jetën. Banonim në një dhomë. Isha unë që shkova të banoja tek ai. Aty organizonin mbrëmje çaji me studentë të shkëlqyer italianë, sidmos me pianistë virtuozë. Ishte një shoqëri e zgjedhur artistësh ajo që më ofroi Ramadani. Ja kam dit për nder...Arrita të shoh mjaft gjëra të bukura, sidomos në muzikë, pasi qënlloi dhe muaji fiorentin”. Kush lexon mes këtyre rreshtave, sidomos këtyre të fundit, ku na shfaqet edhe një tjetër fenomen i panjohur, një pjesë nga një tjetër monografi e munguar, siç është ajo për mjeshtrin e madh të kulturës shqiptare, studiuesin e shquar Ramadan Sokoli, do t’i mbetet mirënjohës studiueses Eli Xoxa për punën e madhe që ka bërë, për durimin që ka treguar, dhe për modelin e bukur që po u lë të tjerëve në krijimin e librave monografik. Në këtë libër zbulon jo vetëm të panjohurat për Sadik Kacelin, por për të gjithë ata artistë që u sakrifikuan në kohën e diktaturës për artin, të cilëve diplomat e fituara në akademitë më të njohura të Botës u janë përdorur si mjet persekutimi në vendin e tyre të thyer keqas nga diktatura komuniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›