Shuhet Bashkim Gazidede
Ndërron jetë pas një sëmundje të rëndë, ish-kryetari i parë i shërbimit informativ të vendit, pas përmbysjes së regjimit komunist, Bashkim Gazidede. Z. Gazidede kishte kohë që kurohej për shkak të një sëmundjeje të rëndë, e cila dje përfundimisht e ka mundur atë. Bashkim Gazidede vinte nga një familje shumë e njohur e Dibrës, e cila gjatë periudhës së regjimit komunist ishte përndjekur. Zoti Gazidede ka qenë lektori i matematikës në Universitetin e Tiranës, përpara se ai të emërohej kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar të vendit.
Ngjarjet e tmerrshme të vitit 1997 e detyruan atë të largohej nga vendi. Administrata e re e ardhur në pushtet pas kryengritjes së atij viti e dënoi atë me burgim. Më pas gjykatat, të cilat më herët e kishin dënuar, e liruan atë nga të gjitha akuzat, duke e cilësuar të pafajshëm.
Z. Gazidede u kthye në Shqipëri në vitin 2005 dhe atë kohë u emërua nëndrejtor i Zyrës së Përgjithshme të Regjistrimit të Pasurisë. Sëmundja nuk e lejoi të punojë në atë zyrë, derisa ajo dje bëri të ndalet jeta e tij. Bashkim Gazidede studioi matematikë në universitetin e Shkodrës, të cilën e përfundoi me rezultate të jashtëzakonshme dhe pas përfundimit të tyre ai dha mësim në mjaft shkolla të rrethit të Dibrës. Në fund të viteve tetëdhjetë ai ishte lektor në universitetin e Tiranës, ku numërohet si ndër profesorët më të qashtërt të tij. Zoti Gazidede u la të jepte mësim për një kohë të gjatë në fshatra dhe jo në universitet, për shkak të biografisë së tij familjare, e cila ishte shumë e papëlqyeshme për regjimin komunist. Vitet nëntëdhjetë e dërgojnë natyrshëm zotin Gazidede në anën e forcave që kërkonin përmbysjen e regjimit komunist. Shumë nxënës të tij, shumë studentë të tij do të ruajnë paprerë si shumë të çmuar përkushtimin dhe zotësinë e tij. Të gjithë ata që kanë punuar me zotin Gazidede do të veçojnë përpos të tjerash ndershmërinë, të cilën ai e ka patur të çmuar.
Një grup politikanësh të së djathtës, por dhe intelektualë dhe figura të njohura të jetës publike përmes një notë- memorieje kanë nderuar figurën e Gazidedes.
“Pasditen e 25 tetorit 2008 u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, Bashkim Gazidede, një nga personalitetet e shquara të jetës politike shqiptare, ish-pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës që nga viti 1984, ish-deputet i Partisë Demokratike në parlamentin shqiptar në zgjedhjet e vitit 1992, drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar në vitet 1992-1997, nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në vitet 2005-2008. Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e vet më të dashur, miqtë dhe të afërmit humbën njeriun, të cilin do ta kujtojnë gjithmonë për virtytet e tij, shteti humbi një shërbëtor të madh e të përkushtuar, kombi humbi atdhetarin e flaktë dhe birin e tij të shquar”, - thuhet në këtë in- Memoriam. Më poshtë vijon lista e emrave të këtij in Memoriam:
Sali Berisha
Jozefina Topalli
Astrit Patozi
Ridvan Bode
Bujar Nishani
Fatos Beja
Halit Shamata
Jemin Gjana
Astrit Bushati
Leonard Demi
Xhovalin Kolombi
Prof. Niko Thoma
Gjergj Lezhja
Saimir Kodra
Ilir Rusmali
Enkelejd Alibeaj
Arben Qirjako
Naim Gazidede
Ilir Krosi
Natasha Shehu
Prof. Myqerem Tafaj
Hasan Halili
Simon Miraka
Prof. Petraq Petro
Prof. Omer Stringa
Prof. Agim Bardulla
Prof. Agim Kacanaj
Prof. Urim Bujari
Prof. Dhori Kule
Prof. Aleko Minga