Mediu ankohet te Flamuri për bezdinë që i krijohet avokatit të tij
Antena brenda familjes
Një alarm i madh plasi dje në zyrën e Flamurit pas fjalimit të doktorit në Kuvend. Pasi po akuzonte Edi Ramën se nuk ka përshëndetur firmën e Bushit për në NATO dhe që ka manipuluar me vdekjen e Trebickës, Berisha përmendi një prokuror që paska qenë pjesëtar i grupit Hakmarrja për Drejtësi, i cili paska thënë se nuk do ta njohin as ekspertizën e huaj.
Telefoni i parë që i ra Flamurit ishte nga Fatmir Mediu.
- Flamur ç’kemi? Si je vëlla? Kemi kohë pa folur...
- Mirë o Fatmir, ja ç’të kemi. Po dëgjoja këtë burrin...
- Po pra, se për atë të mora. Se s’dua t’ia them vetë në sy atij, se i ngelet qejfi. Tani kjo punë mbarë po shkon, hetimet po mbyllen dhe ai s’ka pse e acaron situatën. Unë e pyeta atë për avokatin, kur e mora....
- Jo mo s’tha gjë për ty, e kishte me prokurorinë...
- Nuk e di, se s’e dëgjova vetë, por ka thënë që një prokuror që ka qenë pjesëtar i Hakmarrjes për Drejtësi dhe ka ngulur këmbë që e di..
- Po e dëgjova.
- Shiko se këtë akuzë ai ia ka bërë rregullisht Adrian Vishës. Po tani unë Adrian Vishën e kam avokat. E hoqi Ina Rama për këtë shkak, ngaqë Berisha i tha që ka qenë pjesëtar i Hakmarrjes për Drejtësi. Mbeti pa punë. Më thanë që është avokat i zoti, se i njeh atë prokurorët dhe mund ta mbyllë çështjen. I shkova në zyrë. I thashë, doktor më duhet avokat Adrian Visha.
- Po ç’e do atë? - më tha.
- Ai ma rregullon këtë punë, i thashë. Ti e di që ata që janë në prokurori, janë enveristë dhe të Hakmarrjes për Drejtësi...
- Absolutisht po, - më tha.
- Adriani ma rregullon me ata, i thashë dhe s’del gjysmë llafi, as për mua, as për atë tjetrin...
- Tundi kokën në shenjë mirëkuptimi dhe më tha: “Merre. Si avokat ndoshta është i mirë”
- Ka dhe një problem i thashë. Ai nuk ka licencë avokati. Duhet ta marrë.
- Po të aplikojë ta marrë, - tha. Besoj se i plotëson kushtet.
- Kushtet i plotëson, i thashë, por koha nuk pret, më duhet pasnesër, se fillon çështja penale dhe duhet të regjistroj avokatin.
- Po mirë, - tha, - fol me Alibeajn se e zgjidh ai.
- Fola, i thashë, por thotë që doktori e ka akuzuar si pjesëtar të Hakmarrjes për Drejtësi dhe s’ia jap dot....
- Epo ç’të bëj unë, si prokuror kam thënë, jo si avokat..
- Bëji një telefon doktor i thashë, se e rregulloj unë pastaj. Ashtu bëri. I telefonoi Enkelejdit dhe i tha që “nesër t’i japësh licencën Adrian Vishës. E kemi ngatërru kot Enkelejd, - tha. - Nuk ka lidhje me Hakmarrjen. Ashtë djal i mirë”. Kam respekt për të. Ia bëri për 5 minuta Enkelejdi i shkretë, s’kam ç’i them. Tani se kush i ka thënë në telefon avokatit tim që ka sharë doktori në Kuvend prokurorinë e lidhur me Hakmarrjen dhe ai mendon se e ka prapë për atë. Të lutem, i thuaj doktorit mos ta përmendë më, se s’ka lezet.
- Mirë e ke ti, po kujt ia mban t’i thotë atij burrit këto gjëra?! Unë më mirë e marr vetë Adrian Vishën dhe i them se ai burri ka respekt të palëkundur për të dhe s’ka lidhje me Hakmarrjen.
- Atë ia them vetë unë, po them që doktori të mos e përmendë më atë punën e Hakmarrjes për prokurorinë, se vihet në siklet avokati im.
- E kuptova, - tha Flamuri. - Po nxitohet ai. Kështu ka vënë në siklet gjysmën e PD duke thënë që Bashkim Gazidede frenoi rebelimin komunist. Se gjyma e PD ka qenë me rebelet atëherë. Nxitohet ai, s’ke ç’i bën. Dhe Lul Bashës i kishte mbet qejfi, se ka pas vjehrrin me komitetet, ngaqë punonte te Vehbiu. Po s’ke ç’i bën, kështu e ka ai, nxitohet. Por e rëndësishme është që dikur e kupton dhe reflekton.