E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për pronën, plagosen dy gra

Autori i Lajmit: red.
Dy gra janë plagosur rëndë dhe dy persona janë vënë në pranga pas një koflikti për pronën. Ngjarja ka ndodhur në rrethinat e Durrësit ku janë plagosur Nurie Koçi dhe Majlinda Kërtali, të cilat janë dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që në prangat e policisë kanë përfuduar Ramazan Koçi, 26 vjeç, dhe Subi Brika, 22 vjeç.
Ngjarja
Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, rreth orës 16:00, në fshatin Rubjekë komuna Maminas. Burime nga policia bënë të ditur se Ramazan Koçi, duke qenë nën efektin e pijeve alkoolike, ka qëlluar me një pushkë në drejtim të banesës së Gëzim Koçit, ku për pasojë kanë mbetur të plagosura në pjesë të ndryshme të trupit (këmbë e krahë) shtetaset Nurie Koçi, 57 vjeçe dhe Majlinda Kërtalla, 28 vjeçe. Sipas të njëjtave burime, mësohet se të plagosurat ndodhen në spitalin rajonal, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja, sipas policies, ka ndodhur për motive pronësie. Pas njoftimit është bërë arrestimi i Ramazan Koçit dhe pas kërkimeve është bërë dhe kapja e Subi Brikës, i cili ishte fshehur në një banesë në Tiranë.
Arrestimi
Burimet nga uniformat blu të qytetit bregdetar bënë të ditur se arrestimi i të dyshuarve është bërë pasi kanë konsumuar veprat penale të “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, “armëmbajtje pa leje”, nga Koçi, ndërsa Brika akuzohet për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë janë kryer dhe veprimet hetimore për Hasan Koçin, 52 vjeç, dhe Elvis Koçin, 23 vjeç, pasi kanë kundërshtuar dhe fyer policinë, gjatë arrestimit të Ramazan Koçit.
Ndaj tyre rëndon akuza e “kundërshtimit dhe fyerjes për shkak të detyrës të punonjësit të policisë”.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›