Zgjedhjet e 8 Majit, hetim kreut të komunës Vllahinë për falsifikim
Vlorë- Kreu i Komunës Vllahinë dhe përgjegjësi i Zyrës së Gjendjes Civile në këtë komunë akuzohen për falsifikim të listave përfundimatare të zgjedhjeve lokale të 8 Majit 2011.
Prokuroria e qytetit të Vlorës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet në Prill të këtij viti pas padisë së shtetasit Gezim Hoxha, kandidat i grupimit politik“Aleanca për të Ardhmen”, në ngarkim të Sokol Hodaj, kryetar i komunës Vllahinë dhe Ariton Shoraj, përgjegjës i Zyrën e Gjendjes Civile të Vllahinës.
Teksa mbi ta rëndon akuza për veprat penale të Fallsifikimit të dokumentave dhe Shpërdorimit të detyrës.
Sipas prokurorisë pretendohet nga zoti Hoxha se në listat përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 08.05.2011 ‘është bërë pasqyrimi i të dhënave të rreme, duke shtuar në mënyrë fiktive emrat e rreth 424 (katërqind e njezet e kater) zgjedhesve, të cilët pretendohet se janë transferuar me vendbanim në Komunën Vllahinë, por qe nuk kane rezultuar ne listat paraprake te zgjedhesve’.
Kandidati për kreun e Vrahinës ka pretenduar se dokumentacioni i përdorur për rregjistrimin e këtyre shtetasve në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës Vllahinë është i falsifikuar pasi sipas tij këta shtetas nuk kanë patur dijeni fare për transferimin e tyre në rregjistrat e gjendjes civile të Vrahinës.
Prokuroria ka bërë me dije se ka rezultuar se një pjesë e personave që rezultojnë të rregjistruar në zyrën e gjendjes civile të Vllahinës nuk kanë patur dijeni fare për këtë proces. ‘Ndersa një pjesë e tyre kanë patur dijeni por nuk kanë plotësuar apo dorëzuar asnjë dokumentacion pranë kesaj zyre…, si dhe disa prej tyre kanë dorëzuar vetëm kartën e identitetit, por pa plotësuar asnjë dokumentacion zyrtar’.
Ndërkaq prokuroria e Vlorës njofton se në kuadër të hetimeve është kryer edhe një akt ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e tyre në Vllahinë. Në këto kushte Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar regjistrimin e këtij procedimi penal dhe kryerjen e hetimeve për sqarimin e plotë të rrethanave dhe pretendimeve të kandidatit për kryekomunar Hoxha. Ndërkaq Ariton Shoraj, përgjegjësi i gjendjes civile në Vllahinë është marrë në cilësinë e të pandehurit.
Dorina Bilbili/IDEA/