“Konflikti politik po e ndëshkon vendin, po largon statusin e vendit kandidat”

Kreu i LSI-së Ilir Meta, takim me strukturat në Komunën Ndërmenas në Qarkun Fier
“Nuk ishin të pakët ata të cilët paragjykonin se 1 milion shqiptarë do të qëndronin në vendet e Bashkimit Europian si azilantë kur të hiqeshin vizat për arsye të problemeve ekonomike që kanë në vendin e tyre. Megjithatë fakti është se në raport me të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, siç e tregojnë edhe vetë raportet e Komisionit Europian, qytetarët shqiptarë janë shembulli më i mirë i respektimit të detyrimeve ndaj Bashkimit Europian”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama zhvilloi një takim të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Komunën e Ndërmenasit në Qarkun e Fierit.
Në fjalën e tij në këtë takim Meta deklaroi se forcat politika shqiptare duhet të lënë mënjanë taktikat destruktive dhe të garantojnë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë model i shkëlqyer i demokracisë. Meta u shpreh i bindur që në këto zgjedhje Lëvizja Socialiste për Integrim do të konfirmojë përkrahjen në rritje dhe përkrahjen e jashtëzakonshme që ajo gëzon në të gjithë Qarkun e Fierit dhe në të gjithë Shqipërinë.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributet por edhe përgjegjësitë e çdo force politike përgjatë gjithë këtyre viteve në raport me të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Sipas tij është për të ardhur keq që konfliktualiteti politik po e ndëshkon vendin në raport me marrjen e statusit të vendit kandidat prej gati tre vitesh.
Sipas tij LSI shkon drejt 23 qershorit e bindur në suksesin e alternativës së saj sepse sipas tij LSI u konfirmua si një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit të vendit, si një faktor që ndikon për të përmirësuar klimën politike në vend dhe jo për ta helmuar atë, për të ndërtuar ura që bashkojnë dhe jo mure që ndajnë.
Ai deklaroi se është shumë e rëndësishme që qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë në një klimë sa më pozitive dhe inkurajuese për biznesin, në mënyrë që biznesi në këto kohë të vështira financiare të ketë më shumë kurajë dhe besim për të investuar, për të shtuar vendet e reja të punës, sepse përpjekja për ta shtrirë konfliktin politik edhe në raport me biznesin, dëmton interesat e vendit sepse dëmton mundësitë e qytetarëve për të pasur vende të reja pune. Meta tha se gjuha armiqësore që dëgjohet ndonjëherë nga politikanët është e gabuar. Sipas tij kur flitet për biznesin nuk kemi parasysh thjesht biznesmenët, por kemi parasysh impaktin pozitiv, social të punësimit dhe njëkohësisht edhe kontributin që jepet në rritjen ekonomike të vendit.