E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vlerësim për kontributin në evidentimin e vlerave kulturore të periudhave historike”

28-12-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani nderon me “Medaljen e Mirënjohjes”, autorë të veprave studimore e artistike kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë

Në atmosferën e festave të fundvitit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi dje
autorë të veprave studimore e artistike kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. 
“Në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në evidentimin dhe ngritjen e vlerave historike dhe atdhetare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë”, Kryetari i Shtetit shqiptar dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, Ndriçim Kullën, Romeo Gurakuqin, Visar Obrijan, Xhevahir Lleshin dhe Zeni Ballazhin Blendi Fevziun, Gëzim Hidrin, Helidon Xhixha, Ilir Ikonomin, Kai Roman Kiklasin, Moikom Zeqon, Artan Lamen. 
Presidenti Nishani shprehu vlerësimin personal, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë për një sërë personalitetesh të fushave të ndryshme, të cilët në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ofruan kontribute shumë të rëndësishme në evidentimin dhe prezantimin e vlerave kulturore të periudhave historike, të traditës së Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Mbi të gjitha, besoj që hapën një rrugë, nxitën në radhë të parë studiuesit, krijuesit, artistët, historianët të fillojnë të mendojnë më shumë për historinë tonë; për të evidentuar më shumë vlerat e kësaj historie; për t’u ofruar një informacion real, transparent, qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe miqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve mbi historinë e këtij vendi dhe kombi; mbi sakrificat, mundimet, kontributet dhe qëndrimet e personazheve, personaliteteve në periudha të ndryshme të historisë së vendit, duke e përcjellë kohën e shkuar e kontributet e së shkuarës, por edhe arritjet dhe mosarritjet e së shkuarës në realitetin e sotëm me qëllim për të pasur mundësinë më të mirë të reflektimit të përbashkët, mundësinë e njohjes reale të vetes sonë, të kombit tonë, të ecurisë sonë”, theksoi Presidenti Nishani.

Presidenti nderon Lazim Destanin me Urdhrin “Nderi i Kombit”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi dje zotin Lazim Destani me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetje të iniciativave me karakter kombëtar dhe krijimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në botë”.
Në ceremoninë e dekorimit të zotit Destani, morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe pjesëtarë të familjes Destani. Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen institucionale për zotin Lazim Destani, i cili me punën, përkushtimin, mençurinë dhe guximin e tij i ka dhënë një nder emrit ‘shqiptar’ sot në botë. “Për mua, si President i Shqipërisë, është një moment për të përcjellë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, vlerësimet, falënderimet për këtë kontribut, për këtë emër të mirë që ju keni ndërtuar për shqiptarët ku keni jetuar dhe punuar. Gjej rastin gjithashtu t’i shpreh falenderimet dhe mirënjohjen, për kontributin dhe për një gjurmë të rëndësishme që latë, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar në kryeqytetin tonë të përbashkët, në Tiranë”, vlerësoi ndër të tjera Presidenti Nishani.
Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Lazim Destani e falenderoi Presidentin e Republikës për nderimin e madh që i bëri personalitetit të tij, dhe solli në vëmendje fjalët e të atit të tij para se të nisej për kurbet në Gjermani.
“‘Biri im, paç rrugë të mbarë! Dhe po të lë një amanet. Ngado që të shkosh, gjithmonë kujto vendin tënd, sepse këtu do të kthehesh përsëri!’. Këto fjalë m’u ngulën thellë në mendje e në zemër dhe çdo gjë që bëra në jetë, e lidha me vendin dhe popullin tim. Urdhri ‘Nderi i Kombit’ për mua është dhe do të mbetet dekorata më e lartë, sepse e marr nga Shqipëria, e marr nga Presidenti i Republikës, nga populli, të cilët me krenari të madhe i takoj”, u shpreh Destani.
Lazim Destani është një biznesmen dhe filantrop nga Tetova, i cili është kontribuues për ndërtimin e Memorialit të Shqiponjës që u vendos në Tiranë, më 26 nëntor, në ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë dhe në 100 vjetorin e Pavarësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›