Konflikti, rrezikon miqësorja me Irlandën
Drejtorë të rinj, avaz i vjetër. Kjo është përmbledhja e zhvillimeve të fundit të një konflikti, që i ka rrënjët e thella në historinë e marrëdhënieve të viteve të fundit mes stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, por që po vë seriozisht në rrezik luajtjen e miqësores së 3 marsit Shqipëri-Irlandë e Veriut në tempullin e futbollit shqiptar.
KonfliktiKy konflikt është ringjallur ditët e fundit dhe është bërë publik dje nga drejtori i ri i stadiumit, Gazmend Sallaku. Ky i fundit pretendon se, edhe pse jemi rreth 72 orë para miqësoret me irlandezo-veriorët, kur duhet të ishin mbyllur të gjitha procedurat, ende nuk ka një marrëveshje mes FSHF-së dhe drejtorisë së stadiumit, për zhvillimin e kësaj ndeshjeje. “Deri në këto momente që ne po flasim, nënvizoi në orët e para të mbrëmjes së djeshme drejtori i “Qemal Stafës”, Sallaku, nuk kemi asnjë marrëveshje zyrtare me FSHF-në për luajtjen e miqësores së 3 marsit Shqipëri-Irlanda e Veriut. Unë i kam bërë të gjitha përpjekjet nga ana ime. Dy ditë pasi mora detyrën, duke qenë se isha në dijeni të përcaktimit të stadiumit tonë, si vendi ku do zhvillohej kjo sfidë, i kam ndërguar kërkesën FSHF-së për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Që nga ajo ditë e deri më sot, 4-5 kërkesa të tjera, të gjitha të protokolluara dhe akoma nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare”.
KontrataSipas drejtorit të ri të stadiumit, mes palëve nuk ka më një kontratë për zhvillimin e ndeshjeve të Kombëtares. “Kontrata e mëparshme ka skaduar më 31 dhjetor 2009, sqaron pasuesi i Perikli Dhales në këtë post. Dhe FSHF duhet të negociojë për kontratën e re, që ende nuk e ka bërë”. Këtë mosinteresim të FSHF-së, drejtuesi i lartë i “Qemal Stafës” e konsideron një indiferencë të theksuar dhe të pakuptueshme dhe shton më pas: “Unë po zbatoj vetëm ligjet, mbi të cilat funksionon sh.a. ‘Qemal Stafa’. Unë nuk kam çfarë oferte t’ju bëj atyre, ata duhet të bëjnë ofertë”.
FSHF-jaNdërkohë që nga FSHF ngrenë supet për deklaratat e drejtorit Sallaku, pasi sipas tyre, nuk ka asnjë pengesë për ndeshjen me Irlandën e Veriut. “Gjithçka është e mbyllur, nuk e kuptojmë pse drejtori i ri do të hapë një polemikë të tillë, kundërshtoi përgjegjësi i zyrës për shtyp, Tritan Kokona. Ne kemi diskutuar me ministrinë. Një përfaqësues i Federatës, që merret me marketingun ka diskutuar sot (dje) me drejtorin e stadiumit. Kështu që nuk ekziston asnjë çështje për stadiumin, gjithçka është e mbyllur, kështu që ndeshja do të luhet normalisht”.
Do luhet apo jo?Megjithatë, zhvillimi i ndeshjes vazhdon të jetë në pikëpyetje, pasi Sallaku këmbëngul dhe lë të nënkuptohet se pa një marrëveshje, ndeshja nuk luhet dot. “Edhe pse nuk ka një marrëveshje, i kemi marrë të gjitha masat për këtë miqësore. Stadiumi është i gatshëm, sot i japim dorën e fundit dhe pretendojmë t’ia kemi ndryshuar fytyrën e rëndë, që kishte marrë vitet e fundit. Ne si stadium kemi shumë dëshirë që ndeshja e Kombëtares të luhet këtu. Por unë funksionoj në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar dhe nuk mund t’i shkel ato”.
GjeneratoriNdërkohë, mësohet se ende ekziston një problem në lidhje me ndriçimin artificial të stadiumit. Transformatori i djegur, i cili prodhoi edhe skandalin e bujshëm të “Blackout”-it për ndeshjen Gramozi-Real Madrid, është ndërruar, por problemi ka mbetur te një gjenerator. “Për momentin i vetmi problem që kemi është ndriçimi artificial si stadiumit, ka zbuluar drejtori Sallaku. Kemi zëvendësuar vetëm transformatorin e djegur në ndeshjen Gramozi-Real Madrid, por nuk kemi gjenerator. Unë kam njoftuar ministrinë dhe FSHF-në për këtë. Duke marrë parasysh ‘Blackout’-in e para pak ditëve në të gjithë Shqipërinë, ne nuk mund të dalim garant për ndriçimin, nëse nuk do të pajisemi me gjenerator”, përfundon drejtori i stadiumit.
#