Rudi Vata: Nuk jam tërhequr nga gara
Kur mungojnë vetëm nëntë ditë nga Asambleja Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit, në ambientet sportive kanë qarkulluar spekulimet se Rudi Vata do të tërhiqej nga gara për presidentin e këtij institucioni. Megjithatë, ish-kapiteni i Kombëtares i ka hedhur poshtë të gjithë zërat, duke konfirmuar se do të jetë i pranishëm në hotel “Adriatik” në Durrës, për të garuar për kreun e “qeverisë” së top-këmbës. Për “Shqip”, 41-vjeçari deklaroi: “Nuk e di se kush i nxjerr këto fjalë, apo me çfarë qëllimi bëhen spekulime të tilla, por mohoj në mënyrë kategorike që të jem tërhequr nga gara për presidentin e federatës. Sot (dje) është shpallur zyrtarisht edhe nga Komisioni i Verifikimit kandidatura ime dhe mund t’ju them se Rudi Vata do të konkurrojë për të ndryshuar drejtimin e futbollit shqiptar dhe për ta ndihmuar atë të rritet”. Më tej, ai foli edhe për garën dhe për mundësitë për “kompromis” me kandidatin tjetër, Refik Halili, për të thyer presidentin aktual të FSHF-së, Armand Duka. Edhe pse ka theksuar se synon të bëhet numri 1 i institucionit që drejton futbollin, Vata ka lënë gjithçka të hapur në varësi të mënyrës si do të rrjedhin ngjarjet. “Unë synoj të marr drejtimin e federatës dhe kjo nuk diskutohet. Objektivi im është të bëhem president për të mirën e futbollit shqiptar. Futem në garë vetëm me këtë qëllim, megjithatë në rrugë e sipër do të shqyrtoj të gjitha opsionet dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj”, tha ish-mbrojtësi, që aktualisht punon si menaxher lojtarësh. “Nëse do të më duhet të bëj kompromise për të ndryshuar drejtimin aktual të FSHF-së, nuk e përjashtoj diçka të tillë. Por, theksoj qëllimin tim dhe faktin se çdo vendim do të merret më vonë, në varësi të situatave ku do të ndodhem, për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme”.
#