E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, rrugët kombëtare rrezikojnë bllokimin

Rrëshqitjet e dherave dhe reshjet e shiut dëmtojnë akset nacionale

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar rrëshqitje masive të dherave, si dhe shkatërrim serioz të asfaltit të rrugëve nacionale të Qarkut të Fierit. Specialistët shprehin shqetësimin se nëse nuk ndërhyhet në kohë, shumë shpejt akset kombëtare do të bëhen të pakalueshme. Ndërkohë rreziku i aksidenteve rrugore në Qarkun e Fierit shtohet çdo ditë e më shumë, për shkak të gjendjes infrastrukturore.

Situata

Rrugë të shkatërruara dhe tabela të zhdukura: kjo është pamja që të ofrohet në rrugët nacionale të Qarkut të Fier. Tre nga segmentet më të rëndësishme Fier–Vlorë, Fier-Urë Vajgurore dhe Ballsh–Tepelenë kanë përfunduar në një gjendje katastrofike. Ndërkohë që aksi Ballsh-Tepelenë mbetet problematik, pas shkarjeve të shpeshta të dherave. “Nuk është vetëm rruga tejet e amortizuar, por dhe gjendja reale e sinjalistikës. Duke qenë se ky segment rrugor është një nga më të vështirët, për shkak të kthesave të fuqishme dhe të rrezikshme, ne jemi munduar që herë pas here të zëvendësojmë tabelat që tregojnë pikat e rrezikut, por këto tabela zhduken brenda dy ditësh”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Mirëmbajtjes Rruga–Ura të Fierit, Moxart çela. Ai ka theksuar nevojën urgjente për ndërhyrje në këto akse rrugore. “Automjetet e tonazhit të rëndë që kalojnë në këto akse rrugore, përfshi këtu dhe automjetet që shërbejnë për ndërtimin e autostradave Fier-Vlorë dhe Levan–Tepelenë, kanë dëmtuar këto rrugë. Detyrimisht kërkohet një investim i menjëhershëm në të dyja këto akse rrugore, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i plotë i tyre”, ka thënë çela.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›