E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfuzion në veri

Strategjia për Veriun e Kosovës, e proklamuar me pompozitet nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, vazhdon të mbetet vetëm një plan në letër.

Edhe pse kanë qenë bashkautorë të kësaj strategjie, sipas Qeverisë, Zyra Civile Ndërkombëtare, por edhe EULEX’i, po e bojkotojnë zbatimin e saj.

Vetë Kryeministri Hashim Thaçi e ka konfirmuar mosmbështetjen e ICO’së dhe EULEX’it për zbatimin e Strategjisë për Veriun.

Deri tani si e arritur më e madhe e institucioneve për depërtim në veri konsiderohet stimulimi për mbjelljen e disa hektarëve tokë. Ndërkohë që Strategjia si synim thelbësor kishte vënien e rendit dhe ligjit në atë pjesë të Kosovës, e cila që nga paslufta dominohet nga strukturat paralele të Qeverisë së Beogradit.

Ylber Hysa, koordinator për zbatimin e Strategjisë, thotë për Express se ICO dhe EULEX pjesërisht janë duke bashkëpunuar me të dhe institucionet kosovare për implementimin e Strategjisë.

“Një pjesë e tyre ka bashkëpunim të përditshëm me neve. Besoj që problemi nuk është vetëm në mosbashkëpunim karshi meje apo neve, aq sa ka konfuzion mes shumë lojtarëve”, tha Hysa.

Sipas tij, problem tjetër gjithashtu është edhe dublifikimi i akterëve, mungesa e një gatishmërie dhe vizioni për të ecë përpara.

“Ka dilema se a duhet ndërmarrë diçka para apo pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka shtuar ai.

Por, a do të thotë kjo se deri pas vendimit të GJND’së nuk do të bëhet asgjë për zbatim të Strategjisë?

“Ne do të përpiqemi të bëjmë punë. Siç e dini, ne për çdo ditë bëjmë diçka. Nuk ka nevojë përkrahje për të mbjellë 100 hektarë tokë apo për të bërë pastrimin e varrezave”.

Por, për të adresuar çështje më strategjike. Hysa beson se duhet një sinergji e përbashkët. “Sa herë që kjo sinergji ka ekzistuar mes faktorit vendor dhe atij transatlantik, gjithmonë ka rezultuar me sukses në Kosovë, sikur në vitin 1999 apo në vitin 2008 kur është shpallur pavarësia”.

Por, se çka është bërë dhe çka është duke u bërë për vënien e rendit dhe ligjit në veri, për këtë Hysa thotë se duhet bashkërendim strategjik, i cili aktualisht, siç tha ai, po mungon.

Edhe Memli Krasniqi, Zëdhënës i Qeverisë, konfirmoi deklaratat e shefit të tij se deri tani ka munguar një dinamikë e punës së ICO’së si bashkëhartuese e Strategjisë për zbatimin e saj.

“Ne jemi të përkushtuar si Qeveri për implementimin e Strategjisë në pika të caktuara dhe fusha të caktuara. Por, që deri tash duket se kjo dinamikë e munguar nga ICO realisht paraqet një ngecje në realizimin e strategjisë”, tha ai.

Megjithatë, Krasniqi tha se qeveria nuk beson se ICO nuk do të vazhdojë në përkushtimet e shprehura më herët sa i përket strategjisë.

“Kjo është strategji e përbashkët e institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, dhe ne besojmë që karshi mandatit të tyre, ata do t’i përmbushin obligimet që i kanë”.

Në anën tjetër, përfaqësues të ICO’së dhe EULEX’it nuk pajtohen me konstatimet e qeverisë.

“Zbatimi i elementeve të qasjes gjithëpërfshirëse për Veriun e Kosovës tashmë është duke ndodhur. Për shembull, dihet mirë se një ekip përgatitor komunal për Komunën e re të Mitrovicës së Veriut është emëruar dhe është duke kryer punët e veta, me angazhimin e përditshëm të ICO’së dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Tenderi për zyrën e bashkësisë lokale është shpallur. Ndërsa hollësitë e mbetura, që lidhen me grupet punuese të paralajmëruara nga Qeveria, janë në diskutim e sipër. Të gjitha këto për ne janë tregues se po bëhet progres në veriun e Kosovës”, tha për Express Andy McGuffie, Zëdhënës i ICO’së.

Puna e ICO’së me Qeverinë e Kosovës, sipas McGuffie, vazhdon normalisht në të gjitha fushat.

“Për ne gjë e rëndësishme është bashkëpunimi i mirë sistematik dhe kjo po vazhdon në nivele të ndryshme. Në rastin e veriut të Kosovës, çdokush e di se kjo është një gjendje e ndërlikuar, e akumuluar për më shumë se 10 vjet. Ajo nuk do të sqarohet brenda natës, prandaj puna që bëhet në terren do të përcillet me durim”, ka thënë McGuffie.
Ndërsa në EULEX deklarojnë se ky mision nuk ka qenë bashkëhartues i Strategjisë, por vetëm është konsultuar gjatë draftimit të saj.

Blerim Krasniqi, Zëdhënës i EULEX’it, ka thënë të mërkurën për Express se objektivat e Bashkimit Europian dhe EULEX’it për veriun e Kosovës janë të njëjta si për tërë Kosovën dhe këto janë për të promovuar qeverisje të mirë, zhvillimin socio-ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe iniciativa lokale, duke kontribuar për një shoqëri të qëndrueshme dhe shumetnike.

“Status-quoja nuk është e qëndrueshme dhe për këtë arsye Bashkimi Europian është duke kërkuar mënyra pragmatike për të lëvizur gjërat përpara në të gjitha këto fusha, në përputhje me parimin bazë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe funksionimin e bashkëpunimit rajonal”, ka thënë si.

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, Krasniqi tha se BE ka vendosur të rrisë praninë dhe aktivitetet e veta në veri të Kosovës me themelimin e “Shtëpisë së BE’së”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›