Konfuzioni i Edi Ramës
Për më shumë se gjysmë shekulli psikologët janë marrë me gjurmimin e emocioneve kryesore njerëzore, që reflektohen sidomos në fytyrën e njeriut që i shpreh. Universalisht është nxjerrë formula me 6 emocione bazë, ose siç quhen ndryshe “Bigsix”: gëzimi, trishtimi, zemërimi, frika, habia dhe pështirosja. Në studimin e fundit të revistës prestigjioze amerikane “Neë Scientist”, klasifikimit të gjashtë emocioneve u është shtuar edhe një tjetër: konfuzioni. Natyrisht konfuzioni përbën një nga sentimentet që më së shumti ka pushtuar mendjen dhe zemrën e shqiptarit gjatë këtyre viteve të lodhshme të tranzicionit.Psikologu i njohur amerikan Dacher Keltner e përkufizon pështjellimin si “sinjale që të jep ambienti ku gjallon se ndofta informacionet janë të pamjaftueshme dhe kundërshtuese midis tyre”. Sinjalet e një konfuzioni në Shqipëri janë të shumta, duke filluar nga arkitektura urbane, ekonomia informale, duke kaluar më pas në cilësinë e arsimit shtetëror apo privat dhe duke mbaruar me politikën. Politika mbetet mbretëria e konfuzionit në Shqipëri. Madje së fundmi kemi një figurë politike që mbështjell në sjelljen politike dhe njerëzore të gjitha emocionet, ku në krye ka kurorëzuar “konfuzionin” si udhërrëfyes politik.Kuptohet vetiu se nga titulli mund ta keni kuptuar se cila është figura konfuzionale. Edi Rama sot për sot përbën epiqendrën e konfuzionin kaotik si skemë mendore dhe politike, në habitatin e demokracisë shqiptare. Ai përfaqëson një mënyrë të nisjes gjoja mirë e të përfundimit krejt keq e si mos më keq të shumë punëve që kanë të bëjnë me firmën e tij. Duhet thënë se Partia Socialiste pas largimit të liderit Fatos Nano ishte në dilemë për të ardhmen dhe praktikisht iu dorëzua pa kushte kryetarit të bashkisë Tiranë, që përfaqësonte gjeneratën e dytë të socialistëve. Mirëpo nga marrja e kryesimit të PS në vitin 2005 gjer më sot shumë gjëra kanë ndryshuar; pasi risia politike Edi Rama solli është në kohë një mekje degjeneruese, nga gjenerues idesh është kthyer në një burim shterues konfliktesh. Sot politika e re e instaluar këmbëkryq në PS është shndërruar në anonimitet, pasi politika nuk bëhet vetëm konferenca për shtyp ku lexohet një gjysmë faqe hartim. Egocentrizmi i tepërt, për të mos thënë vanitoz, e shpuri në zgjedhjet parlamentare pa program, pa ide, pa alternativa duke nxjerrë vetëm personalitetin e tij si garanci. Siç duket nga rezultati zgjedhor nuk paska qenë i mjaftueshëm, ç’ka bëri që edhe pesha specifike e opozitës të ulej ndjeshëm, madje sot me plot gojë mund të flitet për një dietë anoreksike të PS-së, një shformim të personalitetit të saj opinionbërës. Driblimi i ofertave të qeverisë për të hyrë në kuvend nuk do të vijojë deri në pafundësi, meqë brenda vetë PS-së ka lojtarë që duan ta luajnë ndeshjen e tyre politike, për shembull Blushi, Harasani, Bello, Islami, Manjani, Lame dhe një minorancë tjetër të heshtur deputetësh (siç tha Blushi), që s’kanë për ta pasur më fatin ta luajnë rolin si politikanë të një legjislature.Megjithatë absurdi Beckettian që ka kapluar shefin e opozitës shqiptare duke pritur “fatkeqësitë” për të bërë politikë tregon se sa largpamësi ka si drejtues dhe më pas si administrator i një pasurie intelektuale brenda PS-së. Nuk është e çuditshme të shikosh se si njerëzit që mendojnë me kokën e tyre në Partinë Socialiste janë anashkaluar nga vendimet kryesore. Pjesa më e madhe e atyre që dalin në konferenca shtypi janë “aparatçikë” ose/dhe qeliza imituese të Edi Ramës, pra as më pak e as më shumë shtojca të mendimit të tij “përtej të majtës dhe të djathtës”....