Nën hijen e Kingut
Martin Luther King, qysh në vitin 1964 kishte parashikuar se SHBA-ja shumë shpejt do ta zgjedhë një president me ngjyrë. Përkundër faktit se Barack Obama u bë Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së, afroamerikanët edhe sot e konsiderojnë Kingun më inspirues sesa atëNjë fjalim në njërën anë të Kompleksit Kombëtar në vitin 1963 dhe inaugurimi në anën tjetër, në vitin 2009 - pra, tranzicioni nga Marthin Luther Kingu deri te Presidenti Barack Obama, për shumë amerikanë me ngjyrë nga epoka e Kingut ishte përmbushje e shpresës së një gjenerate. Një vit më vonë, në momentin kur SHBA-ja shënon ditëlindjen e Kingut, viti i vështirë politik për Obamën me gjasë i ka zbehur emocionet e asaj dite. Dhe, për disa amerikanë të rinj me ngjyrë, ndryshimi i imazhit për kryesimin nga ana e personave me ngjyrë, nga prifti i prindërve të tyre deri te presidenti i tyre, nuk ka qenë aq i lehtë sa kanë menduar. James Mays, një 18 vjeçar nga Dallasi, mund të jetë përfaqësues i gjeneratës së Obamës - i ri, me njohuri politike dhe i lindur dekada pas vdekjes së Kingut. Megjithatë, ai identifikohet më shumë me Kingun. “Kam ndjenjën se Kingu ka qenë martir. Ai e ka ditur se do të vdesë për çështjen e tij. Kjo është trashëgimia që ka lënë ai”, thotë ai. Obama nuk mund ta zërë vendin e tij, shton. “Nga opinioni publik ai vlerësohet si Kingu ynë i kohës moderne. Por ai është i përqendruar në udhëheqjen e Qeverisë, e jo në ndjekjen e një agjende të caktuar. Kingu ishte i përqendruar në lëvizje”, nënvizon Mays. Sophronia Pye, 25 vjeçare, është e mendimit se Obama do ta zërë një vend më të lartë në histori, si Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA’së, por shton se për të Kingu është më inspirues. “Kingu ka pasur shumë më tepër vështirësi sesa Obama. Kohët kanë ndryshuar. Sa i përket Obamës, ai është shumë më i pranuar se që ka qenë Kingu. Prandaj, Kingun e respektoj më shumë se Presidentin Obama”, thotë ajo. Kingu e ka vlerësuar rëndësinë e fitores politike të afroamerikanëve dhe kishte paralajmëruar se ajo do të arrihet gjatë kohës sa ai të jetë ende gjallë. “Jam tejet optimist sa i përket ardhmërisë. Duke u bazuar në këtë, ne ndoshta do të jemi në gjendje të nxjerrim një president me ngjyrë gjatë katër dekadave të ardhshme. Mendoj se kjo do të ndodhë brenda 25 viteve, apo edhe më herët”, kishte deklaruar King në intervistën dhënë BBC-së në vitin 1964. Shumë aktivistë veteranë për të drejtat qytetare kanë tërhequr një paralele mes luftës për të drejtën e votës dhe zgjedhjes së Obamës President. “Gjaku i derdhur në Selma dhe Mississippi, por edhe në pjesët tjera të Jugut, si dhe lufta për të drejtën e votës, janë pjesë të historisë e cila mundësoi që sot të kemi një Barack Obamë”, deklaroi prifti nga Dallasi, Peter Johnson, i cili ka qenë bashkëpunëtor i Kingut.“Udhëheqësit afroamerikanë sot nuk kanë nevojë të përballen me kundërshtimet me të cilat është përballur Kingu. Racizmi sot është një dukuri shumë më e margjinalizuar se sa që ka qenë në kohën e Kingut”, shton ai. “Shumë afroamerikanë të rinj e shohin Kingun si një njeri që ka pasur një ëndërr. Në thelb, kjo është e tëra ata që dinë për të”, thekson Johnson. Një nga çmimet që paguan funksioni më i fuqishëm në botë është edhe monitorimi dhe gjykimi i punës së presidentit, madje edhe nga ithtarët. Disa udhëheqës me ngjyrë kanë theksuar se është qesharak qëndrimi se Obama është Presidenti i parë me ngjyrë i SHBA’së dhe se për këtë arsye organizatat e amerikanëve me ngjyrë duhet të përmbahen nga kritikat në adresë të tij. Edhe vetë Obama ka theksuar se asnjë president nuk është imun ndaj kritikave. Johnson thotë se mbështetja e Obamës për opsionet ushtarake bie ndesh me filozofinë paqësore të Kingut. “King e ka kuptuar se lufta në tërësi është në konflikt me testamentin e ri. Qartazi shihet se Obama nuk është aq sa duhet i mençur, apo nuk e posedon guximin për t’i ngritur këto dilema të vështira”, theksoi Johnson. Mays thotë se Obama nuk i ka inspiruar afroamerikanët aq sa kishte shpresuar ai. “Jam i dëshpëruar ngase kam ndjenjën se mund të bëhet më shumë. Aktualisht nuk shoh ndonjë motivacion në radhët e komunitetit tonë dhe Obama mund të bëjë diç për ta ndryshuar këtë”, tha Mays. Pye shprehet se Obama për të është sikur çdo politikan tjetër. “Obama është President, por ne kemi pasur shumë presidentë”, tha Pye. Megjithatë, realizimi i parashikimit të Kingut për një president me ngjyrë ka gëzuar shumë amerikanë me ngjyrë. “Zoti më ka lejuar që të jetoj aq gjatë, sa për të parë Obamën. Për mua kjo është një gjë e shenjtë. Kam disa miq të mi në varreza, të cilët kanë vdekur për të drejtën e votës”, tha Johnson....