Kongresi Amerikan miraton reformën për sistemin financiar
Dhoma e përfaqësuesve në Kongresin Amerikan miratoi legjislacionin e ri rregullator për mbikqyrjen e sistemit financiar. Miratimi i Aktit për Reformën e Uoll Stritit dhe Mbrojtjen e Kosumatorit me 223 vota pro dhe 202 kundër, vjen pas muaj të tërë negociatash mbi rregullat e reja që synojnë shmangien e një tjetër krize financiare. Në bazë të këtij legjislacioni do të krijohet një Agjenci për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit, e cila do të mbikqyrë kartat e kreditit, kreditë e shtëpive dhe produkte e shërbime të tjera financiare. Republikanët e kundërshtuan njëzëri legjislacionin, duke thënë se ai do të pengonte rritjen ekonomike, rriste pa nevojë koston e industrisë financiare, dhe do të çonte në humbjen e më shumë vendeve të punës në një periudhë recesioni.