Kongresi amerikan me marrëveshje për buxhetin
Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka përshëndetur marrëveshjen e udhëheqësve të Kongresit, e cila shmangu mbylljen e shërbimeve qeveritare, duke thënë se "amerikanët që kanë besime të ndryshme u bënë bashkë".
Obama tha se disa shkurtime do të jenë të dhembshme, por shtoi se Shtëpia e Bardhë i ka mbrojtur projektet prioritare të saj.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Bohner, raportoi për arritjen e marrëveshjes dy orë para afatit të fundit, pas të cilit qeveria amerikane do të duhej të ndërpriste një pjesë të madhe të aktiviteteve.
Senati ka miratuar fondet e përkohshme dhe marrëveshja po i paraqitet me shpejtësi Dhomës së Përfaqësuesve për miratim.
Votimi për buxhetin e plotë pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.
Bohner tha se kjo ishte një betejë e gjatë, por më e rëndësishme është të mbahen të ulëta shpenzimet për të krijuar një mjedis më të mirë për hapjen e vendeve të reja të punës.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Herry Ried, tha se kompromisi ishte i vështirë, por i rëndësishëm për vendin.
Ai tha se popullit amerikan i duhet të bëjë zgjedhje të vështira, por po ashtu edhe ligjvënësve.
Pa arritjen e marrëveshjes, 800 mijë nga 1.9 milionë punonjësit e qeverisë federale do të largoheshin nga puna dhe fondet për trupat me shërbim aktiv do të pezulloheshin.