E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, nis "fshesa" në PD, ikin humbësit nga strukturat

Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Korça, qytetet ku do ketë rifreskim strukturash. Të enjten kryesia
TIRANË- Shumë shpejt do të nisë "fshesa" në Partinë Demokratike. Pas gati një viti nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore, Partia Demokratike do të nisë procesin e reformimit të saj, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, i cili do të shoqërohet me zgjedhje të reja në degët kryesore të PD-së. Ndonëse shumë është folur për reformimin e partisë dhe shumë pak është bërë në këtë drejtim, viti 2008 do të shënojë për Partinë Demokratike një erë ndryshimi, reformim dhe zhvillim të zgjedhjeve të reja.
Fillimisht, reformimi do të nisë me një proces analize dhe më pas do të nisë zhvillimi i zgjedhjeve të reja. Në këtë proces zgjedhjesh të reja do të përfshihen një pjesë e mirë e degëve të PD-së, bashkë me strukturat e tyre, duke nisur që nga kryesitë e nëndegëve, kryetarët e nëndegëve, por edhe vetë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike. Madje, për këtë arsye Partia Demokratike do të mbledhë ditën e enjte, në orën 19.00 të mbrëmjes, Kryesinë Qendrore të saj, e cila do të diskutojë dhe vendosë mbi mënyrën se si do të procedohet për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, degët që do të përfshihen nga këto zgjedhje, si dhe mjaft çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin e partisë dhe përgatitjen e saj për në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Lajmi për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në mjaft degë të Partisë Demokratike, sidomos në ato ku të djathtët humbën në zgjedhjet vendore, bëhet i ditur zyrtarisht nga selia blu për "Shekullin". Sipas burimeve, procesi i zgjedhjeve do të nisë shumë shpejt dhe nga ai nuk do të përjashtohen as degët e mëdha, si Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani apo Korça.
Mandati i kryetarit
Por, zgjedhje të reja nuk do të ketë vetëm në degët ku Partia Demokratike humbi në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit të vitit 2007, pasi ato do të shtrihen edhe në disa degë të tjera, ku ka mbaruar mandati i Kryetarit apo i Kryesisë, si dhe në ato degë ku mandati është në përfundim e sipër. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur për "Shekullin" se, fillimisht pritet të zhvillohen zgjedhjet në degët e PD-së në rrethe dhe në fund ato do të zhvillohen në degën e Tiranës, e cila ka 11 nëndegë. Mësohet se dega e Tiranës, e cila është më e madhja në të gjitha vendin, nuk do të bëjë përjashtim nga degët e tjera. Pas procesit të analizës, i cili do të konstatojë gjendjen e strukturave dhe problemet me të cilat përballen 11 nëndegët, PD-ja e Tiranës do të përfshihet në zgjedhje të reja, si për nëndegët, kryesinë e saj dhe kryetarin. Aktualisht, Partia Demokratike ka nisur fazën përgatitore të zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, e cila përkon edhe me zhvillimin e 17-vjetorëve të themelimit të degëve të PD-së në rrethe. Për këtë qëllim deputetë demokratë, anëtarë të Kryesisë së selisë blu dhe anëtarë të kabinetit qeveritar kanë nisur të zbresin në bazë, sipas përkatësisë së zonave të tyre elektorale.
Zgjedhjet e reja do të përfshijnë zgjedhje të strukturave të reja drejtuese, si kryetari i degës, Kryesia dhe kryesitë e nëndegëve
Degët kryesore të PD-së ku do të zhvillohen zgjedhjet
Tiranë
Durrës
Fier
Vlorë
Berat
Elbasan
Librazhd
Korçë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›