E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen rastet me meningjit, ministria mohon epideminë

Numri i të prekurve me meningjit arrin në 9 të prekur. Zv/ministri dhe mjekët pohojnë se nuk ka vend për panik
Ivanai: "Nuk ka rrezik, nuk ka alarm, nuk ka epidemi të meningjitit në Shqipëri. Janë marrë masat"
Rastet e shfaqura me meningjit në këtë fillim viti nuk përbëjnë rrezik për epidemi. Këtë e thekon zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanai, i cili thekson se edhe pse këtë vit ka shtimin të rasteve me meningjit situata nuk është alarmante. Gjithashtu, edhe mjekët e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nxitojnë të qetësojnë publikun se nuk ka vend për panik, për sëmundjen e meningjitit. Ndërkohë, Ivanai shpjegon të gjitha masat që po merr dikasteri i Shëndetësisë në lidhje me sëmundjen e meningjitit. "Nuk ka rrezik, nuk ka alarm, nuk ka epidemi të meningjitit në Shqipëri",- thekson Ivanai. Ndërkohë zv/ministri, Ivanai shpjegon masat që janë marrë deri tani nga strukturat e Shëndetësisë, për rastet e shënuara nga meningjiti dhe parandalimin e tij.
Meningjiti
"Nuk ka asnjë rrezik të shëndetit publik nga meningjiti". Të paktën kështu ka deklaruar zv/ministri i Shëndetësisë në lidhje me sëmundjen infektive të meningjitit, e cila po shënon çdo ditë raste nga rrethe të ndryshme të vendit dhe numri i të prekurve deri tani ka arritur në 9, vetëm për muajin janar. "Incidenca në Shqipëri është 10-15 raste të reja në vit. Aktualisht, janë 3 raste të konfirmuara dhe 4 rastet e tjera nuk janë me meningjit nga meningokoku. Me këto fakte mbetemi brenda limiteve dhe prezencës natyrale të sëmundjeve të meningjitit në vend",- pohon Ivanai. Ndërkohë edhe shefi i Spitalit Infektiv, Dhimitër Karaj thekson se nuk ka vend për panik dhe se numri i rasteve të paraqitura është problematik, por jo alarmante. Sipas tij, deri tani rastet e paraqitura me meningjit janë të tipit viral çka do të thotë se ky tip meningjiti nuk është i rrezikshëm për jetën. Ndërkohë Ivanai thekson se dikasteri i Shëndetësisë ka nxjerrë edhe një urdhër për evidentimin e të gjitha rasteve, jo se meningjiti do të përbëjë një prag epidemie, por duhet të identifikohet fakti nëse virusi është meningokok ose jo. Kjo, sipas tij, pasi meningjiti nga meningokoku është prezent në Europë në raste sporadike, një fenomen që praktikisht e ka edhe vendi ynë. "Incidenca në Shqipëri është 10-15 raste të reja në vit. Aktualisht janë tre raste të konfirmuara dhe katër rastet e tjera nuk janë me meningjit nga meningokoku. Me këto fakte, mbetemi brenda limiteve dhe prezencës natyrale të sëmundjeve të meningjitit në vend",- thekson Ivanai.
Masat
Lidhur me masat që merren ndaj meningjitit nga meningokoku, zv/ministri tregoi se, masat që merren në rastet kur zbulohet ky lloj virusi, është radikilimi i vatrës, që do të thotë dezinfektim i saj dhe trajtimin e personave që kanë qenë në kontakt me një person të sëmurë me meningjitin nga meningokoku. Këto masa, sipas tij, janë marrë deri tani nga strukturat e Shëndetësisë. "Gjithashtu ne kemi mundësi të porosisim vaksinë, por nuk kemi arsye, nuk kemi alarm",- shtoi Ivanai, duke sqaruar se vaksina për meningokokun ekziston për një nga llojet e tij. Ky lloj meningokoku, për të cilin ekziston vaksina, nuk është tipi për Shqipërinë. "Për një nga tipet që ekziston në vend, praktikisht nuk ka vaksinë akoma. Për njërën nga tipet, ka vaksinë dhe është i disponueshëm kudo në Europë. Por në asnjë rast nuk rekomandohet vaksinimi masiv i popullsisë",- shpjegon Ivanai.
Sëmundja
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz, që mund të mbarojë me vdekje, nëse nuk jepet shpejtë terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që t'u përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve dhe terapi tjetër mbështetëse.
Specialistët: Si transmetohet sëmundja dhe shenjat
Sipas specialistëve, situata bëhet problematike pasi sëmundja është infektive, çka do të thotë se është ngjitëse, duke u përhapur nga një person tek tjetri. Ndërkohë, specialistët e Shëndetit Publik shpjegojnë se "Meningokoku" ka potencialin të shkaktojë shpërthime epidemike dhe ndaj saj duhet treguar kujdes maksimal. Kështu, ata shprehen se kjo sëmundje transmetohet nga njeriu tek njeriu, përmes spërklave dhe sekrecioneve të fytit dhe të hundës (nazofaringeale). "Shenjat më të zakonshme të infektimit të meningjeve nga meningokoku, janë temperaturë e lartë, dhimbje koke e vazhdueshme dhe ngurtësim i qafës",- pohojnë specialistët, duke shtuar se kjo sëmundje sjell edhe shenja të tilla, si konfuzion mendor, ndjeshmëri e shtuar ndaj dritës dhe të vjella. Një shenjë karakteristike e infektimit nga meningokoku, po sipas specialistëve është shfaqja e petekieve, që janë njolla të vogla të kuqërremta në lëkurën e trupit. Ndërkohë specialistët shpjegojnë se për të dalluar nëse njollat zbehen nga shtypja, rekomandojnë kryerjen e një teknike të thjeshtë në kushte shtëpie. "Vendosni një gotë qelqi mbi njollën e shfaqur në lëkurë dhe ushtroni pak shtypje. Nëse njolla nuk zhduket, atëherë konsiderojeni petekie dhe në rast se keni ndonjë nga shenjat e mësipërme, dyshoni për meningjit, si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët",- pohojnë specialistët.
Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse vëreni shenjat e mëposhtme:
•Temperaturë e lartë e shoqëruar me:
•Dhimbje të fortë dhe të vazhdueshme të kokës dhe të vjella.
•Ngurtësim i qafës
•Njolla në lëkurë, të cilat nuk zbehen nga shtypja.
Marie Reka nga Durrësi humbi jetën pasditen e djeshme, pa reaguar ndaj terapisë. Mjekët: Nuk vdiq nga meningjiti
Mjekët e Durrësit e transportuan në Tiranë, me shenjat e qarta të sëmundjes së meningjitit. Dy ditë për analizat
Vdes 55-vjeçarja, u transportua në Tiranë për meningjit
Tiranë-U soll me urgjencë në Tiranë nga spitali i Durrësit me shenjat tipike të meningjitit, por nuk ka mundur të mbijetojë. Gruaja 55-vjeçare, Marie Reka ka ndërruar jetë pasditen e djeshme në Spitalin Infektiv të kryeqytetit, duke mos dhënë asnjë reagim nga trajtimi intensive që i bënë mjekët specialistë. Edhe pse nga mjekët e Durrësit ajo u transportua me dyshimet e qarta për prekjen nga meningjiti, mjekët e Infektivit në Tiranë deklarojnë se pacientja nuk ka vdekur nga kjo sëmundje. Sipas burimeve zyrtare nga spitali, ku humbi jetën gruaja, mësohet se nga një ekzaminim i shpejtë që iu bë lëngut të trupit nuk rezultoi të ishte meningjit. "Megjithatë, për këtë do të bëhen analizat e plota dhe për këtë duhen dy ditë",- thonë mjekët.
***
Sipas mjekëve të Infektivit janë marrë kampionet për analizat. "Kemi analizat për mbjellje dhe vetëm pas kësaj do të thuhet shkaku i vdekjes së 55-vjeçares",- thonë mjekët. Ata sqarojnë se pavarësisht se u fut në trajtim intensiv, gruaja nuk dha asnjë shenjë jete. Mësohet se ajo mbërriti nga Durrësi në gjendje shumë të rëndë dhe kritike për jetën. Në Tiranë, sipas mjekëve të Infektivit, pacientja nga Durrësi erdhi në gjendje shoku, pa puls fare, pa tension dhe me vuajtje multiorganore. Sipas tyre, gruaja kishte dëmtime të trombociteve dhe mpiksje të gjakut. Ata saktësojnë se gjithçka kishte nisur si gjendje gripale, por që kishte shënuar një përparim të menjëhershëm, brenda 12 orëve. Ndërkohë në Tiranë është mbajtur në trajtim për 5 orë, por nuk ka mundur të rikthehet në jetë. Trupi do t'i nënshtrohet autopsisë, për të hedhur dritë mbi shkakun e vdekjes.
***
Rasti i gruas që humbi jetën shënoi rastin e parë të zbuluar në Durrës dhe të tetin në vend. Ajo ishte banore e Lagjes Nr.13 të qytetit. Sipas mjekut infeksionist, Izet Alia, gruaja Marie Reka u paraqit në Durrës në gjendje të rëndë. "Ky është rasti i parë që ne kemi zbuluar në Durrës, si të dyshuar për meningjit dhe menjëherë morëm masat që të bëjmë një trajtim të mirë të pacientes, por edhe masat parandaluese për të mbajtur nën kontroll personat e kontaktit dhe përhapjen e virusit",- thotë mjeku Alia. Mësohet se 55-vjeçarja, vetëm tri ditë më parë kishte qenë në Pukë, tek disa të afërm të saj. Ndonëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për mënyrën e marrjes së sëmundjes, mjekët deklarojnë se ka shumë gjasa që gruaja ta ketë marrë atë pikërisht nga kontakti me të afërmit e saj në Pukë. Zonë, ku fundjavën e shkuar u zbulua një rast me sëmundjen e meningjitit, tek një 18-vjeçare dhe pas kësaj, përfundoi në karantinë gjithë familja e saj.
***
Ndërkohë që gruaja u shoqërua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, grupi i mjekëve ndoqi nga afër situatën në terren. Sipas mjekut Alia është parë nga afër banesa e gruas dhe menjëherë është izoluar familja e saj. Ai sqaron se ndonëse pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë shfaqur shqetësime, pavarësisht se kanë pasur një kontakt direkt me të sëmurën, janë marrë masat për t'i paraprirë situatës. Kjo, për faktin e thjeshtë se sëmundja transmetohet fare lehtë, si një grip i zakonshëm mes kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit, përmes spërklave të pështymës e sekrecioneve. Në rast se familjarët shfaqin shqetësime, mjekët shprehen të përgatitur për t'i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. "Për momentin, familjarët mund të themi se janë duke u mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm mjekësor",- thotë Alia.
Djali, banor në të njëjtën lagje me 55-vjeçaren u transportua në Tiranë me shenjat e dyshimta të meningjitit
Durrës, një fëmijë 6-vjeç i dyshuar
Durrës-Në orët e mesditës së djeshme, në spital është paraqitur një tjetër rast me shenjat e dyshimta të meningjitit. "Në urgjencën e spitalit u paraqit gjatë orëve të mesditës një fëmijë 6-vjeç, që shfaqte shenjat tipike të sëmundjes, me temperaturë të lartë e dhembje të forta koke",- bëjnë të ditur burimet nga spitali i Durrësit. Sipas tyre, fëmija me inicialet F.M., është banor në të njëjtën lagje me 55-vjeçaren. "Djali po mbahet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që i është nënshtruar karantinës",- thonë mjekët, të cilët nuk dinë të thonë me saktësi nëse ky është një rast tjetër i sëmundjes. "Për momentin mund të themi se kemi të bëjmë me një rast të dyshimtë, nisur nga simptomat që shfaq fëmija",- thonë mjekët, që garantojnë se gjithsesi për të janë marrë masat trajtuese sikur të ishte i prekur. Fakti që ai është në një lagje me pacienten e sëmurë, ka shqetësuar banorët e lagjes në Durrës, të cilët i tremben tashmë mundësisë së përhapjes së meningjitit nga njëri tek tjetri.
PRECEDENTËT
Pogradec
Për herë të parë për këtë vit sëmundja e meningjitit është zbuluar në spitalin e Korçës, më datë 3 janar. Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe, dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, janë mbajtur gjatë këtyre ditëve nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali.
Delvinë
Rasti i dytë i sëmundjes së meningjitit është zbuluar në spitalin e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një vajzë 3-vjeçare, e cila mësohet se është prekur nga shkalla më e rëndë e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Trevjeçarja Eljana Alinani, banuese në qytetin e Delvinës, është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër dhe më pas është dërguar për kurim në kryeqytet.
Skrapar
Më datë 10 janar është shënuar një tjetër rast i meningjitit, i cili ka përfunduar tragjikisht. Anila Memushaj, 25-vjeçare, lindur në fshatin Kalanjë të Çorovodës, jetonte në shtetin grek, në lagjen "Gizi", pranë Kipselit, në Athinë ka vdekur nga meningjiti në Athinë teksa kurohej për grip të thjeshtë. Gruaja ishte shtatzënë dhe pas vdekjes, mjekët shqiptarë kanë vënë të gjithë fshatin në karantinë.
Pukë
Më 12 janar është shënuar një tjetër rast meningjiti dhe këtë herë në Pukë. Një 18-vjeçare, nxënëse në vitin e tretë të Shkollës së Mesme në Pukë, ka rezultuar e infektuar me mikrobin e meningjitit dhe është dërguar për ndihmë të specializuar në Spitalin Infektiv në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga spitali i Pukës, vajza e identifikuar me sëmundjen e meningjitit quhet Arjana Dunga dhe është 18-vjeç.
Tropojë
Në datën 13 janar shënohet një tjetër rast me meningjit në Tropojë. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Tropojë, Ramiz Kërnaja, 6-vjeçarja A.K., u paraqit në spitalin e Tropojës, ku u paraqit me meningo-koksemi dhe u përcoll në spitalin e Tiranës për shërim më të specializuar.
Burrel
Rasti tjetër i sëmundjes së meningjitit u shënua në Burrel. Sipas të dhënave nga spitali rajonal, me shenjat e sëmundjes u paraqit një burrë 35-vjeçar. Pacienti ishte nga Klosi dhe kishte pak ditë që shfaqte shqetësimet tipike të sëmundjes. Pas vizitës së parë dhe dyshimit, mjekët e transportuan në Tiranë.
Fier
I pari rast i meningjitit në Fier u konstatua në një fëmijë 3-vjeçar. Djali, pas një gjendjeje të zgjatur gripale, shfaqi njollat në lëkurën e trupit, fakt që i bëri mjekët rajonalë ta nisin me urgjencë drejt Tiranës. Nga spitali rajonal ai u dërgua në gjendje të rënduar shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›