E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i parisë së Margëlliçit, paraprin shpërnguljen e dhunshme të çamëve

Arkivat për Çamërinë/ Qeveria shqiptare në mbrojtje të çamëve
Shpërngulja e dhunshme e çamëve nga trojet e tyre drejt Shqipërisë, nga qeveria greke, shoqërohet me një fushatë të egër propagandistike për të ashtuquajturin "Vorio Epir", me synim zgjerimin e mëtejshëm të kufinjve në thellësi të territorit shqiptar. Veçanërisht, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, kjo fushatë e pati kulmin e saj në vjeshtën e vitit 1945. Ja si pohohet në një prej dokumenteve të arkivave shqiptare:" Për realizimin e pretendimeve të veta dhe për t'i paraprirë Konferencës së Paqes në Paris, Athina kishte vënë në lëvizje të gjithë arsenalin e vet politik, propagandistik dhe ushtarak. Komanda e lartë ushtarake e Epirit, më 20 shtator 1945, kërkonte me urgjencë nga komanda e xhandarmërisë së Janinës që të grumbullonte informata mbi numrin e burrave të aftë për luftë dhe të personave të arratisur nga Shqipëria në Greqi. Gjithashtu ajo rekomandonte që për këtë problem të aktivizoheshin edhe sillogjet vorio-epirote. Letra nënshkruhej nga komandanti i artilerisë Krisanthi Kopulos.(A.Q.SH. "Actes agressifs du Gouvernament monarcho-fasciste Grec contre L'Albanie, Tiranë, 1947, faqe 42. Teksti frëngjisht).
...Zbulimi Informativ Grek në krahinat e Shqipërisë së Jugut kishte aktivizuar elementë grekofonë antishqiptarë për të bërë propogandë antishqiptare... Qeveria shqiptare e ndiqte me vëmëndje dhe seriozitet të madh politikën e jashtme të Greqisënë lidhje me problemin çam e Shqipërinë... Në këtë kuadër, më 3 qershor 1946, Qeveria shqiptare u drejtoi një promemorie ministrave të Punëve të Jashtëme të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe, Shetteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës. Në 'të, ndër të tjera ajo nënvizonte:"Kufinjtë që iu imponuan Shqipërisë më 1913 prej Konferencës së Londrës, i linin Greqisë të gjithë krahinën e Çamërisë, që shtrihet nga gjiri i Prevezës deri në Kepin e Stillos, me një popullsi prej 60000 banorë.."(A.Q.SH., po aty). Në memorandum vihet në dukje se Qeveria greke nuk i është përmbajtur asnjë parimi ndërkombëtar për respektimin e minoritetit çam, u ka mohuar të drejtën e shkollimit shqip, ka kryer masakra ndaj popullsisë së pafajshme çame, i ka shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre etj... Njëkohësisht, shteti shqiptar, u kërkonte faktorëve ndërkombëtar të ndërhynin për rikthimin e popullsisë çame në trojet e tyre autoktone...
Kujtim Boriçi
Çamëria Nr. 14- 2
Ekskluzive/ Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi, jepen dëshmi e dokumenteve arkivore lidhur me qëndresën çame për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, masakrën ndaj parisë së Margëlliçit, lëvizjen për faljen e gjakmarrjes, si dhe pasojat e vrasjes së Jasin Sadikut.
Persekucioni shtetëror grek ndaj popullsisë së Çamërisë është i hershëm, por vitet 1925 deri më 1944, kur popullsia u masakrua e treva u boshatis, sipas arkivave e dëshmive, janë ndër më të vështirat.
Është mjaft e rëndësishme të shohim pak më afër qëndrimet e Kryeministrit të Greqisë ndaj ankesave çame, të paraqitura në memorandumin e datës 18 shkurt 1926. Pangallos, me sa duket reagoi menjëherë. Ai, më 27 shkurt të atij viti, i dha një intervistë të gjatë një gazetari shqiptar në Athinë, siç e kemi përmendur në kapitujt paraardhës, ku përmendi shqiptarët dhe çamët me fraza dashamirëse, ndërkohë sulmoi administratën lokale greke dhe qarqet shoviniste greke me fraza brutale e të ashpra, ("Gazeta e Korçës", 27 shkurt 1926).
Kryeministri grek, kundër dhunës ndaj çamëve
Ishte hera e parë në historinë e Greqisë, që nga viti 1913, që një Kryeministër grek të dënonte me aq vendosmëri agresionin barbar të një shteti ndaj një minoriteti. Dukej se në qeverinë greke, që drejtohej nga Pangallos, frynte një erë tepër e favorshme për minoritetin shqiptar çam. Ky qëndrim i ri i Athinës, i deklaruar publikisht, bëri që Pangallos të fitojë një admirim të veçantë në zemrat çame dhe, ndërkohë, çamët ngritën veshët dhe ndiqnin hap pas hapi se si do të rridhnin ngjarjet pas asaj deklarate të bujshme.
…Pangallosi, me gjithë vullnetin e mirë politik që kishte, ishte i pafuqishëm dhe kjo u pa kur kundërshtarët e tij politikë e përmbysën me një puç. Dhe kështu, pas përmbysjes së Pangallosit, situata në Çamëri u përkeqësua edhe më shumë dhe deklaratat e Pangallosit mbetën vetëm në letër dhe një dëshirë utopike e një Kryeministri grek të mençur e largpamës
Myslym Peza, miqësia e ditëve të vështira me çamët
Në vitet '30-të të shekullit të kaluar, Myslim Peza, me një rreth të ngushtë të njerëzve të tij, ndiqej nga qeveria e Zogut si kundërshtar politik. Midis grupit të të ndjekurve bënte pjesë edhe Shyqyri Peza, djali i xhaxhait të Myslymit. Shyqyri Peza, për t'u shpëtuar ndjekjeve dhe arrestimit të tij, shpesh lëvizte nga një krahinë në tjetrën, duke gjetur strehë e mbrojtje tek miqtë e tij të shumtë që kishte në Konispol. Pasi kishte arritur në Konispol, i rekomanduan që për t'i shpëtuar rrezikut të arrestimit, të kalonte në Çamëri dhe merret në besë nga Jasin Sadiku në Margëlliç.
"Nëse është vrasës e kriminel, duhet menjëherë të largohet e nëse ishte kundërshtar politik i qeverisë dhe njeri i ndershëm, bujrum në besën time",- është pohimi i mikpritësit para marrjes në besë.
Pezaku i përndjekur mbeti mik për kokë me again e Margëlliçit. Të afërmit e familjes së Jasin Sadikut dhe bijtë e tij, në vitin 1945, kur çamët kishin emigruar në Shqipëri, Shyqyri Peza e gjeti familjen e Jasin Sadikut, u ofroi ndihmën e duhur dhe kur mësoi se miku i momenteve të vështira të jetës së tij ishte vrarë nga grekët, u dëshpërua shumë dhe shprehu një keqardhje të thellë. Miqësia mes Myslym Pezës e familjes fisnike çame, vazhdoi gjatë...
Ekzekutimi i parisë së Margëlliçit
Më 12 janar të vitit 1942, në një kafene në qendër të pazarit të Paramithisë ndodhi një ngjarje tronditëse. Tofik Qemali, nga paria e Karbunarit dhe mjeku popullor Jahja Kasemi, nga Margëlliçi, dy nga krerët e zonës të sapokthyer nga internimi, kishin zbritur bashkë me shumë bashkëfshatarë të tyre në qytetin e Parimithisë, për të kaluar disa orë nëpër kafenetë e qytetit me miqtë e vjetër myslimanë e të krishterë, që për afro një vit e gjysmë internimi i kishin ndarë nga jeta dhe nga miqtë.
Jorgos Margaritis, ish-profesori i Universitetit në Kretë dhe historiani paramithiot, Spiro Muselimi, e përshkruajnë paksa kalimthi atë ngjarje të rëndë, vrasjen e Tofik Qamilit dhe Jahja Kasemit, dy prej figurave më të shquara të parisë së Margëlliçit e të Karbunarit, që tronditi si tërmet i fuqishëm gjithë zemrat e shqiptarëve të Çamërisë…
"Koço Nikolla nga Paramithia dhe Ilias Nikou nga fshati Monoliasa, vrasin dy çamët: Tofik Qemalin nga Karbunari dhe Jahja Kasemin, mjekun popullor…, për shkak se ata kishin sharë flamurin dhe kombin grek", (Spiro Mouselimi, Istorikoi peripatoi ana tin Thesprotian, vep. e përm, f.80).
E vërteta, sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore shqiptare, është ndryshe. Ajo ishte vrasje me qëllime të caktuara politike e qarqeve antiçame e antishqiptare në Greqi, që synonte një ringjallje konfliktesh të ashpra mes myslimanëve dhe të krishterëve dhe të lihej në mes të udhës, rruga e nisur për pajtim, nismëtarë të të cilit ishin edhe dy viktimat.
Si ndaluan çamët gjakmarrjen mes tyre
Në disa raste, qarqet e mësipërme kishin arritur të sillnin dhe konflikte të përgjakura mes çamëve myslimanë e të krishterë. "Në vjeshtën e parë të vitit 1942, në një përleshje midis myslimanëve dhe të krishterëve, vritet Spiro Ballumi, bashkë me një të krishter tjetër nga fshati i Popovës. Më pas çamët, në shenjë hakmarrjeje, vrasin dhe dy spathariotë të tjerë, atë e bir: Vasil Zaravuçin dhe të birin e pafajshëm 19-vjeçar, Kristovasil Zavruçin.
Gjakmarrja kishte ngjallur një konflikt të hapur dhe në përmasa të gjera mes myslimanëve e të krishterëve. Në qytete dhe në fshatrat e Margëlliçit ishte krijuar pasiguri e plotë. Asnjë nuk e ndjente veten të sigurt. Edhe bujku në arë, edhe çobani, edhe udhëtarët nuk ishin të sigurt nëse do të ktheheshin në mbrëmje në gjirin e familjes.
Fillimisht, Jasin Sadiku arriti që të bindte mikun e tij, Avdulla Kasemin, që të hiqte dorë nga hakmarrja për gjakun e të vëllait dhe të ndikonte edhe tek të afërmit e tij, që të qetësohej gjendja dhe të kthehej qetësia dhe siguria për njerëzit e thjeshtë. Avdulla Kasemi e dëgjoi dhe iu bind fjalëve të mikut shumë të afërt. Avdullai, me urtësinë që e dallonte, uli armët.
Veprimi që ndërmori Jasin Sadiku dhe ulja e armëve të Avdulla Kasemit, nuk tregonin as frikë e as dobësi të tyre, por veprime të njerëzve të mençur e të matur, për t'i dhënë fund një situate tepër të rënduar dhe pasigurisë që ishte krijuar në kazanë e Margëlliçit", (Spiro Mouselimi, Istorikoi peripatoi ana tin Thesprotian, vep. e përm., f.80).
Besëlidhja për pajtim: "Stop vëllavrasjes!"
Nisma e pajtimit, që u arrit të realizohet me sukses tek myslimanët shqiptarë të Margëlliçit, u shtri dhe në Karbunar e fshatrat e tjera të Çamërisë...
Dëshmitë arkivore të kohës për këtë periudhë, japin fakte të shumta për pajtimtarët çamë, të cilët, të prirë nga Jasin Sadiku bënë të pamundurën për bashkimin e komunitetit përballë planeve shoviniste për braktisjen e trojeve autoktone me dhunë.
"Ai (Jasin Sadiku) pasi u la lamtumirën të besëlidhurve në Morfat, i shoqëruar nga të dy miqtë e tij të krishterë, që nuk i ndaheshin për asnjë çast, u nis në drejtim të Frarit. Jasin Sadiku dhe shokët që e shoqëronin, të hipur në kuaj, gjatë rrugës bisedonin rreth mbresave të mira që u kishte lënë takimi në Morfat. Kur kishin dalë nga fshati e kishin përshkruar një rrugë rreth 2 kilometra, ndodhi ajo që nuk mund ta merrte me mend askush në Çamëri, qoftë tek myslimanët, qoftë tek të krishterët: prerja në besë e mikut! Vasil Ballumi, me dy vetë, i maskuar, shkruan Spiro Muselimi, kur Jasin Sadiku iu afrua 2-3 metra afër, qëllohet me një breshëri plumbash, që i mori jetën më 6 dhjetor 1942, (G.Margaritis, Tsamides, vep. e përm., f.160).
Kështu, pothuaj në pjesën më të madhe të Çamërisë u arrit të bëhej falja e gjakut, eliminim i hasmërisë, gjë e cila po ua vështirësonte Zervës e mbështetësve të tij planin për shfarosjen masive të Çamërisë.
Vrasja e Jasin Sadikut
Sipas arkivave, një zyrtar i lartë grek, që e kishte takuar Vasil Ballumin enkas në Pargë, në verën e vitit 1946 dhe e kishte pyetur pse e kishte vrarë Jasin Sadikun, vrasësi që konsiderohej nga autoritetet greke si hero legjendar, iu përgjigj: "Kam besim të plotë, se ai plumb ka luajtur një rol të rëndësishëm për problemin çam. Në qoftë se Jasin Sadiku do të kishte jetuar, ngjarjet në Çamëri do të kishin rrjedhur shumë ndryshe. Jasin Sadiku, me zgjuarsinë e tij, mençurinë e tij, diplomacinë e tij, zhdërvjelltësinë e tij, do të kishte shumë ndjekës (pasues). Pas vrasjes së tij, pasuesit nuk vepruan dhe u larguan nga Margëlliçi", ( Ypomnima katoikon Pargas kai periferias "Periton Musulmanon Thesprotias" pros tin aksiotimon Erenitikin Epitropin tou OKB (Memorandumi i banorëve të Pargës dhe të fshatrave "mbi myslimanët e Thesprotisë" drejtuar Komisionit Hetimor të OKB).
Kjo deklaratë, që del pas rreth 5 vjetësh nga vrasësit e Jasin Sadikut, zbardh një të vërtetë të madhe, pse ishte vendosur nga qeveria greke vrasja e tij dhe ishte përzgjedhur për ta ekzekutuar një nga kriminelët më të spikatur, që ishte dalluar si një nga armiqtë më të egër të shqiptarëve të Çamërisë.
Lajmi i vrasjes së Jasin Sadikut tronditi nga themelet paqen sociale në kazanë e Margëlliçit, ku edhe ashtu, ekzistonin acarime të mëdha mes myslimanëve e të krishterëve. Varrimi i viktimës u bë në një klimë të ndezur, që u acarua dhe më tej, kur njeri nga të afërmit e viktimës, me një fjalim të shkurtër, i ftoi miqtë e dashamirësit që të merrnin shpagim kundër vrasësit, që tashmë ishte bërë i njohur për të gjithë.
Shumë pjesëtarë të familjes e të fisit, miq e të afërmit e viktimës, morën armët, qëllimi i të cilëve ishte hakmarrja. Këtyre iu bashkuan edhe shumë miq të tyre nga qyteti i Margëlliçit e fshatrat si Vola, Nista, Mazrreku, Karbunari, Vrastova, Arpica etj.
Përballë realitetit, autoritetet vendore greke, që u morën me raportet e tyre për historinë e vrasjes së Jasin Sadikut, e kanë injoruar totalisht të vërtetën. Në raportin e Kryetarit të Bashkisë së Gumenicës thuhet se konflikti mori fund, vetëm atëherë kur një përfaqësi e grekëve, shkoi drejt myslimanëve duke ngritur një flamur të bardhë, që donte të thoshte paqe e më pas nisen negociatat për takime mes përfaqësuesve myslimanë e të krishterë. (Burimi: El.Manta, Oi Mousoulmanoi Tsamides tij Ipeirou 1923-2000, Thassoloniki, 2004, f.155)
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›