E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita në Sarandë, Berisha preu shiritat e PS

 

Socialistët deklaruan dje në Kuvend se Berisha preu shiritat e punimeve të inauguruara nga qeveritë paraardhëse

TIRANË- "Oqi eci qirje!" (Jo kështu zotëri!). Me këtë shprehje në gjuhën greke i është drejtuar dje deputeti socialist Stefan Çipa kryeministri Sali Berisha, duke kërkuar prej tij që të heqë dorë nga mashtrimet me premtimet e parealizuara. Duke marrë shkas nga vizita e ditëve të fundit e kreut të ekzekutivit në zonën e bregut dhe atë minoritare në jug të vendit, Çipa ka sjellë dje në vëmendje të Kuvendit se shiritat e përurimit të punimeve të prera gjatë kësaj vizite nga Berisha, ishin prerë më parë ose nga kryeministri paraardhës ose nga pjesëtarë të kabinetit të tij qeveritar. Prandaj, ka theksuar deputeti Çipa, kryeministri Berisha ka gënjyer jo vetëm banorët e zonës, por edhe opinionin publik, për të ashtuquajturat investime të realizuara nga qeveria e tij. "Kryeministri përuroi rrugën Hotel Butrinti -Kanali i Çukës dhe harroi se këtë rrugë e ka përuruar më parë ish-kryeministri Nano, madje tani rruga ka filluar të prishet duke u hapur kanale e duke vjedhur kapakët e pusetave", - u shpreh deputeti socialist, Stefan Çipa. Një tjetër shirit i prerë më parë, sipas tij, ishte edhe ai për fillimin e punimeve të rrugës Qafë-Botë-Sarandë, rrugë që lidh zonën e Konispolit me qytetin e Sarandës. Shiriti i fillimeve të punimet të kësaj rruge, sipas tij, është prerëve vetëm dy muaj më parë nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. "Shkoi Kryeministri dhe përuroi fillimin e punimeve në rrugën Qafë Botë- Sarandë dhe harroi se para 2 muajsh këtë rrugë e kishte përuruar (madje me valle) ministri Ruli, së bashku me dy zëvendësministra grekë", - u shpreh Çipa. Gënjeshtrat e Kryeministrit, sipas tij, gjatë kësaj vizite, nuk kishin të bënin vetëm me shiritat e prerë rishtazi, por edhe me një sërë premtimesh që ribëheshin përsëri. Për këtë, Çipa ka përmendur premtimin e dhënë nga Kryeministri gati një vit më parë për "Shqipërinë në moshën e internetit", apo edhe ajo për përkthimin e teksteve shkollore në gjuhën greke për minoritarët. Por përpjekjet për të bërë premtime që janë bërë më parë dhe për të prerë shirita përurimi që janë prerë më parë, sipas Çipës, nuk do ta shpëtojnë dot Kryeministrin nga rrëzimi i tij i sigurt nga pushteti me votën e popullit, që s'mund të gënjehet me demagogjira të tilla. "M'u kujtua stilografi që i dhuroi ish-presidenti Bush, dhe me atë stilograf, firmosi dorëheqjen e tij, duke u konvertuar nga President në ish-President. Me stilolapsin që i dhuroi kryetari i Komunës se Sajadhës, gjatë vizitës së fundit në këto zona, me siguri që do të firmosë dorëheqjen e tij si Kryeministër, duke u konvertuar në ish-Kryeministër dhe zullumqari, njësoj si ish-diktatori që nuk dinte greqisht dhe që në delir e sipër, mëson dy fjalë nga ministri përkthyes Barka dhe i përgjigjet Kryetarit të komunës me shumë zell: "Efkaristo poli!",- u shpreh Çipa gjatë fjalës së tij të djeshme në Kuvend. Ndërkohë që vizita e kryeministrit Berisha në Jug, ka qenë në qendër të fjalës edhe të nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili e ka akuzuar atë se po përpiqet që të përfitojë politikisht, duke bërë takime partiake me flamurin e NATO-s. "E pashë Kryeministrin të dilte në një aktivitet partie, madje me logon e NATO-s pas kurrizit, madje duke përdorur si program dhe sloganin "Shqipëria në NATO". Ne kemi mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO si interes kombëtar dhe jo partiak. Kryeministri ka vendosur të abuzojë dhe manipulojë me flamurin e NATO-s, por jam i bindur se nuk do të arrijë asgjë, veçse do të vonojë edhe më tej procesin e anëtarësimit të plotë në NATO", - tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›