E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi i PS, Klosi: Risi pozitive. Harasani: Duhet të na bashkojë

TIRANË- Vetëm një ditë para mbajtjes së punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste, sekretari organizativ Blendi Klosi në një intervistë për NEWS24 shprehet se ky do të jetë Kongresi i risive.

Në lidhje me emrat e rinj për në Asamble, Klosi thotë se lista mund të pësojë ndryshime edhe gjatë punimeve të Kongresit.

“Mbas statutit të ri, i cili do të miratohet në seancën e parë, numri i anëtarësisë së Partisë Socialiste është i përcaktuar në cdo forum të partisë dhe kjo është një nga risitë që sjell statuti i ri. Cdo forum i partisë zgjedh në përbërje të tij një numër më të madh anëtarësh sesa janë ata të përcaktuar në bazë të detyrës funksionale që ata shtrojnë”,- theksoi Blendi Klosi, Sekretar Organizativ i PS-së.

Ndërsa, Andis Harasani i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj lidershipit socialist, shprehet se mbështet kryetarin Edi Rama se ky duhet të jetë Kongresi i bashkimit, ndërkohë shprehet se draft programi duhet të ketë ndryshime, me pika të qarta.

“Në lidhje më ndryshimet në statut mendoj duhen rishikuar, ndërsa në lidhje që ajo që ju thatë për programin ose për draft programin besoj që ëhstë një përpjekje serioze. Se cfarë do të donim ne si një forcë shumë serioze politike si Partia Socialiste për të ndryshuar, por nuk është as program, as draft program pasi në asnjë moment, nuk ka se cfarë ne duhet të bëjmë ndryshe, si duhet ta bëjmë ndryshe dhe kush është fatura financiare. Do e uroja dhe do e mbështesja kryetarin Rama , për të realizuar një Kongres bashkimi sepse është ajo se cfarë ka nevojë Partia Socialiste“,- u shpreh Andis Harasani, Sekretar i Programit Politik të PS-së.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)
Lidhje te tjera PD, Mustafarja: Kongresi i PS i dështuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›