E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi, Majko: Nuk ka lëvizje të boshtit të PS-së

Mbështetja ndaj ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve ka si qëllim afrimin drejt nevojave të qytetarit


TIRANË- Mbështetja e interesave të ish-të përndjekurve politike dhe ish-pronarëve në ndryshimet më të fundit të programit të PS-së, ka vetëm një qëllim; afrimin drejt nevojave të qytetarit.


Pandeli Majko, një ndër anëtarët e grupit të punës për programin në Partinë Socialiste, deklaroi dje se nuk ka lëvizje të boshtit të PS-së nga majtas - djathtas, por një afrim drejt nevojave të qytetarit. "Ndryshimet në programin e PS-së do t'i quaja evoluim që ka të bëjë me mënyrën se si ne e shikojmë procesin e zhvillimit shoqëror në Shqipëri.


Kemi hedhur një hap në gjetjen dhe trajtimin dhe dhënien e një varg përgjigjesh të cilat kanë të bëjnë me ofertën e PS-së si një ofertë e cila nuk i dedikohet thjesht disa shtresave, por hapet me përgjigje edhe karshi shtresave të tjera të cilat deri tani nuk kanë qenë objektiv apo prioritet i PS-së.


Ka të bëjë me faktin jo se po lëviz PS-ja boshtin e vet nga majtas në drejtim të qendrës apo diçka më tutje apo më këtej. Problemi është i qartë. Ka disa përgjigje të cilat shoqëria shqiptare i pret nga opozita shqiptare dhe sigurisht këto do të reflektohen patjetër. Jemi e vetmja parti politike që e shfaqim hapu diferencën dhe ndryshueshmërinë brenda vetes.


Për mua më e rëndësishme se sa diskutimi se do të ketë apo jo oponencë është e rëndësishme nëse do të ketë një ligjshmëri debati brenda radhëve tona për të bërë më të mirën",- tha Majko. Ndërkohë, ndryshimet e reja në programin e PS-së, të cilat vetëm u servirën dje para delegatëve, dhe nuk u miratuan do t'i nënshtrohen një diskutimi të gjerë.


Në një deklarim për mediat, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj tha se do t'i jepet më shumë kohë delegatëve të kongresit, por edhe aktorëve të interesit për të dhënë kontributin e tyre për hartimin përfundimtar të këtij programi


"Ne si grup pune kemi përcaktuar edhe një "road map" përsa i përket ecurisë se si do të shkojë procesi i hartimit të programit. Programi do të shpërndahet sot, ndërkohë do të ketë diskutime, do të ketë një forum në gazetën "Zëri i Popullit", mund të ketë disa panele në media. Do t'i nënshtrohet një diskutimi të hapur", - tha Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›