E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sulmon Asamblenë e PS-së, “harron” bunkerizimin e Këshillit Kombëtar të PD-së



“Kafen e pimë së bashku, duhanin veçmas”. Kjo ka qenë shprehja standarde e kreut të PD-së Sali Berisha, fill pasi mbaronte fjalimin e tij të siparit në Këshillin Kombëtar të PD-së, e bashkë me fjalimin mbaronin dhe shpresat e medias për të transmetuar diçka nga ai Këshill. Por kreu i demokratëve “i harron” shpesh këto relata të institucioneve të tij me transparencën dhe medien, duke gjetur rastin të denoncojë mungesën e medies shpesh në kampin opozitar. Berisha ka atakuar kryesocialistin Edi Rama, për vendimin e tij që punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të zhvilloheshin pa praninë e medias. Kryeministri e krahasoi këtë mbledhje me pleniumet që zhvillonte Partia e Punës. ““Enveri i merrte në këtë mënyrë. Por, pikërisht se bën ato imitime pësoi atë që pësoi. Dhe unë ju garantoj se do ta pësojë sa herë që do ta përvojë ta imitojë, sepse të organizosh pleniume të mbyllura është jashtë çdo lloj morali të një shoqërie të lirë. Kjo do të thotë të kesh frikë nga vetja jote, të jesh frikacak. Çfarë integriteti ke dhe u tregon shqiptarëve kur u mbyll dyert? Kjo është e patolerueshme. Ai nuk mund ta përdorë Partinë Socialiste si plaçkë të vetën. Dje ishte një ditë e zezë për Partinë Socialiste, por edhe për vendin, kur lideri i një partie kryesore kujton se mund të veprojë në këtë mënyrë. Lerë, që nxori edhe Don Gramozin, sikur nuk kishte tjetër. E vutë re, sikur dilte nga një shpellë dhe jo nga një sallë. I zhduku këto Armelat, e të tjerat”, ka komentuar dje Berisha lidhur me Asamblenë e PS-së.

Reagimi
Imeraj: Berisha merret me PS-në për të larguar vëmendjen nga kriza

Partia Socialiste ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me punimet e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Zëdhënësja e PS-së Armela Imeraj e cilësoi të turpshëm faktin që kryeministri Sali Berisha pasi grabiti zgjedhjet ka vijuar ende të merret me Partinë Socialiste. Sipas Imerajt, kjo është e vetmja mundësi e mbetur e Berishës, pasi duke u marrë me Partinë Socialiste ai përpiqet të largojë vëmendjen nga kriza e përgjithshme ku ka futur Shqipërinë dhe shqiptarët. “Sali Berisha, njeriu që grabiti zgjedhjet dhe mbylli në terr votat e shqiptarëve duke penguar në shkelje të ligjit transparencën e procesit zgjedhor, kryetari i një partie që s’ka bërë kurrë zgjedhje e s’ka pasur kurrë debat të brendshëm, Sekretari i Enver Hoxhës që ka mbledhur organizatën bazë për të persekutuar madje dhe internuar njerëz, me pafytyrësinë e atij që pikërisht se i ka bërë të gjitha këto e shumë të tjera, s’mund të ketë më asnjë fije turpi. Ai u mor sot e do vazhdojë të merret me Partinë Socialiste sepse kjo është mundësia e fundit që i ka mbetur për të larguar vëmendjen nga kriza e përgjithshme ku ka futur Shqipërinë e shqiptarët. S’ka faj! Sali Berisha di më mirë se kushdo që Partia Socialiste mund dhe do t’ia shkurtojë ditët e pushtetit të tij ilegjitim”, tha Imeraj.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›