Kongresmeni Eliot Engel: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, falë lidershipit të Sali Berishës
Kryeministri Berisha priti pasditen e sotme Kongresmenin Eliot Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën, së bashku me disa bashkëpunëtor të tij dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë. Pasi uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi për përkrahjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që senatori Engel, Kongresi Amerikan, administrata e Presidentit Obama, administrata e ish-presidentit Bush dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Kryeministri shprehu falënderime edhe për kontributin e madh që Kongresmeni Engel, si edhe përkrahjen e Kongresit dhe gjithë institucioneve të tjera të SHBA-së për pavarësinë e Kosovës. Kongresmeni Engel e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i theksoi atij se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme të takohej me Kryeministrin Berisha, i cili me përkushtimin, angazhimin dhe reformat e jashtëzakonshme dhe të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, udhëhoqi Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO. "Në qoftë se dikush do të më kishte thënë në vitin 2004 që Shqipëria do të hynte në NATO në pesëvjeçarin e ardhshëm, unë nuk do ta kisha besuar kurrë, por tashmë falë reformave që ju ndërmorët dhe lidershipi juaj, kjo është realitet", u shpreh Kongresmeni Engel. Më tej, Kongresmeni Engel i theksoi Kryeministrit Berisha se SHBA-të do të vazhdojnë të përkrahin dhe mbështesin Shqipërinë dhe se në Kongresin Amerikan do të ketë përherë miq të mirë. Kryeministri Berisha i paraqiti Kongresmenit Engel një ekspoze të të gjitha reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër korrupsionit, reformave për zhvillimin ekonomik të vendit, reformave fiskale e derregullatore, për krijimin e klimës më të favorshme për biznese dhe investime e të tjera. Kryeministri e siguroi Kongresmein Engel, se qeveria shqiptare është tërësisht e përkushtuar për të realizuar zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje të plotë më të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për këtë qëllim qeveria ka ndërtuar infrastrukturën më të mirë zgjedhore dhe po pajis qytetarët shqiptar me dokumente identifikimi nga me të sigurtat në Evropë. Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet me të fundit në rajon duke u ndal ne veçanti në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. "Pavarësia e Kosovës është faktor vendimtar për paqe e siguri të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor", u shpreh Kryeministri Berisha.
...