Stjuart Xhons e Jap de Hoop Shefer: Shqipëria e meritoi anëtarësimin në NATO prej reformave të qeverisë “Berisha”
Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Stuart Jones dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hoop Shefer kanë vlerësuar kursin reformator të qeverisë shqiptare, duke e cilësuar atë si faktorin kryesor që solli në anëtarësimin e vendit në NATO, i cili nuk ishte dhuratë
TIRANE - Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Stuart Jones, deklaroi të premten në Tiranë se "Shqipëria e meritoi anëtarësimin në NATO".
Në përfundim të takimit të Komisionit të Partneritetit të Kartës “Adriatik 5”, zyrtari amerikan tha se “është jashtë çdo dyshimi që Shqipëria dhe Kroacia e kanë merituar anëtarësimin në NATO dhe ato janë mirëpritur si anëtare të saj. Ne jemi shumë krenarë që kemi mbështetur përpjekjet e tyre”.
Në konkluzionet e takimit të vendeve të Kartës “Adriatik 5”, të mbledhur paraditen e djeshme në Tiranë, Zëvendës ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit kërkoi që "Serbia dhe Kosova të hyjnë në këtë grup, së pari si vëzhgues dhe më pas si anëtarë me të drejta të plota".
"Shpresoj dhe do të dëshiroja që kjo të përfundonte sa më shpejt të jetë e mundur. Ne duam që të punojmë në mënyrë bashkëpunuese me të gjitha vendet e rajonit për të mbështetur aspiratat e tyre për në NATO, si dhe aspiratat e Serbisë dhe Kosovës për institucione euroatlantike. Ne kemi krijuar një strukturë në këtë rajon që është shumë efektive për realizimin e kësaj aspirate", nënvizoi Jones.