E Diel, 1 Nëntor 2026

Me ndalesën në Jordani, Ati i Shenjtë Benedikti XVI nisi turin në Lindjen e Mesme. Ai do vizitojë Kishën e Nativitetit, Murin e Lotëve, si dhe një kamp refugjatësh palestinezë

Papa Benedikti i XVI është nisur nga Italia për një turne një javor në Lindjen e Mesme, në vizitën e parë papnore në disa vende të shenjta të krishtera, që nga koha kur Papa Gjon Pali II bëri pelegrinazhin e tij mitik, në vitin 2000, në kremtimet e Jubileut. Turi, që fillon me vizitën në Jordani, e pason me ndalesat në Izrael dhe Bregun Perëndimor, ka për qëllim të inkurajojë komunitetin e krishterë, në minorancë në Lindjen e Mesme, si dhe të krijojë një dialog më të mirë me myslimanët e hebrejtë. Turneu tetëditor, në të cilin Papa e përshkruan veten si “pelegrini i paqes”, shënon gjithashtu edhe vizitën e tij të parë si Papë. Kreu i Kishës katolike po përpiqet të forcojë lidhjet me liderët hebrenj dhe myslimanë, pasi nervozoi besimtarët e të dyja feve në tre vitet e fundit. Liderët jordanezë kanë kërkuar që Papa të kërkojë ndjesë për fjalimin e tij të vitit 2006, që e lidhte Islamin me dhunën. Por, shumë vëzhgues politikë nuk shohin shumë shpresa në suksesin e Papës në Lindjen e Mesme. Megjithatë, në qëndresën e parë në Aman, Papa do të zhvillojë bisedime direkte me mbretin jordanez, Abdullah, i cili pretendon që Papa Benedikti i XVI t’i kërkojë ndjesë drejtpërdrejt për deklaratat mbi Profetin Muhamed. Ndërsa nesër, Papa do të vizitojë Malin Nebo, ku sipas Biblës, Profeti Moisi mendohet se pa për herë të parë tokën e premtuar.

Jordania, stacioni i parë i vizitës së Atit të Shenjtë

“Vij në Jordani si shtegtar, për të nderuar viset e shenjta”: me këto fjalë, shqiptuar gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në aeroportin e Amanit, Benedikti XVI nisi shtegtimin e tij në Tokën Shenjte, për ta vijuar, pastaj, në Izrael e në Territoret Palestineze, më 11 deri më 15 maj. Papa foli për lirinë fetare, si e drejtë njerëzore themelore, për promovimin e paqes së qëndrueshme e të drejtësisë së vërtetë në Lindjen e Mesme, për besëlidhjen ndërmjet qytetërimit të botës perëndimore e atij mysliman, që përgënjeshtron parashikimet mbi pashmangshmërinë e dhunës e të konfliktit ndërmjet kulturave. Në fjalimin e parë Benedikti XVI shprehu gëzimin për arritjen në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, tokë e pasur me histori, atdhe i qytetërimeve të lashta, vend i shenjtë si për hebrenjtë, ashtu edhe për të krishterët e myslimanët. Më pas falënderoi Lartmadhërinë e Tij, Mbretin Abdullahu II dhe e uroi me rastin e dhjetëvjetorit të uljes në fronin e mbretërisë, në të cilën luan një rol të dorës së parë për t’i bërë sa më të kuptueshme vlerat e Islamit. Duke i drejtuar përshëndetjen e tij mbarë popullit jordanez, Benedikti XVI nënvizoi: “Mbretëria e Jordanisë është prej kohe në vijën e parë të frontit për promovimin e paqes në Lindjen e Mesme e në botë, për vijimin e dialogut ndërfetar, për kërkimin e rrugëzgjidhjes paqësore të konfliktit izaelito-palestinez, për mikpritjen e refugjatëve nga Iraku e për përpjekjet, që frenojnë ekstremizmin”. Papa kujtoi se edhe shtegtimi i tij është pjesë përbërëse e procesit historik, i cili synon arritjen e paqes së qëndrueshme e të drejtësië së vërtetë për të gjithë ata që jetojnë në Lindjen e Afërme. Kujtoi, më pas, rolin domethënës të Mbretit të mëparshëm Hussein, emrin e të cilit e mban Xhamia, ku do të takohet nesër me liderët ndërfetarë myslimanë, me Trupin Diplomatik e me Rektorët e universiteteve. Si uroi që impenjimi i mbretit të ndjerë për zgjidhjen e konflikteve në zonë të sjellë fryte të reja në përpjekjen për paqen në Lindjen e Mesme, Benedikti XVI theksoi edhe një herë se nuk shkel në këto troje si politikan, por si shtegtar: “Vij në Jordani si shtegtar, për të nderuar viset e shenjta, që luajtën një rol të dorës së parë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë biblike – tha Papa, duke kujtuar më pas Malin Nebo, ku Moisiu u priu njerëzve të tij për të soditur tokën, që do të bëhej shtëpia e tyre, ku vdiq e u varros. Kujtoi Betaninë, përtej Jordanit, ku Gjon Pagëzori predikoi e dëshmoi Jezusin, të cilin edhe e pagëzoi në ujërat e lumit, emrin e të cilit mban Jordania. Papa kujtoi edhe se në ditët e ardhshme do t’i vizitojë të dyja këto vise të shenjta e do të ketë gëzimin të bekojë gurët e parë të kishave, që do të ndërtohen në vendin tradicional të pagëzimit të Zotit. Mundësia që i jepet bashkësisë katolike të Jordanisë për të ndërtuar vende publike kulti, është shenjë e respektit për fenë në këtë vend - tha Papa - e në vijim shprehu mirënjohjen e tij për hapjen e kësaj rruge. Liria fetare është pa dyshim themelore – shpjegoi Ati i Shenjtë – duke shprehur besimin se respekti për të drejtat e patjetërsueshme e për dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje do të vijojë të pohohet e të mbrohet, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në të katër anët e botës: “Vizita në Jordani më krijon mundësinë të shpreh respektin e thellë për bashkësinë myslimane e për rolin udhëheqës të Mbretit”. Kështu u shpreh Papa e, në vijim, kujtoi botimin, disa vjet më parë, të mesazhit të Amanit e të mesazhit ndërfetar të Amanit, si dhe vlerën e tyre për krijimin e besëlidhjes ndërmjet qytetërimeve të botës perëndimore e asaj myslimane, duke përgenjeshtuar parashikimet e atyre, që i konsiderojnë si të pashmangshme dhunën e konfliktin. Ati i Shenjtë kujtoi edhe seminarin e Forit katoliko-mysliman, mbajtur në Romë, vjeshtën e kaluar, duke u ndaluar tek roli qëndror që luan urdhërimi i Zotit për ta dashur njëri-tjetrin, në traditat përkatëse fetare. Në përfundim Benedikti XVI shprehu dëshirën që vizita e tij si dhe nismat e programuara për promovimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, të ndihmojnë për të thelluar gjithnjë më shumë dashurinë ndaj Hyjit të gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm e dashurinë vëllazërore ndërmjet besimtarëve të të gjitha feve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›