E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni Eliot Engëll takohet me publicistin Fahri Balliu, i përcjell sërish urimet për monografinë në anglisht “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”

Menjëherë pas fjalimit që kongresmeni Eliot Engëll mbajti në Sallën e seanca plenare të Kuvendit të Shqipëria, ai pati një takim të përzemërt me publicistin Fahri Balliu, njëkohësisht botues i gazetës “55”. Gjatë takimit, kongresmeni i përcolli edhe njëherë zotit Balliu urimet e tij për monografinë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, të cilën ai pati mundësi ta merrte në versionin anglisht, gjatë vizitës që zoti Balliu pati para një jave në SHBA. Kongresmeni Engëll gjatë bisedës u ndal në domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, si e vetmja mundësi që do të kontribuojë më tej në progresin e Shqipërisë e do të përshpejtojë ritmet drejt integrimit final në Bashkimin Evropian. Kongresmeni i Nju-Jorkut pati rastin sërish të përsërisë vlerësimin e vet për miqësinë e pandashme mes shqiptarëve dhe amerikanëve, të cilën ai e kishte gjetur kudo, gjatë vizitës së tij disaditore në Shqipëri. Publicisti Balliu e falenderoi kongresmenin amerikan për ndihmën e pakursyer, prej më shumë se dy dekadash që ka dhënë për shqiptarët; për përmbysjen e komunizmit e demokratizimin e Shqipërisë, por veçanërisht për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga zgjedha e Beogradit, shpalljen e pavarësisë e tashmë edhe konsolidimin e shtetit më të ri të Ballkanit. Publicisti Balliu, në fund të takimit shprehu bindjen se ndihma amerikane e posaçërisht e kongresmenit Engëll, mikut të madh të shqiptarëve, do të vijonte edhe në të ardhmen, për të shpresuar që së shpejti shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë do ta gjenin veten të bashkuar, në gjirin e Bashkimit Evropian.


Në numrin e së mërkurës do të lexoni intervistën ekskluzive me kongresmenin Engëll, dhënë gazetës “55”, i cili ndalet në këto çështje:


- Mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave dhe përmirësimin e imazhit të vendit


- Natyra e re e marrëdhënieve që duhet të ngrihen mes shteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës


- Lehtësimi i lëvizjes së shqiptarëve për në SHBA, si një provë e marrëdhënieve të privilegjuara mes dy kombeve


Po të hënën në mbrëmje, kongresmeni Eliot Engëll i dha kryeredaktorit të gazetës “55” Ilir Nikolla një intervistë të posaçme, në të cilën u ndal gjerësisht tek ndryshimet që gjente tek shqiptarët, që nga vizita e tij e fundit në Shqipëri, si dhe tek domosdoshmëria e vazhdimësisë në këtë kurs, një vazhdimësi që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e ditës. Gjatë intervistës, kongresmeni Engëll u ndal edhe tek tema mjaft të rëndësishme të ditës, si marrëdhëniet e privilegjuara që duhet të vendosen mes Shqipërisë dhe Kosovës, vijimit të reformave për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në botë si dhe mundësisë së liberalizimit të afërt të regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si një provë e marrëdhënieve të privilegjuara që ekzistojnë mes dy kombeve tona.


Intervista e plotë e kongresmenit Eliot Engëll dhënë kryeredaktorit të “55”-s do të botohet në numrin e së mërkurës të gazetës.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›