Rritja e pagave dhe e pensioneve, përparësi e qeverisë edhe gjatë mandatit të dytë
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se edhe gjatë mandatit të dytë, rritja e pagave dhe pensioneve do të jetë një nga përparësitë më madhore të qeverisë.
Gjatë vizitës në bashkinë e Vorës, kreu i qeverisë deklaroi se qytetarëve u intereson rritja e pagave dhe pensioneve, ku siç theksoi Berisha, në vitet në vijim Shqipëria do të lerë pas edhe vende të tjera, për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Unë programin tim e kam të thjeshtë, e kam bazuar dhe do ta bazoj tek ato çfarë ju interesojnë më tepër juve. Ju intereson rritja e pensioneve – unë do të barazoj pensionet e fshatit me pensionet e qytetit dhe i rris ato edhe shumë më tepër; juve që intereson rritja e pagave – ne këtë vit lamë pas dy vende të Bashkimit Evropian për pagat. Unë ju jap fjalën ju se në vitet që vijnë do të lëmë pas edhe disa vende të tjera. Rritja e pagave është dhe do të mbetet përparësi madhore e kësaj qeverie”, tha kryeministri.
Nga an tjetër, shtoi kreu i qeverisë, opozita ka bërë thirrje vazhdimisht që qeveria të mos rrisë pagat dhe pensionet.
“A ka opozitë në botë që t’i thotë qeverisë mos rrit rrogat dhe mos rrit pensionet? A ka opozitë në botë që të thotë se do të anulojë me dhjetëra e dhjetëra koncesione, në të cilat do të krijohen dhjetëra e mijëra vende pune? A ka opozitë në botë që të thotë mos aplikoni për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian? Kjo është opozita e blofit, opozitë e cila ka një dhe vetëm një interes; karrigen dhe vetëm karrigen”, u shpreh kreu i qeverisë.