E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konica: “Ja pse vijnë princeshat shqiptare në SHBA”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Uashington, 22 shkurt 1938 – “Të tria princeshat shqiptare, të cilat tani janë rrugës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të “kërkojnë privatësinë” dhe një shans për të parë vendet me interes të veçantë, pasi të mbërrijnë në Uashington. Sipas planeve aktuale, ato nuk do të priten me një ceremoni madhështore, që është mënyra e zakonshme e pritjes së një familjeje mbretërore, sepse ato kanë festuar mjaftueshëm në Shqipëri. Ndoshta, edhe pse nuk është ende e përcaktuar në axhendë, do të ketë një darkë të organizuar për nder të tyre”. Kështu tha ditën e djeshme ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Faik Konica. Ambasadori shqiptar pas një bisede të shkurtër nga ku mohoi dhe lajmin se motrat e pashme të Mbretit Ahmet Zog “po vijnë në SHBA për të gjetur burra” dhe për të qenë pjesëmarrëse në një aktivitet social. Duke qenë se të tria motrat janë shumë të interesuara për çështjet e mirëqenies sociale, ato do të duan të shohin se si këto aktivitete zhvillohen në këtë vend: Me shumë gjasa, ato do të duan të kryejnë dhe vizitat e zakonshme në vendet me interes të veçantë dhe të bëjnë njëkohësisht pazar në disa dyqane”, - la të kuptohej Konica. Ambasadori shqiptar është një njohës i mirë i princeshave dhe mund të garantojë për faktin se secila nga motrat e Zogut ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të përmirësuar kushtet sociale të të varfërve në Shqipëri. Ai mund të garantojë se secila prej tyre ka qenë shumë e interesuar në mirëqenien sociale prej shumë kohësh dhe se ardhja në Amerikë në kërkim të romancës është gjëja e fundit që motrave u shkon në mendje. “Sigurisht që princeshat shqiptare janë tërheqëse dhe të admirueshme në shumë aspekte. Për më tepër, ato përfaqësojnë një shtet, në të cilin martesa është vetëm njëra nga objektivat e grave në këtë vend. Shqipëria, një nga mbretëritë më të vogla të Evropës, është nismëtare e sigurimit të të drejtave të grave dhe këto të fundit kanë pasur mundësinë ta meritojnë emrin e tyre në shumë fusha të jetës atje”, - shtoi më tej Konica.

Konica do ti takojë në Nju-Jork

Faik Konica, përfaqësuesi diplomatik i vendit të tij në Shtetet e Bashkuara, do të udhëtojë drejt Nju-Jorkut për tu takuar me familjen mbretërore dhe “do të bëjë gjithçka të jetë e mundur për ta bërë udhëtimin e tyre të pëlqyeshëm”. Kjo vizitë, e cila është e para në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vetëm fillimi i një turi vizitash që princeshat kanë planifikuar të zhvillojnë. Pas SHBA-së, ato do të nisen drejt Lindjes. Edhe pse duket sikur shoqëria e Uashingtonit si një e tërë nuk do ta ketë shansin të takojë princeshat, prapëseprapë, planet sociale janë përqendruar tashmë në vizitën e tyre të ardhshme. Dhjetëra anëtarë të trupit diplomatik, të cilët i njohin princeshat, vëllanë e tyre, Mbretin Zog, apo të fejuarën e tij, Konteshën Geraldinë Apponyi të Hungarisë, shpresojnë që mysafirët mbretërorë të pranojnë të jenë të pranishëm në ato pak aktivitete krejtësisht sociale gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në kryeqytetin amerikan. Por se sa kohë do të qëndrojnë princeshat në Amerikë, Faik Konica nuk e di ende. I lindur më 8 tetor 1895 në Burgajet të Matit, Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu rridhte nga familja e njohur e Zogollit, një nga katër familjet sunduese në zonën e Matit. Babai i tij, Xhemal Pashë Zogu, i cili kishte dhënë ndihmesën e tij në zmbrapsjen e Perandorisë Otomane duke shpëtuar krahinën e Matit, u helmua pak kohë më vonë në Stamboll. Ndërsa nëna e tij, Sadie Toptani, ishte një grua e thjeshtë fshatare. Zogu u arsimua në shkollat ushtarake në Manastir (shkolla turke e oficerëve), Kostandinopojë (Akademia Ushtarake e Kostandinopojës, Stamboll) dhe ndoqi Akademinë Ushtarake Britanike të “Sundhurst”-it, vendi i preferuar i arsimimit ushtarak për mbretërit. Që në rininë e tij, ai kujtohet si një i ri tepër aktiv në jetën publike shqiptare dhe luftoi për herë të parë si kolonel në vitin 1912, në betejën kundër Serbisë dhe Malit të Zi, që tashmë janë pjesë e shtetit të Jugosllavisë. Drejt fundit të Luftës Ballkanike, Zogu mori pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë si një përfaqësues i krahinës së Matit. Por ai do të detyrohej shumë shpejt të arratisej drejt Vjenës pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania dhe Austria në Luftën e Parë Botërore. Ai u kthye në vendlindje vetëm pas fundit të luftës dhe në vitin 1920 Zogu thirri një asamble në mënyrë që ta shpëtonte vendin nga copëzimi. Asambleja e zgjodhi atë ministër të Brendshëm, një ministri që e ndihmoi Zogun të konsolidonte shtetin dhe të shtypte një sërë kryengritjesh. Tre vjet më vonë, në vitin 1923, atij iu kërkua të formonte një qeveri, por u detyrua të dorëhiqej për shkak të një tentative për ti marrë jetën. Pas dorëheqjes së tij, vendi u përfshi nga një revolucion. Por këtë revolucion Zogu do ta shtypte, gjë që më pas do ta detyronte të dorëhiqej. Pas shtypjes së revolucionit, ku ai luajti rolin e tij, asambleja e zgjodhi atë President të Republikës së Shqipërisë në vitin 1925. Si president ai i solli vendit paqen, në një kohë që Shqipëria ishte përfshirë nga trazirat dhe vendosi një regjim solid. Tre vjet më vonë, në shtator 1928, ai u vetëshpall Mbreti Zog i Parë i Shqiptarëve. Zogu përdori fuqitë e tij të reja si mbret për të prezantuar reforma gjithëpërfshirëse në mbretërinë e prapambetur, por ai ishte vazhdimisht nën presion nga fqinjët e Jugosllavisë dhe Italisë. Me pushtimin e vendit të tij, në Adriatik, nga Italia, Zogu u arratis për në Britani.

Një vizitë tjetër e rëndësishme

Një tjetër emër i shtohet listës së rëndësishme të personave, të cilët pritet të vizitojnë Uashingtonin së shpejti. Keneth Horan, romancierja shumë e njohur dhe gruaja e kirurgut të mirënjohur të Çikagos, Doktor Fransis P. Horan, do të mbërrijë nesër për të vizituar zonjën Ralf Çërç, gruan e përfaqësuesit të Illinoisit. Zonja Horan, libri bestseller i së cilës, “Kujtoje ditën” ishte një nga librat më të vlerësuar të vitit të shkuar, është redaktore letrare e gazetës “Chicago Journal of Commerce”. Recensionet e librave të saj kanë tërhequr një vëmendje të madhe përpara se ajo të shndërrohej në një romanciere të vërtetë dhe i provoi botës se një kritik mund të ushtrojë atë që predikon. “Kujtoje Ditën” (Remember the Day) bazuar në detajet e ndërlikuara të politikës së Miçiganit 25 vjet më parë, është ende shumë i lexuar. Zonja Horan është gjithashtu autore e romanit “Oh, Promise Me”, i botuar së fundmi. Por ndryshe nga princeshat shqiptare, zonjën Horan këtu e presin një sërë organizimesh zyrtare. Ajo do të jetë oratorja e ftuar në drekën e Klubit të Shtypit Kombëtar të Grave. Të enjten, zonja Çërç do të organizojë një drekë të shtëpinë e saj për nder të zonjës Horan dhe ditën e premte ajo do të jetë sërish organizatore e një dreke në Sulgrave Club.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›