E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumi, 7 milionë euro për tu kthyer me Mercedes

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjermani - Nga skuderia gjermane dalin shifra dhe detaje të reja mbi operacionin e mundshëm Shumaker-Mercedes. Pas zërave në lidhje me Heidfeld që po kërkon një skuderi të re, meqenëse njëvendëshja e Mercedesit është më larg, tani vijnë konfirmime rreth tratativës së avancuar mes Shumakerit dhe skuderisë së udhëhequr nga ish-shefi i gjermanit, Ross Braun. Dalin shifrat e para, teksa flitet për një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon për të garuar përkrah Nico Rosberg, me 25-vjeçarin gjerman që megjithatë përgatitet për një sezon lideri. Faktikisht bëhet fjalë për po të njëjtat para që i ishin ofruar Xhenson Batonit për të qëndruar në skuadrën, ku u shpall kampion bote. Një shifër e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh kohën e krizës që mbizotëron në Formula 1. Sipas gazetës gjermane “Bild”, ofertën për Shumin e ka bërë vetë patrioti i tij, Norbert Haug, bos i Mercedes Motorsport. Nëse pranon propozimin, shtatë herë kampioni i botës (pesë te Ferrari, plus dy te Benetton) do të përfitonte 2 milionë euro më shumë në krahasim nga sa përfiton aktualisht si këshilltar i Ferrarit. “Por nuk do të jenë paratë që do të kushtëzojnë vendimin e Shumakerit", është mendimi i ish-pilotit Niki Lauda. Në ditët e kaluara, Villi Veber, menaxher i shtatë herë kampionit të botës kishte lënë të kuptohej se gjermani do ta bëjë zgjedhjen e vet pas Krishtlindjeve. Konfirmime në këtë drejtim kanë ardhur edhe nga rezidenca e skuadrës gjermane. Megjithatë, si gjithmonë kur është në mes Shumi, nuk përjashtohet të ketë edhe surpriza, pozitive ose negative qofshin. Skuderia më e re gjermane e Formula 1, Mercedes GP (ish Braun GP), kërkon që përkrah pilotit të sapoardhur Nico Rosberg të marrë edhe një tjetër pilot me eksperiencë. Prej kohësh zërat në ambientet e këtij sporti flasin për një rikthim të 7 herë kampionit të Botës, Mikael Shumaker. Rikthimi i legjendës gjermane të automobilizmit tanimë është më i afërt, pasi vetë drejtori teknik i kësaj skuderie (Mercedes GP), Stephen Fry, dy ditë më parë, tha se “do të ishte në të mirën e të gjithëve nëse Shumakeri do të rikthehej në Formula 1”.
Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›