E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konica: Princ Vidi, për mendjelehtësi nuk e kishte shokun

 

alma mile

E dëshiruar për pak stabilitet, Shqipëria shpresoi shumë tek Princ Vidi, i përzgjedhuri i fuqive të mëdha. Por princi më shpejtë iku se sa erdhi dhe vendi i vogël ballkanik u mbërthye nga një krizë edhe më e rëndë. Pas copëtimit të trojeve në vitin 1913, Shqipëria rrezikonte sërish të gjymtohej mes Serbisë dhe Greqisë. Ishte pikërisht kjo kohë, kur intelektuali shqiptar, Faik Konica, bëhet zëri i shqiptarëve pranë një prej forcave më të mëdha të kohës, Gjermanisë, ku demaskon politikat e kësaj të fundit dhe deklaratat kontradiktore të përfaqësuesve të saj. Më 12 nëntor 1915, nga shëtitorja “Ryshone”, Lozanë, 35 e Zvicrës, Faik Konica i dërgoi një letër të hapur zotit profesor Hans Delbruck, këshilltar i afërt i Qeverisë, profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit. Punimin e shkroi frëngjisht me titullin: “Gjermania dhe Shqipëria” (L’Allemagne et L’Albanie) në 15 faqe të shtypura. Pjesën më të rëndësishme të kësaj letre na e ofron studiuesi Jup Kastrati në studimin e tij “Mbi krijimtarinë letrare të Faik Konicës”, pjesë e veprës “Studime për autorë të ndaluar”. Një botim ky i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Në studimin e tij, Kastrati analizon hap pas hapi veprimtarinë krijuese të atdhetarit dhe publicistit, duke u ndalur pak më gjatë në aktivitetin e tij patriotik, në mbështetje të çështjes shqiptare. Duke iu referuar letrës së hapur “Gjermania dhe Shqipëria”. Me këtë broshurë Konica godiste aleaten e madhe të Austro-Hungarisë, Gjermaninë rreth planit që po gatuante për ta copëtuar më tej Shqipërinë, midis Serbisë dhe Greqisë. Letra përshkohet nga toni polemizues i autorit rreth shumë çështje të së interesit kombëtar shqiptar. “Edhe në këtë vepër, Konica shquhet për forcën e tij njohëse, për horizontin e gjerë të diturisë, për argumentimin shkencor dhe për tonin e kulturuar dhe të intelektualizuar e plot sens kritik të polemikave të tij. Në këtë libër shihet se Konica, përveç se ishte i mbrujtur me kulturë të Lindjes dhe Perëndimit, pati kontakte dhe me njerëz të lartë dhe të shquar të kulturës, artit, letërsisë, shkencës dhe diplomacisë”, shkruan studiuesi Jup Kastrati. Në letrën e hapur drejtuar profesorit gjerman të historisë moderne, Konica reagoi me rreptësi ndaj qëndrimeve të tij antishqiptare dhe antishkencore. Punimi ka përsosmëri stilistike dhe pasuri mendimesh në një lëmë krejtësisht strategjiko-politik.
Faik Konica për Hans Delbruck
Zotni, një grup atdhetarësh shqiptarë më ngarkuan t’ju shkruaj dhe t’ju bëj një pyetje të vogël. Me këtë rast dëshiroj t’ju parashtroj, në të njëjtën kohë, disa mendime vetjake. Këto ditë, fletoret franceze kanë riprodhuar një bashkëbisedim, që ju keni pasur me një redaktor të “New York American”. Midis të tjerash ju atribuohet kjo deklaratë: “Siç e kemi bërë të ditur, në këtë luftë, Gjermania do të çlirojë “kombësitë e vogla”. Pikërisht është ky, Zotni, një ndryshim i dëshiruar në qëndrimet tuaja kombëtare, mbasi ajo që i ka munguar gjithmonë madhështisë morale të Prusisë, është kapaciteti për t’u interesuar për fatin e më të dobëtëve. Por, nga ana tjetër, mund t’ju vë në dijeni për ekzistencën e një traktati bullgaro-grek për ndarjen e Shqipërisë, traktat i sugjeruar, miratuar, vulosur dhe garantuar nga Gjermania. Për këtë arsye, marr guximin t’ju drejtoj, i lutur nga bashkatdhetarët e mi një pyetje: “Si do të arrini ju të pajtoni deklaratën tuaj me planin brutal të copëtimit të Shqipërisë?”
Ja një vend, ja një popull që hyn në kategorinë e “kombësive të vogla” dhe që do të meritonte, në mënyrë të veçantë, mirësinë dhe vlerësimin tuaj. A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan? A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Evropës Lindore? A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti? A nuk e kanë mbrojtur të drejtën e kombësisë shqiptare për ekzistencë diplomatët tuaj në Konferencën e Londrës dhe kanë nënshkruar protokollin që kurorëzonte përpjekjet e tyre? Kjo “copë letre” sapo është firmosur dhe boja, me të cilën i plotfuqishmi juaj ka shkruar emrin e tij nuk është tharë ende. Mos vallë, menjëherë Shqipëria pushoi së qeni një kombësi, apo nuk është më e vogël? Së fundi, cilat janë këto “kombësi të vogla” që ju “do të çlironi”? Belgjika, apo Polonia? Serbia ndoshta? Ju lutem, Zotni, na e shuani kuriozitetin tonë dhe përmendni një emër!..
Sjellja e Gjermanisë ndaj shqiptarëve merr një karakter veçanërisht të urryeshëm, nëse do të gjykojmë mbi ngjarjet që ndodhën në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës Ballkanike. Pushtimi serb dhe gjithçka që ndodh më vonë, janë aq të njohura, sa që nuk ia vlen t’i kujtosh. Por mirë është të mos harrohet ajo që serbët thoshin atëherë dhe që vazhduan ta përsërisin më vonë: Serbët i përligjin veprimet e tyre, duke deklaruar se nuk kishin asgjë ndaj nesh si shqiptarë, por ishin të detyruar të na luftonin si “miqtë dhe përkrahësit e Soumabes (Zhvabisë)”. Kështu, gjermanët, por në mënyrë të sigurt, bëheshin shkaku i dhimbjeve tona. Megjithatë, në rrënimin e gjatë që na kishte pllakosur, një shpresë ngushëllonte zemrën tonë: (ardhja) e një princi të zotë (të aftë) për të menduar dhe vepruar. Prusia nuk vonoi shumë për të na e dhënë këtë kënaqësi duke na dërguar një Mesi, një farë gjiganti me gjashtë këmbë, të sjellshëm, të qeshur (edhe pa arsye), fëmijë engjëllor, por që për mendjelehtësinë e tij, që nga Niemn në Rhin, nga Lubeck-u në Passan, nuk e kishte shokun. Tersllëk u çuditshëm! Këtij populli pre e intrigave dhe e grupazheve, që priste një mendje të kthjellët dhe një dorë të fortë për ta shpëtuar e udhëhequr, princi Wilhelm zu Wied i shtoi inkoherencën e tij dhe rritjen e trazirave.
Më në fund, një ditë të bukur, Doktor von Jagow, shef i policisë së Berlinit, zbarkoi në Durrës. Mysafir i princit, ai i sillte atij këshilla. Dhe ato u zbatuan. Po atë natë, mjete artilerie u vendosën në pozicion luftimi në hyrje të pallatit, dhe në agim u bombarduan rëndë shtëpia, ku kryeministri, as i akuzuar, as i gjykuar dhe ende i veshur me pushtet, flinte qetë me gruan e tij. Rrjedhimet e këtij veprimi në parim janë mëse të njohura. Pandehën se mbaruan me gjermanët. Por ja feldmareshali Mackesen që futet në Ballkan në krye të ushtrisë së tij. Menjëherë shqiptarët naivë rrëmbejnë armët dhe ngrenë krye, për të tërhequr mbi vete dhe për të mbajtur një pjesë të forcave serbe, që luftonin kundër pushtimit. Pjesa tjetër, e rekrutuar nga ushtria serbe, deri tashti të nënshtruar ndaj fatit të tyre, dezerton në masë, për të mos u detyruar që të shtijë mbi ushtarët gjermanë e austro-hungarezë. Në këtë mënyrë, popullsia shqiptare pëson reprezalje të rënda, për të cilat ishte e vetëdijshme. Por ajo beson se sakrifikon për lirinë e saj. Ajo ende nuk e di ende se pushtuesit i sollën robërinë e plotë dhe që trumbetat gjermane do të luajnë marshin funebër të kombit antik ilir, të respektuar njëri pas tjetrit, për njëzet shekuj, nga Cezari i Romës, nga perandorët e Bizancit dhe nga sulltanët...
Kuptohet, zotni, Delbruck, se ju nuk më urreni. Është diçka e palogjikshme ta mendosh. Motive të tjera e shpjegojnë sjelljen tuaj. Nga këto po përmend të paktën dy.
Gjermania tashmë, ka vetëm një qëllim: paqen, - edhe një paqe e pa nder, mjafton të jetë një paqe me para; dhe, për të arritur këtë dëshirë pasiononte, japin atë që kanë dhe atë që nuk kanë, heqin dorë edhe nga parimet që, në fillim të luftës, ishin themelore dhe të një rëndësie jetësore.
Ka qenë një kohë kur Anglia, si sot Gjermania, donte të pengonte sundimin sllav në juglindje të Evropës. Për këtë qëllim, plasi lufta e Krimesë. Ajo grisi traktatin e Shën Stefanit dhe e zvarriti Rusinë në Kongresin e Berlinit. Ajo shkurtoi me gërshërë Bullgarinë e madhe të kontit Ignatieff. Diplomatët e saj studiuan problemin e ekuilibrit të forcave në Ballkan. Lordi Goschen ambasador britanik në Kostandinopol, sugjeronte në 1880, si kundërpeshë të domosdoshme ndaj ekspansionit sllav, krijimin e një Shqipërie të madhe, që do të shtrihej nga Mitrovica në Selanik. Ja çdo të thotë të kesh një vizion të qartë politik, ide të ndritura, koncepte të pastra, të drejta.
Gjermanët duhet të merrnin mësime nga këta mjeshtra të diplomacisë. Por, duke adoptuar programin e vjetër anglez për të luftuar mbizotërimin sllav në Lindjen e Afërme, Near Est, gjermanët e braktisën këtë politikë para se ta nisnin. Serbia do t’i aneksohej Bullgarisë. Dhe çdo të thuhej tjetër veç asaj që të dy shteteve të vogla sllave, të dobësuara nga rivalitetet, uniteti artificial do të çonte në lindjen e një mbretërie të vetme sllave, të fortë dhe të disiplinuar, të aftë për të vënë në radhë një milion ushtarë të shkëlqyer? Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, do t’i shtoheshin territoret e gjera shqiptare, në mënyrë që perandoria e ardhshme jugosllave të shkonte nga Deti i Zi në Adriatik. Para këtij rezultati, a mjafton verbëria e një diplomacie mediokre për të shpjeguar politikën kontradiktore të Gjermanisë në Ballkan? Nëse bëhet një kthesë, nëse kthehet shpina e qëllimit kryesor të luftës, kjo bëhet me ndërgjegje të plotë. Dhe vetëm një domosdoshmëri e jashtëzakonshme do të bënte të hiqej dorë nga një program që, tashmë, u ka kushtuar shumë gjatë mbrojtësve të saj. Motivi është territori i falimentimit. Arsyet ekonomike janë ato që paraprijnë çdo vlerësim (konsideratë). Hiqet dorë nga fitorja morale politike; hiqet dorë nga garancitë e një rregullimi të paramenduar e stabël, të hartës. Duhet vetëm një dëmshpërblim, dhe sa më shpejt të jetë e mundur...
Është e qartë se Shqipëria, para së gjithash, ka gabim të qenit pa miq e mbrojtje dhe të ndodhurit atje ku ndodhet një dhuratë (pre) e lehtë mbi një rrugë të rëndësishme. Ajo ka një gabim tjetër të madh në sytë e gjermanëve: sipërfaqja është shumë e vogël. Jo, zotni profesor, asnjëherë kombi i vogël nuk u detyrohet për lirinë e tij. E keni të tepërt kultin e sasisë për t’u interesuar për një atom. Etika juaj është nga më kuriozet: ajo i ka rrënjët e veta në shkencën e numrave dhe nuk është gjë tjetër veçse degë e statistikës. Për ju, vlerat morale dhe dinjiteti njerëzor, si vlera në vetvete, nuk ekzistojnë fare. Meqenëse Franca, vendi kalorësiak, numëron 40 milionë banorë kundrejt 90 milionë gjermanëve të perandorisë aleate, atëherë një francez mezi vlen sa gjysma e një gjermani, që nga ana e tij, barazohet me 11 belgë. Edhe një shqiptar është ekuivalent me 1/40 e një gjermani. A mundeni, ju, ashtu siç duhet, të pranoni të merreni me një popull që, për nga volumi, është sa gishti juaj tregues, apo gishti i madh i dorës?
Por kjo metodë aritmetike e konceptimit të problemeve morale, ka të këqijat e saj. Ky konceptim i ka vënë shpesh në pozitë diplomatët tuaj. Bismarku ka thënë: “Bullgaria nuk vlen as sa eshtrat e një këmbësori pomeranian. Dhe, në një farë mënyre, është e vërtetë, mbasi sot Bullgaria vlen jo vetëm sa eshtrat  e një të vetmi, por të mijëra ushtarëve gjermanë. Një anekdotë tjetër historike: Boerët, të inkurajuar nga Berlini, u shpallën luftë anglezëve; por, kur pas disfatës, presidenti Kruger, figurë e lutësit patetik e të respektuar, vizitoi Berlinin, i treguan brutalisht derën, këtij shefi të mundur nga një grusht fshatarësh. Gjithashtu, siç duhej të pritej, gjeneral Botha, në përgjigje të përpjekjeve tuaja të fundit për t’i vënë Boerët në lojën tuaj do t’ju tregojë portën dhe do t’i japë pavetësijes suaj një mësim të merituar.
Nga këto shembuj tipikë, ju mund të nxirrni një mësim: që largpamësia juaj lë për të dëshiruar dhe gabimet e gjykimeve të kaluara duhet t’ju ruanin nga çdo nxitim në vendimet e së sotmes. Pranoni zotni, konsideratën time më të lartë. 

Antologji studimore për shkrimtarët e ndaluar në diktaturë
“Studime për autorë të ndaluar”, titullohet botimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili për herë të parë ofron një përmbledhje studimore për autorë të shquar shqiptarë, të konsideruar “të ndaluar” gjatë viteve të diktaturës. Ndër këta autorë janë Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, Zef Skiroi, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Astrit Delvina, Kudret Kokoshi, Ali Asllani dhe Pjetër Arbnori. Kjo përmbledhje studimore është rezultat i një pune të gjatë, e cila nisi 13 vite të shkuara, për t’u lënë në mes, për shkak ngjarjeve të vitit 1997, e cila u pasua me ndryshimin e pushteteve. Hartimi i kësaj përmbledhjeje nuk ishte më në prioritetet e drejtuesve të rinj. Por puna rinisi sërish. Studimet mbajnë autorësinë e studiuesve të njohur të letrave shqipe, si Klara Kodra, Jup Kastrati, Gjergj Zheji, Koçi Petriti, etj. Për hartimin, seleksionimin, por edhe rifreskimin e studimeve, të realizuara kohë më parë, u kujdes prof.dr. Kudret Velça, i cili në këtë përmbledhje ofron kontributin e tij me një studim mbi shkrimtarin Ali Asllani. Në hyrje të librit ai shpreh mendimin e tij, që ky libër do të jetë një doracak i nevojshëm për çdo student në Shqipëri e trojet shqiptare jashtë kufijve, por edhe për të gjithë të interesuarit për të mësuar më shumë mbi veprën e këtyre autorëve. Disa prej tyre edhe pse tepër të njohur, janë parë nga këndvështrime të reja nga ana e studiuesve, ndërkohë që na vijnë të reja informacione dhe analiza për autorë më pak të trajtuar si Astrit Delvina e Kudret Kokoshi. Vepra vjen përmes shtëpisë botuese “Fan Noli” dhe kushton 1 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›