Vjetërsia e laboratorëve, po nxjerr rezultate të gabuara të analizave
Emanuela Sako
Shpeshherë laboratorët e analizave kanë pasur paqartësira në dhënien e rezultateve të analizave. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska, shprehet se laboratorët nuk janë gjithmonë të saktë në dhënien e rezultateve të analizave të kryera për pacientët. Sipas tij, kjo vjen si pasojë e disa aparaturave të vjetruara, që nuk janë në gjendje të mirë funksionale dhe si pasojë krijojnë amulli në dhënien e rezultateve. Për këtë arsye ato lënë vend për kurime të gabuara ndaj pacientëve, çka përbën problem apo rrezik për gjendjen shëndetësore të pacientëve. Raste të tilla çojnë në mjaft probleme negative të pacientëve, siç është konsumimi i tepërt dhe i padobishëm i barnave.
Laboratorët
Aktualisht, në QSUT funksionojnë dy laboratorë të mëdhenj, që janë ai Imunologjik dhe Laboratori Klinik-Biokimik. Ky i fundit, gjatë vitit të kaluar ka qenë më i përmenduri për mungesat e mëdha në elementë të pajisjes. Madje gjatë një kohe të gjatë nuk janë kryer të gjitha analizat, por vetëm një pjesë e vogël e tyre. Në këta laboratorë kryhen të gjitha analizat e pacientëve që drejtohen në QSUT, në varësi të sëmundjes dhe analizave që përcaktohen nga mjeku. Çdo pacient që vuan nga një sëmundje dhe drejtohet tek mjeku është e nevojshme që të kryejë analizat përkatëse. Por në rast se rezultatet jo gjithmonë dalin të sakta, në ato raste ata do të marrin mjekimin e gabuar, çka lë vend për shkaktimin e efekteve anësore.
Rastet
Për këtë arsye lindin dhe mjaft probleme edhe në dhënien e barnave të tepërta për pacientët. Prandaj shqiptarët konsiderohen konsumatorët më të mëdhenj të barnave në Europë. Sipas specialistit Thereska, mjekët shpeshherë u japin barna të tepërta pacientëve për shkak të mospërcaktimit të saktë të sëmundjes që ata kanë. Një ndër arsyet kryesore që mjekët rekomandojnë barna pa qenë nevoja janë rezultatet e pasakta që dalin nga laboratorët, ku mjekët detyrohen të japin kurën pa qenë nevoja. Një pjesë e mjekëve janë të prirë t’u japin barna pacientëve sepse nuk përcaktojnë sëmundjen e saktë, qoftë dhe kur ata kryejnë një vizitë të thjeshtë. Në raste të tjera janë pacientët që nuk kanë besim te mjeku dhe kërkojnë medoemos marrjen e barnave. Nga ana tjetër, cilësia e dobët e barnave bën që ato të mos japin e efekt te pacienti dhe detyrimisht ata do të marrin alternativa të tjera. Shpeshherë pacientët marrin medikamente pa rekomandimin e mjekëve, pasi përfundojnë dozat e marra dhe e ripërsërisin dozën sipas dëshirës. Megjithatë, konsumimi i tepërt i barnave kur nuk janë të domosdoshme shkaktojnë probleme të mëdha shëndetësore.
Autoritetet e shëndetësisë po tregojnë kujdes ndaj infeksioneve sezonale
Autoritetet e Shëndetit Publik kanë rritur survejancën për arsyet e shkaktimit të virozave të stinës dhe kurimin në kohë. Në këto ditë të nxehta vere virozat stinore janë mjaft të përhapura dhe pikërisht survejanca e specialistëve përqendrohet në infeksionet sezonale, intoksikacioneve, si dhe cilësinë e ujit të pijshëm. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli shprehet se në këto muaj janë rritur infeksionet sezonale ndaj fëmijëve.
“Ne gjatë verës fokusohemi kryesisht ndaj gastrotariteve, intoksikacioneve ushqimore, cilësisë së ujit të pijshëm. Në momentin që ne po flasim kemi një rritje të gastroteriteve në Shqipëri, e fokusuar kryesisht tek fëmijët e vegjël e lidhur me kushtet klimatike dhe në përgjithësi me kushtet e higjienës”, -shprehet Alban Ylli. Sipas tij, infeksionet në stinën e verës, e kanë origjinën në pjesën më të madhe nga mungesa e higjienës. Ai u bën apel të gjithë qytetarëve, duke parandaluar këto infeksione, parandalohen ndoshta dhe gripin pandemik, pasi mungesa e higjienës, është një nga rrugët e përhapjes së tij.
Poliklinika nr 1, me qendër Imazherie
Tani qytetarët do të kenë mundësi të marrin nj shërbim shëndetësor në poliklinikat e lagjes, duke shmangur radhët e gjata në QSUT. Poliklinika e Specialiteteve nr 1, në kryeqytet ose siç njihet ndryshe Poliklinika Iraniane, do të ketë tashmë një qendër imazherie. Kjo do të jetë e para poliklinikë që ka një aparaturë Radiologjie të vitit 2009. Kjo aparaturë është blerë më fonde të qeverisë. Shiritin e inaugurimit të kësaj aparature e preu vetë ministria e Shëndetësisë Anila Godo. Kjo aparaturë moderne, e cila kryen disa funksione, do t’u shërbejë rreth 300 mijë banorëve të zonës. Pas këtij aparati radiologjie, qendra më e re e imazherisë, pritet të pajiset me të tjera pajisje që do të shërbejnë për ekzaminime të sofistikuara.
Ndjekje penale për të moshuarën që abuzoi me pensionin
Antikrimi ekonomik-financiar i policisë së Tiranë, çon për ndjekje penale një 62-vjeçare pasi dyshohet se siguroi pension me dokumente false. Burime nga policia thanë se H.L, 60-vjeçe, dyshohet se ka paraqitur një certifikatë personale të falsifikuar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurime Shëndetësore Tiranë, me synim për të përfituar pension pleqërie. 62-vjeçarja, e cila dyshohet se ka paraqitur certifikatë personale të falsifikuar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurime Shëndetësore Tiranë, me synim për të përfituar pension pleqërie. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar dosja e saj në Drejtorinë Rajonale të Sigurime Shëndetësore. Kohët e fundit janë shtuar rastet e procedimeve penale për qytetarët që dyshohet se kanë marrë një pension me faturë të lartë financiare që nuk u takonte.
11 Gusht 2009