E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat angleze: Dashuria e famshme e Lorik Canës

 

Leonard Karaj

Nuk kanë fund lajmet për Lorik Canën. Këtë herë mediat angleze nuk janë marrë me karrierën futbollistike të mesfushorit të kombëtares shqiptare por kanë zhbiruar në jetën e tij private. Në pamje të parë të tabloidit "The Sun" ka rënë historia e dashurisë së Lorik Canës me "Miss Kosova 2008" Zana Krasniqi. Sipas kësaj të përditshmeje Zana tashmë është duke marrë informacion për apartamentet në zonën ku është akomoduar edhe Lorik Cana për ti qëndruar sa më pranë tashmë që ai luan për Sanderland.
Modelja kosovare që ëndërron të bëhet një stiliste mezi po pret që të zbarkojë në ishull ku natyrisht në qendër të vëmendjes së saj do të jenë udhëtimet dhe shoping në qendrat tregtare më të mira dhe luksoze. Në pak fjalë, me mënyrën që ajo po shfaq nuk është çudi që të konsiderohet si "WAG'S" (bashkëshortet e famshme të futbollistëve) e re e Premier League.
Por kjo do të binte ndesh me "politikën" e ndjekur nga klubi i Sanderlendit që prej kohës së Roy Keane (ish-trajner i kësaj skuadre 2006-2008). Deklarata e tij asokohe pati bërë bujë kur ai tha se kishin qenë bashkëshortet e futbollistëve të Sanderland që kishin shkaktuar rezultate të dobëta dhe largimin e tij nga drejtimi i ekipit. I vetmi që mbështeti Roy Keane ishte Sam Allerdyce, trajneri aktual i Blackburn Rovers. Madje ky i fundit pati kërkuar në verën e 2007-ës që futbollistët e tij të mos takoheshin me të fejuarat ose gratë e tyre gjatë fazës përgatitore.
"Është qesharake teksa mendoj se disa futbollistë drejtojnë karrierën e tyre në bazë të çka u thonë të fejuarat ose bashkëshortet e tyre. Mendoj se kjo është një dobësi e tyre", pohonte Roy Keane. Nisur nga kjo Sanderland pati vënë një rregullt të pashkruar ku nuk lejonte që bashkëshortet e futbollistëve të futeshin dhe të bëheshin pjesë e jetës së klubit. Një gjë e tillë pati detyruar gjatë kësaj vere sulmuesin Peter Crouch që të mos firmoste për këtë skuadër. Sipas tij e fejuara Abbey Clancy nuk donte që të lëvizte nga Londra kështu që ai nuk mund të pranonte ofertën e drejtuesëve të Sanderlend. Në këtë linjë nuk dihet ende sesi do të sillen drejtuesit e "maceve të zeza" në rastin e Lorik Canës, jeta personale të të cilit ka qenë një mister deri para zhbirimit dhe publikimit të shkrimit të të përditshmes "The Sun".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›