Sherret e gjitonëve, plagoset 19-vjeçarja
Plagos me automatik fqinjën e tij 19-vjeçare, arrestohet nga policia 60-vjeçari. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në Laç, kur Xhafer Hoxha, 60 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me komshinjtë e tij, ka plagosur me armë zjarri automatik, 19-vjeçaren L. S., e cila ka marrë plagë në këmbë. E dëmtuara është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pa dëmtime serioze. Vetëm 15 minuta pas ngjarjes policia mundi të kapte Xhafer Hoxhën, ndërsa sekuestruan dhe armën e zjarrit tip automatik, me të cilën dyshohet se është kryer krimi. Materialet në ngarkim të 60-vjeçarit Xhafer Hoxha do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të “vrasjes e mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Shpërthen nënstacioni elektrik në Elbasan, plagosen tre punonjës
Tre elektricistë kanë mbetur të plagosur dje pas një shpërthimi që ndodhi në nënstacionin elektrik të Elbasanit në afërsi të Kombinatit Metalurgjik. Një inxhinier dhe dy punonjëse mbetën të plagosur pas shpërthimit që ndodhi mëngjesin e sotëm brenda kabinës së nënstacionit. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e këtij shpërthimi. Nga hetimet e para dyshohet se ka qenë një qark i shkurtër shkaktari i shpërthimit brenda në kabinë, çka ka sjellë lëndimin e inxhinierit Veli Sulovari, 54 vjeç, dhe dy punonjëseve, Roza Bezhanit, 50 vjeçe, dhe Alma Seitaj, 40 vjeçe. Mësohet se të dëmtuarit u transportuan në Spitalin e Elbasanit nga ku mësohet se dy punonjëset janë në gjendje të rëndë ndërsa inxhinieri ka marrë vetëm disa plagë të lehta.
11 Gusht 2009