E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radiogrami i KQ për Hrushovin: Liri Gegën nuk e pushkatuam shtatzënë

 

afrim imaj

“Autoritetet shqiptare kanë pushkatuar Liri Gegën shtatzënë!” Lajmi i bujshëm mbërriti nga Moska në kulmin e fushatës sensibilizuese kundër tradhtarëve të kryqëzuar rishtas në Konferencën e Tiranës të ‘56.I pari që u përball me akuzën e Kremlinit ishte Enver Hoxha, gjatë vizitës në Moskë në prillin e vitit 1957. Hrushovi që më herët i kishte hequr vërejtje për arrestimin e Liri Gegës dhe Dali Nderut me anën e një radiogrami sekret, këtë radhë e sulmoi papritur me “bombën”: Pse e pushkatuat shtatzënë Liri Gegën?! Profesor Agim Popa në rrëfimin për “Panorama” sjell një retrospektivë të ngjarjes së panjohur në pragun e divorcit të madh.
 Zoti Agim! Në ditarin tuaj shpjegoni se fryma e Konferencës së Tiranës së ‘56, ishte përthyerje e mesazheve të Kongresit të XX të PK të BS dhe Hrushovit për më shumë debat e liri në radhët e Partisë. Cili ishte reagimi i kreut të Kremlinit pas dënimeve të rënda për delegatët e penalizuar si devijues e elementë antiparti?
Unë jam një nga dëshmitarët e debateve të atij kuvendi, ku mjaft nga delegatët e nxitur nga materialet e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, por sidomos nga mesazhet e Hrushovit në të, vranë si me thënë “frikën” dhe ngritën probleme të shumta, që në thelb kishin të bënin me rishikimin e vijës së partisë dhe rehabilitimin e mjaft prej figurave të goditura politikisht me akuza të ndryshme. Guximi në këtë rast u “shpërblye” aty për aty dhe mjaft syresh përfunduan në ferrin e burgjeve politike. Reagimi sektar i Enver Hoxhës në ditën e dytë të Konferencës, u bë në një farë mënyre “fletë” arresti e “aktakuzë” për shumëkënd prej delegatëve që shfaqi mendime të kundërta me lidershipin e kohës...
Mjaft nga viktimat e Konferencës së Tiranës u etiketuan agjentë të Titos e të revizionizmit jugosllav. Me çfarë argumentesh i penalizonte Enveri si të tillë?
Argumentet e Enverit janë dokumentuar në veprat e tij të botuara qysh atëherë, por edhe më vonë. Nuk mendoj se përtej tyre kreu i Partisë fshihte diçka tjetër. Në këtë aspekt është me interes mënyra si këta “shërbëtorë” të UDB-së, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, u identifikuan edhe si agjentë të revizionizmit hrushovian(!) Ishte koha kur raportet e Beogradit me Moskën përjetonin muajin e mjaltit...
E keni fjalën pas divorcit me Moskën në vitin ‘60...
Në fakt konfliktet siç dihen kishin nisur më herët. Qëndrimi ndaj verdiktit të Konferencës së Tiranës, ishte një nga problemet për të cilat Tirana dhe Moska ndanin mendime të ndryshme. Madje, Hrushovi shprehej shumë i indinjuar për mënyrën si Enveri kishte goditur delegatët që kishin shprehur mendime në kundërshtim me vijën ekzistuese të Partisë...
Pra, kreu i Kremlinit nuk e kishte miratuar frymën me të cilën u procedua në Konferencën e Tiranës...
Më shumë se kaq, Hrushovi sa ishte njoftuar për penalitetet ndaj delegatëve “devijatorë”, kishte reaguar me ashpërsi dhe në rrugë diplomatike i kërkonte lidershipit të Tiranës për të rishikuar qëndrimin. Pati ndërkaq dhe këshilla të drejtpërdrejta, siç ishte ajo për të mos dënuar Liri Gegën e Dali Ndreun, të cilët u arrestuan pas Konferencës së Tiranës me akuzën si agjentë të UDB-së dhe shovinizmit titist...
Në cilat rrethana Hrushovi i kërkoi Enverit për të nxjerrë nga burgu Liri Gegën e Dali Nderun...
Në periudhën pas Konferencës së Tiranës, ambasadori i Bashkimit Sovjetik në vendin tonë, Kriovit, dorëzoi në KQ një radiogram me karakter tepër sekret. Nëpërmjet tij transmetohej porosia e Hrushovit që Enveri të ndërhynte për të nxjerrë nga burgu Liri Gegën e Dali Ndreun, të cilët ishin arrestuar si elementë antiparti dhe agjentë të UDB-së jugosllave...
Reflektoi Enveri pas këtij mesazhi nga Moska?
Enveri ishte në kulmin e fushatës ndaj të ashtuquajturve shërbëtorë të revizionizmit titist dhe agjentë të zbulimit jugosllav dhe kuptohet nuk mund të kishte kthim prapa. Megjithatë, radiogramit të Hrushovit nuk mund t’i përgjigjej negativisht. Kështu që dokumenti i ardhur nga Moska mbeti në sirtarët e Komitetit Qendror dhe për shumë kohë nuk u mor njeri me të. U zgjodh heshtja, si reagimi më i  mirë ndaj tij. Po Moska dhe Hrushovi nuk e lanë në harresë çështjen e Lirisë dhe Dali Ndreut...
Ndërkaq, në Tiranë u bë pushkatimi i tyre...
Me sa më kujtohet pushkatimi i Liri Gegës dhe Dali Ndreut u bë diku nga muaji nëntor i vitit ‘56. Ky akt nuk mund të kalonte pa u vënë re nga Kremlini, ca më tepër që kreu i tij më herët kishte apeluar zyrtarisht drejtpërdrejt tek Enveri. Këtë radhë Hrushovi do ta kapërcente vërejtjen e tij përtej caqeve miqësore. Madje, do akuzonte për brutalitet dhe shkelje flagrante të së drejtave të njeriut...
Si vazhdoi sjellja e Hurshovit pas pushkatimit të Liri Gegës dhe Dali Ndreut?
Për herë të parë Hrushovi çështjen e Liri Gegës dhe Dali Ndreut ia ngriti ballë për ballë Enverit gjatë bisedimeve në Moskë në prill të vitit 1957. Plotë katër muaj pas pushkatimit të tyre. Pa pikë droje kreu i PK të Bashkimit Sovjetik, në shtëpinë e tij e qortoi ashpër Enverin për barbarinë ekstreme në ekzekutimin e këtyre dy figurave të rëndësishme të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare. “Dënimi i Dali Ndreut dhe Liri Gegës me pushkatim ishte një gabim shumë i rëndë”, e kritikoi lideri i Moskës homologun nga Tirana. Enveri nga ana tjetër u mundua të argumentonte me mënyrën e vet fajësinë e tyre si elementë antiparti me një aktivitet të zgjeruar agjenturor në dëm të interesave kombëtare. Debatet vazhduan disa çaste. Pastaj Hrushovi me një ndërhyrje të papritur, e la Enverin të shtangur. “Ju nuk pushkatuat dy, por tre”, i tha mikut nga Shqipëria, duke i kujtuar faktin që Liri Gega u ekzekutua kur ishte shtatzënë. Me sa duket kjo e zuri në befasi Enverin, që aty për aty nuk dinte çfarë të thoshte. Akuza në adresë të autoriteteve shqiptare këtë radhë bëhej më kritike. Do të përmendej kjo shkelje e rëndë sipas sovjetikëve edhe pas divorcit historik me Kremlinin, ku vihej në dukje jo për herë të parë se Liri Gega ishte shtatzënë kur u pushkatua.
Si u mbrojtën përballë kësaj akuze autoritetet shqiptare?
Me përmbajtjen e saj, ato për herë të parë u njohën pas kthimit të Enverit nga Moska në fund të prillit ‘57. Me mbërritjen në Tiranë ai kërkoi shpjegime të hollësishme për rrethanat në të cilat ishte pushkatuar Liri Gega. Mjaftoi kaq për t’u vënë në lëvizje me dhjetëra mekanizma e institucione shtetërore. Të parët ia nisën nga puna për zbulimin e së vërtetës rreth akuzës së Hrushovit  mjekët e besuar të nomenklaturës. Ato hodhën idenë për të bërë riekzaminimin e kufomës dhe një autopsi të plotë të saj. U morën të gjitha masat dhe kur do niste operacioni i fshehtë i bluzave të bardha një urdhër tjetër ndërpreu çdo gjë. Mrekullia kishte ndodhur pas një bisede konfidenciale të mjekut Selaudin Bekteshi me një nga zyrtarët e lartë të KQ. Profesori i njohur, sa kishte marrë vesh shqetësimin e udhëheqjes politike, kishte shfrytëzuar njohjen me mikun e tij, duke i pohuar se Liri Gega nuk kishte mundësi të ishte shtatzënë pasi pak vite më parë ai kishte marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale me anën e së cilës i kishin hequr mitrën. Kjo do vendoste përfundimisht mbi përgjigjen e Enverit në adresë të Hrushovit rreth akuzës për pushkatimin shtatzënë të Liri Gegës. Së paku, për liderin e Tiranës nga ky moment nuk do të kishte më dilemë për këtë çështje...
U informua Hrushovi me të dhënat e siguruara nga profesor Selaudin Bekteshi?
Unë nuk kam pasur drejtpërdrejt kontakt me këto procedura, por nga kolegët e punës kam marrë vesh se menjëherë pas zbardhjes së këtyre provave, është përgatitur e adresuar një radiogram i veçantë për Moskën në të cilën sqarohej e vërteta për rrethanat në të cilat u pushkatua Liri Gega. Se çfarë efekti bëri ky sqarim, fakti që Hrushovi e ringriti si akuzë edhe gjatë përplasjeve të vitit ‘60, tregon se jo vetëm nuk e ka besuar, por e ka vlerësuar të manipuluar...
Po ju vetë keni pasur rast ta diskutoni me profesor Bekteshin këtë çështje?
Profesor Bekteshi, për të cilin kam pasur respekt jo thjesht si mjek i talentuar, por edhe si një nga intelektualët më në zë të kohës, ma ka treguar këtë gjatë një bisede spontane kur flisnim për konfliktet në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë. Të them të vërtetën e kam besuar dhe për asnjë moment, për aq sa e njihja, nuk e kam vënë në diskutim rrëfimin e tij. Kështu që akuza e Moskës për rrethanat në të cilat u pushkatua Liri Gega, për mua ka qenë një alibi dhe vetëm kaq...
vijon nesër

Vdes ish-byroisti Pali Miska
Vdes Pali Miska, ish-anëtari i Byrosë Politike dhe ish-sekretari i parë i kohës së komunizmit. Një atak kardiak i mori jetën pasditen e djeshme Miskës në spitalin e kryeqytetit ku ishte shtruar pas disa problemeve kardiake që kishte shfaqur kohët e fundit, të cilat stimuloheshin edhe nga mosha e tij. Miska ka qenë për shumë vjet anëtar i Byrosë Politike, ndërkohë që ka drejtuar disa rrethe gjatë kohës së qeverisjes së komunizmit. Pas vendosjes së pluralizmit në vitin 1991, Miska si shumë anëtarë të Byrosë Politike u arrestua dhe kaloi disa vite në burg. Pali Miska vitet e fundit ka jetuar në Tiranë.

Spanjollët: Nuk na dalin të hollat e grabitura në banka

Me të huajt e ardhur në Tiranë kanë konsumuar biseda edhe për grabitje bankash dhe akte terroristësh. Në morinë e çështjeve që liderët e partive marksiste-leniniste shqyrtonin me kolegët e Tiranës, probleme të tilla diskutoheshin më rrallë, por në çdo rast të adresuara. Në ditarin e Profesor Agim Popës, kanë mbetur të dokumentuara disa syresh, madje të shënuara me detaje. Njëra ndër to, është një bisedë e Foto Çamit me kreun e Partisë Komuniste të Spanjës, ku ky i fundit teksa i kërkon ndihma financiare i vë në dukje se edhe të hollat e grabitura nga bankat e kapitalistëve të Madridit, ishin të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e partisë....
 9.12. 1974
Takim me delegacionin e Partisë ML të Spanjës
Shoku Raul Marko: Ndodhemi në krizën më të rëndë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në Spanjë. Me sëmundjen e Frankos po bëhen manovra për vazhdimin frankorizimit pa Frankon...Në Spanjë nuk mund të ndodhë ajo që ndodhi në Portugali. Po përgatitemi ta përballojmë situatën në kushte ilegaliteti, por na duhet ndihmë dhe përvojë.
A mund të na shtoni ndihmën ekonomike për vitin 1975 sepse kemi disa vështirësi. Kemi grabitur dhe disa banka, por kjo metodë nuk është shumë e preferuar. Kryesisht mbështetemi tek ndihmat nga populli, por këtë vit kemi shumë nevoja. Pata një takim me ambasadorin kinez këtu. Nuk kemi pasur kontakte me të që nga viti ’71. I Kërkova dërgimin e një delegacioni në Kinë.
Shoku Foto Çami: Shtrirja e partisë dhe rritja e saj krijon disa probleme, si atë të kuadrove. Por nuk është i pazgjidhshëm. Këtë e tregon eksperienca jonë e luftës nacionalçlirimtare. Duhen ngritur më me guxim kuadrot e reja, duke i provuar në front.
Duhet ruajtur ilegaliteti i strukturave ilegale të partisë, por duhet kombinuar puna ilegale me atë legale të saj. Lidhur me kërkesat financiare do t’i studiojmë me shokët dhe do t’ju kthejmë përgjigje.
9.10.1982
Takim me shokun Raul Marko
Shoku Raul Marko: Pasi informon për zgjedhjet e bëra në Spanjë, për plenumin e fundit të PK spanjolle dhe për aktivitetet ndërkombëtare të partisë, i rikthehet çështjes së konfliktit me Partinë Komuniste M-L të Gjermanisë. “Konflikti dhe divergjencat me gjermanët vazhdojnë të jenë të njëjta. Patëm një takim në qershor në Dortmund me iniciativën tonë. Kemi rënë dakord të takohemi në vijim në nëntor në Spanjë. Është shumë vështirë të diskutosh me ta, sepse nuk flasin qartë dhe i shtrembërojnë gjërat. Ata vazhdojnë të jenë në një rrugë të rrezikshme dhe oportuniste. Së fundi, ata kanë dalë me teorinë se revolucioni mund të bëhet pa partinë M-L
Shoku Foto Çami: Pa na i sqaroni më hollësisht çështjen e social shovinizmit?
Shoku Raul Marko: Lidhur me socialshovinizmin, duhet të flasim për Planin e Paqes të shokëve gjermanë. Ata flasin për bashkim të dy Gjermanive, duke ruajtur politikën e tyre, armatimet e tyre etj..
Shoku Foto Çami: Lidhur me marrëdhëniet me gjermanët na vjen mirë që keni zgjedhur rrugën e bisedimeve. Nuk duhet thënë që në fillim fjala e fundit. Nëse kemi të bëjmë me shokë që gabojnë, nuk duhet ngutur. Po kaluan në armiq pastaj le t’i luftojmë si të tillë…

Popa: Një “Ardhsh i bardhë” në Reç për të ziun Abeli nga Kolumbia

Kishte ardhur Abeli, lideri i Partisë Komuniste të Kolumbisë dhe në vazhdim të vizitës në Shqipëri, sipas porosisë së Ramiz Alisë e shoqërova në festën e Reçit në Shkodër. Ishte një ditë e bukur dhe herë pas here mysafiri i largët gjatë rrugëtimit kërkonte për të ndaluar në vende të ndryshme. Kur mbërritëm në Reç festa sa kishte filluar. Na dolën përpara organizatorët e saj dhe si u përshëndetëm na njohën me planin e festës duke na ftuar drejt podiumit. Në hyrje të tij, një burrë i moshuar, njëri ndër veteranët e njohur të zonës, teksa i dha dorën Abelit, i uroi mirëseardhjen në zhargonin e zonës “Ardhsh i bardhë miku im!!”
Sakaq kolumbiani u kthye nga unë për të marrë vesh çfarë i kishte thënë malësori i thyer në moshë. Aty për aty ia përktheva fjalë për fjalë, por me dyshimin se nuk do t’ia zinte fillin. “Më uron të vij i bardhë si bora, apo jo?” ja bëri me fytyrë nga mua Abeli. Po, i pohova pa e zgjatur. “I thuaj këtij burri të nderuar, vazhdoi pastaj, se sa herë kam me ardh, i zi kam me qenë!”. Mjaftoi kaq dhe u ndez e qeshura. Miku nga Kolumbia që me sa dukej nuk e kuptonte sensin e humorit në këtë rast na shikonte në sy. Ishte diçka spontane, po gjithsesi e bukur. Në fakt Abeli ishte krejt i zi, por nuk kishte tipare negri. Më ka ndodhur me të diçka e tillë edhe një herë tjetër. Ishim duke lundruar me një anije të vogël në Durrës. Abeli mbante një aparat fotografik dhe në një moment ia zgjati Dashnor Dervishit, duke i thënë të bënte disa shkrepje për t’i pasur kujtim. Dashnori mori aparatin disa çaste me radhë filloi të sillet sa nga njëri skaj te skaji tjetër i anijes. Po ti shkrepe, se na plase!, i tha Abeli që ishte vendosur te krahu im. Kërkoj një pozicion të përshtatshëm, se u bie hija në fytyrë dhe del poza e zezë, shpjegoi me çiltërsi Dashnori. “Mos u lodh gjatë, i tha Abeli, po shkrepe aty ku je, se ngado të më fotografosh, fytyra e zezë ka me më dalë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›