Problemet në sy, përse duhet të shmangi diellin dhe syzet që duhen përdorur
Specialistët e okulistikës japin këshilla të rrepta për mënyrën e trajtimit të syve gjatë verës. Ata shprehen që të mos anashkaloni sytë kur mendoni për mbrojtjen nga rrezet ultraviolet me nxehjen e motit – këshillojnë ekspertët. Ekspertët rekomandojnë që gjatë ditëve që bëni banjo dielli të kushtoni një rëndësi të veçantë edhe syve. Ekspozimi i gjatë i syve nën rrezet e forta të diellit dhe veçanërisht ato UV mund të shkaktojë një sërë problemesh, të tilla si katarakti (perdja) që shkaktohet në përgjithësi nga mosha, fotokeraktis dhe ndryshimet korneale. Këto sëmundje mund të shkaktojnë pamje të turbullt, rritim, skuqje, lotim, humbje të përkohshme të shikimit dhe në disa raste edhe verbim. Ashtu si edhe lëkura digjet nga rrezet UV, edhe syri mund të pësojë dëmtime. Mësimi- sidomos për të rinjtë – është që sytë kërkojnë mbrojtje, gjithashtu. Mbrojtja mund të bëhet me metoda të thjeshta dhe të sigurta, si për shembull mbajtja e syzeve që nuk pranojnë rrezet UV. Fëmijët dhe adoleshentët janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve të syrit, pasi ata harxhojnë edhe më shumë kohë nën diell se sa të rriturit, dhe lentet e syve të tyre janë më transparente se sa ato të të rriturve, që do të thotë se rrezet e dëmshme e kanë më të lehtë të depërtojnë në retinë. Por duket se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë mirë rrezikun që rrezet UV shkaktojnë për syrin. Një studim i fundit tregoi se 40% e Amerikanëve nuk e lidhnin blerjen e syzeve me mbrojtjen nga UV, por thjesht për qejf. Studimi zbuloi gjithashtu se 61% e Amerikanëve blinin syze për fëmijët e tyre, por 23% nuk i kontrollonin fare nëse ato ishin me xham kundra rrezeve UV.
Shmangia
Shikimi duhet mbrojtur nga rrezet UV, duke shmangur ekspozimin ne orët 11:00-16:00. duhet të keni parasysh dritën e ekspozuar nga toka. Uji i detit, për shembull, fuqizon së tepërmi sasinë e rrezeve që depërton në sy. Mos harroni asnjëherë syzet e diellit. Duhet t’i mbani gjithmonë kur jeni në ajër të pastër, edhe pse qielli është me re apo jeni poshtë çadrës. Shumica e rrezatimeve të shndritshme janë përthithur nga niveli i thjerrëzave qelqore të syve dhe mund të shkaktojnë probleme në sy. Njëkohësisht, duhet të jeni të kujdesshëm në zgjedhjen e syzeve që i përthithin plotësisht rrezet UV. Thjerrëzat mbrojtëse duhet të jenë në gjendje të përthithin plotësisht rrezet ultravjollcë dhe deri në 96% rrezet infra të kuqe. Përthithja totale e rrezeve infra të kuqe përbën mbrojtjen optimale, por është e pamundur për t’u realizuar, sepse do të verifikohej një shtrembërim në perceptimin e ngjyrave blu që do të shfaqet e zezë, ngjyra e verdhë do të ishte e zbehur dhe ngjyra vjollcë do të dukej e kuqe.
Kontrolloni etiketën
Është mirë të kontrolloni gjithmonë etiketën në momentin e blerjes së syzeve të diellit. Etiketat duhet të mbajnë edhe treguesin e fuqisë filtruese në një shkallë nga zero deri në katër. Treguesi 0: tregon një fuqi filtruese zero, pra që lënë të kalojë nga 80-90% të rrezatimit të shndritshëm. Treguesi 1: pengon 43-80% të rrezatimit të shndritshëm. Treguesit 2 dhe 3: janë syze të këshillueshme për një ndriçim të mesëm dhe të fortë si në det, për shembull gjatë verës. Syzet me tregues 4 janë të përshtatshme në kushtet e një ndriçimi diellor të jashtëzakonshëm, si në male me dëborë.
Vendosini syzet edhe gjatë qëndrimit në det
Ata që pëlqejnë skitë në det ose të shëtisin me varkë, duhet të tregojnë më shumë kujdes, pasi kalojnë shumë kohë në kontakt me diellin dhe me ujin, refleksi i të cilit shton intensitetin e rrezeve ultravjollcë. Përdorimi i syzeve për ata është i domosdoshëm. Skeleti duhet të ketë një formë anatomike dhe duhet të jetë mbështjellës që të mbështetet mirë në hundë dhe në veshë për të garantuar komoditet dhe mbrojtje. Tregoni kujdes në përzgjedhjen e skeletit, pasi është mirë që të mos ndiqni shumë modën në përzgjedhjen e skeletit, i cili duhet të jetë sa më shumë mbështjellës, në mënyrë që të mbulojë gjithë zonën që rrethon syrin. Ky skelet është i këshillueshëm, sidomos për në pune ose për aktivitete sportive, të cilat kërkojnë ekspozim në ajër për një kohë të gjatë. Anësoret dhe bishti i syzeve nuk duhet të jenë shumë të gjera, që të mos pengojë shikimin anash.
Zgjidhni syzet në ngjyrën më të përshtatshme
Të vjellat, marramendja, apo probleme të tjera mund të shkaktohen pikërisht nga zgjedhja e një ngjyre jo të përshtatshme me kërkesat e të parit. Një njeri që shikon mirë duhet të zgjedhë nga ngjyra kafe të jeshilja e grija. Miopët duhet të zgjedhin ngjyrën kafe, sepse defekti i tyre i bën të fokusojnë më mirë spektrin e dritës më të afërt me infra të kuqe. Jeshilja për ato që janë dritëgjatë ose hipermetrope, sepse në këto raste priret të fokusohet spektri i dritës më afër me atë ultravjollcë. Syzet e sfumuara (të errëta sipër dhe të qarta në bazë) në ngjyrë blu, të verdhë, të kuqe dhe lejla, nuk këshillohen, sepse nuk e filtrojnë aq sa duhet dritën e diellit. Përpara se të zgjidhni syzet është e këshillueshme të bëni një vizitë te okulisti
Ata që mbajnë lentë kontakti rrezikojnë më shumë, sepse këto janë proteza të vendosura në sy që e shtojnë thatësinë dhe mund të shkaktojnë probleme. Prandaj është mirë të mos i vendosni në plazh. Lentet UV blocking (kundër rrezeve UV) janë një mbrojtje më tepër, por efekti i tyre nuk është ende i tillë, që të lejojë zëvendësimin prej tyre të syzeve të diellit.
Higjiena duhet të jetë absolute
Edhe pse nuk ka ndonjë kufij të grupmoshave që mund të përdorin lente, logjika të çon tek sugjerimi që mund t’ju bëjmë të rinjve: Do të ishte mirë që lentet e kontaktit të përdoren pas moshës 16-vjeçare. Kjo për arsye se më të rriturit tregojnë më mirë kujdes sa i përket përdorimit të tyre dhe mirëmbajtjes. Përdorimi i lenteve të kontaktit, si ato korrigjuese me numra për shikimin, si edhe ato me ngjyra kërkon një kujdes shumë të veçantë dhe të përhershëm. Personi që mban lente kontakti duhet të mos ta ekzagjerojë me mbajtjen e lenteve. Nuk sugjerohet që këta persona, pas një dite intensive, edhe të flenë pa i hequr lentet e kontaktit. Këto lente duhet të hiqen çdo natë dhe të vendosen në kutinë e posaçme ku ndodhet edhe solucioni që i pastron, në rastet e lenteve të kontaktit mujore apo njëvjeçare. Kujdes të madh duhet treguar edhe me higjienën personale, sepse nuk duhet prekur asnjëherë lentja që përdor me duar të palara. Kjo mund të çojë edhe në infeksione të ndryshme të syrit. Si kur e vendos lenten në sy, ashtu edhe kur e heq duart duhet të jenë shumë higjienike. Njëkohësisht nuk duhet prekur syri gjatë ditës, për të mos e acaruar me kruajtjet që mund t’i bëhen atij. Sa u përket lenteve të kontaktit ditore, ato pas përdorimit njëditor nga çdokush duhet të hidhen duke mos u përdorur më, sepse edhe materiali përbërës është destinuar që të përdoren vetëm një ditë. Sa u përket lenteve të kontaktit korrigjuese, të cilat kryejnë funksionin e lenteve të syzeve, kujdesi duhet të jetë po i njëjtë, pasi edhe këto lloj lentesh kontakti, përbëhen nga i njëjti material që quhet hidroxhel, i cili mban në vetvete edhe korrigjimet e shikimit të çdo personi. Këto lloj lentesh kontakti mund ta ndihmojnë shumë personin që mban syze për t’u shfaqur me një pamje, nga e cila nuk e kupton aspak që ai mund të ketë probleme me shikimin.
Këshillat janë:
Përdorni syze mbrojtëse gjithmonë, sa herë dilni jashtë, edhe kur ditët duken me re ose gjatë dimrit
Blini syze cilësore që ofrojnë mbrojtje të mirë UV. Ato mund të bllokojnë rreth 99% të rrezeve UV-A dhe UV- B, dhe thyejnë 75% - 90% të dritës
Sigurohuni se syzet janë perfektë në ngjyrë dhe nuk formojnë shtrembërim të shikimit
Blini syze me xham ngjyrë gri. Ato thyejnë intensitetin e dritës pa ndryshuar ngjyrën e objekteve, duke dhënë vizionin e ngjyrave sa më natyrale
Sigurohuni se fëmijët dhe adoleshentët të mbajnë syze. Ata shpenzojnë më shumë kohë jashtë se sa të rriturit.
11 Gusht 2009