Konjufca: Përgjimet nuk kanë cenuar privatësinë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Arben Gashi, ka thënë se përgjimet nuk e kanë shkelur privatësinë dhe se mediat e kanë për punën e tyre shumë mirë.
“Afera e përgjimeve ka qenë një aferë për të cilën unë personalisht duhet ta përgëzojë median e Kosovës për guximin që ka shfaqë në publikimin e këtyre përgjimeve, sepse është tentuar të thuhet se këto përgjime kanë shkelur privatësinë dhe janë në kundërshtim me ligjin. Unë nuk mendoj se e kanë shkelë privatësinë, sepse, më sa kam parë dhe dëgjuar unë, aty nuk flitet për diçka private. Mendoj se ne të gjithë jemi persona publikë dhe momentin kur jemi persona publikë mbajmë përgjegjësi për ato çka themi dhe derisa kur nuk bëhet fjalë për gjëra stërkit familjare”, ka thënë ai.
Kurse, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca duke iu referuar skandalit të fundit të përgjimeve telefonike të disa udhëheqësve të lartë shtetërorë, ka thënë se opinioni u tronditën nga ky skandal.
“Kryeministri i kërkon llogari shefit të Grupit Parlamentar se a janë duke qëndruar urtë deputetët, kurse ky i fundit, në shërbim të servilitetit , i thotë Kryeministrit ‘a ma ke rehatu dajën’. Po të njëjtën ia kërkon edhe ministres së Integrimeve Evropiane. Dëgjojmë aty po ashtu se Adem Grabovci i raporton Kadri Veselit. Në mediat kemi dgjuar se ish-shefi i ShIK-ut tash është vetëm anëtar i thjeshtë i PDK-së. Më të vërtetë e çuditshme. Shefi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe në Kosovë i raporton një anëtari të thjeshtë të partisë për integrimet evropiane dhe takimet në Bruksel”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se realisht Kosova po udhëhiqet nga trekëndëshi Thaçi-Grabovci-Veseli.
“Kosova udhëhiqet realisht nga trekëndëshi Thaçi-Grabovci-Veseli. Pra, nga shefi politik, nga komandanti i deputetëve robotë dhe nga nëntoka”, ka thënë ai.
Konjufca ka shprehur indinjatën e tij nga fyerjes së kreut të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe të gjithë deputetëve të tjerë, duke e apostrofuar këtu vetë Adem Grabovcin.
“Adem Grabovci i shanë me nanë të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vjen sot në Kuvend dhe ulet në ulësen e deputetit të Kuvendit pa kokërr marre. Pastaj fyhet në mënyrën më denigruese Kryetari I Kuvendit tonë”, ka thënë ai.
Asnjë deputet i PDK-së nuk reagoi ndajë deklaratave të dy deputetëve opozitarë. /kosovapress/