E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ymeri: Thaçi po e zhvendos kufirin

Shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka kritikuar marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke thënë se kryeministri Thaçi ka arritur pajtim me homologun e tij serb, Ivica Daçiq që të gjejnë mënyra që financimi i serbëve në Kosovë të bëhet transparent, e që, sipas Ymerit, kjo i bien që financimi i strukturave paralele të bëhet transparent. Sipas tij, po ashtu në takimin e fundit është arritur pajtimi që mallrat që hyjnë nga Serbia të mos doganohen në terminalin doganor në kufi me Serbinë, por kjo të ndodh në terminalin që gjendet në qytetin e Mitrovicës. Sipas Ymerit, kjo është autonomia e pjesës veriore të Kosovës, e cila po merr specifika të veçanta nga territori tjetër i Kosovës.

Ymeri duke folur për bisedimet që po zhvillohen në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka thënë se ato bisedime u nisën për t’i rregulluar çështjet në mes të dyja vendeve siç janë, çështja e të pagjeturve dhe shpërbërja e strukturave ilegale të Serbisë në veri të Kosovës. Por kjo, sipas tij, nuk po ndodh atje.

“Çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk ka qenë temë e këtyre bisedimeve. As në takimin e tretë asgjë nuk thuhet për këtë. Në komunikatën zyrtare të ndërmjetësuesve të dialogut të lëshuar nga zyra e Baroneshës Ashton, të pagjeturit nuk përmenden fare. Ndërkohë që, sa i përket strukturave ilegale, në këtë takim palët thuhet se kanë arritur pajtimin që të shqyrtojnë mënyrat e transparencës së qarkullimit të parasë që vjen nga Serbia për serbët e Kosovës, para këto që vijnë në Kosovë edhe përmes strukturave ilegale, por edhe për strukturat ilegale të Serbisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë po pranohen strukturat ilegale dhe kërkohet thjesht transparencë për financimin e tyre. Sipas tij, problemi nuk është te transparenca e financimit të strukturave ilegale, por te prania e tyre në Kosovë dhe dhunimi i përditshëm që këto struktura ia bëjnë shqiptarëve, pronës private, pronës publike dhe shtetit të Kosovës. Ymeri ka thënë se Thaçi nuk po e lufton këtë dhunim të strukturave paralele serbe në veri, por po kërkon financimin transparent të tyre.

“Thaçi nuk po e lufton këtë dhunim, por përmes bisedimeve po kërkon që ky të bëhet i dukshëm, pra të bëhet transparent. Thaçi me bashkëpunëtorin e tij, Daçiq, po ashtu janë dakorduar që të fillojë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit. Në këtë takim ata janë dakorduar edhe për ndarjen e parasë publike të Kosovës. Edhe pse nuk është thënë zyrtarisht, duket se marrëveshja është që mallrat që hyjnë në Kosovë të mos doganohen në kufirin verior me Serbinë, por në terminalin doganor, i cili gjendet në Mitrovicë. Ndërkohë është përmendur mundësia që serbët se jetojnë në veri të jetë të liruar nga taksa doganore. Po ashtu, është raportuar se një përqindje e TVSh-së së mbledhur t’u shkojë strukturave serbe në veri”, ka thënë ai.

Nëse kjo është marrëveshja, atëherë Ymeri thotë se kështu i bie që tash strukturat ilegale të Serbisë të financohet edhe nga paraja publike që ka qenë dashur të jetë pjesë e buxhetit apo e hyrë në buxhetin e Kosovës. Për më tepër, Ymeri thotë së kur një pjesë e territorit lirohet nga një tatim i caktuar, e në këtë rast, taksa doganore, atëherë kjo pjesë e territorit merr atriburte tjera prej pjesëve tjera të territorit, merr veçantinë e vet territoriale jashtë rregullave të përgjithshme shtetërore të pjesës tjetër të vendit. Dhe kjo, sipas Ymerit, nuk është gjë tjetër pos autonomi për veriun.

“Kjo është pra autonomia. Ta ndash veriun e vendit nga sistemi fiskal i Kosovës nënkupton se ua ke lënë strukturave atje ta përcaktojnë sistemin e vet fiskal, duke e pasur parasysh se strukturat politike atje janë të Serbisë. Kjo i bie se sistemi fiskal atje do të jetë i Serbisë, pra që kufiri realisht po zhvendoset në lumen Ibër”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›